16.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Mërgimi – plagë që nuk e shëroi as liria

 

Shkruan: Prend Ndoja, Long Island, SHBA

Boshti që i jep kuptim jetës sonë, është atdheu, është toka jonë. Atdheu është fati ynë, është toka e ujitur me gjakun e të parëve, të cilët vuajtën, por kurrë nuk u gjunjëzuan, duke ruajtur të paprekur dinjitetin dhe identitetin. Kjo tokë u bë pjesë e jona që para lindjes sonë; u zhvillua e u mishërua me ne gjatë rritës sonë, për të qëndruar me besnikëri dhe dashuri, deri sa të bashkohemi përsëri në brendësinë e saj.

Nga toka kemi trashëguar një fushë magnetike, që është pjesë e jona. Sado të largohesh nga vendlindja, kjo forcë të tërheq drejt tokës mëmë. Atdheu është etnia jonë, është testament i çmuar i të parëve – që ta ruajmë e ta vlerësojmë më shumë se jetën tonë. Ky testament, nuk është pronë e askuj, që të keqpërdoret, apo të shfytëzohet sipas dëshirave të tyre. Është zhvlerësim dhe veprim antikombëtar, nëse gjatë sfidave në shtigjet e jetës t’ia kthejmë shpinën atdheut, të ndikuar nga valët e disponimit, apo mendimeve të papeshuara mirë.

E kaluara e popullit tonë, në të shumtën e kohës ishte rrëqethëse. Ecnim këmbëzbathur në motet e vështira, buzë humnerës. Vetëm pafajësia e popullit tonë dhe trimëria e mendjebardhëve na shpëtuan nga fundosja definitive.
Furia barbare mbi tokën tonë ishte shkrepëtimë dhe bubullimë e së keqes; duke vrarë, përçarë e sunduar; duke e dëbuar popullin tonë nga vatrat e tij; duke ia mohuar edhe të drejtat elementare, si gjuhën dhe shkrimin shqip. Udha e të parëve tanë ishte e rëndë, shumëfish më e rëndë sesa e sotmja, sepse ishte tutela e të huajve sllavë, helenë e aziatikë që frenonte rrugën e mbarë e të përparimit.

Popullit më fisnik të botës, pushtuesit, padrejtësisht ia vunë kufijt mes tokave të tij, duke synuar ta asimilonin në tokën e tij, ndërsa, një pjesë tjetër, e detyruan të merrte udhët e hidhura të mërgimit, të rënda e të lara me lot e gjak. Kjo plagë e vjetër vazhdoi në të gjitha kohërat, duke mos iu shkëputur varganit të së keqes as sot. Tretja e popullit tonë drejt rrugëve të globit, fatkeqësisht është plagë edhe sot, që në heshtje po e përpin kombit tonë, duke larguar nga këtu pjesën më vitale.

Në mungesë të korrektësisë, së pari me veten e me vendlindjen dhe në mungesë të politikave largpamëse zhvillimore, në hapësirën tonë kombëtare po zbehen rrezet e shpresës. Po kufizohet kështu fushëveprimi për ndërtuar një jetë me standarde të kohës. Vendi që shqiptarët e duan më shumë se jetën e tyre, nuk ofron mundësi të mjaftueshme të zhvillimit e integrimit në botën e përparuar.

Populli ynë është atdhedashës i flaktë dhe kjo është dëshmuar çdoherë gjatë historisë, ashtu si dhe gjatë luftës së fundit, duke dëshmuar para botës atdhedashurinë për vendlindjen, edhe atëherë kur ishte bërë shkrumb e hi nga makineria vrastare serbe. Menjëherë pas çlirimit, shqiptarët refuzuan lejet e qëndrimit në shtetet më të zhvilluara të botës, siç ishin Amerika dhe vende tjera të Evropës dhe u kthyen në vendlindjen e tyre. Mbi gërmadhat e luftës, mbi tokën e minuar rifilloi edhe njëherë jeta, por, fatkeqësisht, mërgimi-lëngata e shekujve, që buron nga vetja e jonë, nuk u shërua.

Gjatë këtyre viteve të pasluftës, u dëshmm se, ngaqë investimi në arsim nuk i mbushë xhepat e rrjeteve mafioze, pikërisht arsimin e kanë lënë pasdore. Pa arsimim cilësor, nuk ka ardhmëri të ndritshme dhe po të investohej në arsim (e jo në hotele me shumë yje) do të krijohej mundësia e krijimit të vetëdijes së shëndoshë për veten dhe vendin tonë. Nga aty do të zhvillohej edhe ekonomia e mirëfilltë, që do të nxiste zhvillimin edhe në fushat tjera të jetës, si shëndetësia dhe përmirësimin e mirëqenies ekonomike. Në këtë mënyrë, do të ndalej njëherë e përgjithmonë rrjedha e gjakut të arbrit drejt rrugëve të botës, të këtij fenomeni që ka shkretëruar tokat tona. Shumë qendra të njohura shqiptare, sot janë dealbanizuar, si Manastiri e Janina, p.sh., dikur qendra të njohura të qenësisë e identitetit shqiptar, ndërsa sot janë lënë në mëshirën e kohës dhe dorës së qarqeve antishqiptare greke e sllavo-maqedonase.
Kuadrot me përgatitje të larta profesionale duhet të mbështeten nga institucionet shtetërore, që njohuritë dhe ëndrrat t’i bëjnë realitet në vendin e tyre.

Me një ngritje të tillë, edhe ne mund t‘i prezantojmë arritjet tona para botës, e, jo si endacakë azilkërkues, të presim para portave për mëshirë nga të tjerët. Nëse jetën tonë ia falim verbalizmit, përgjumjes, atëherë elementet negative do t‘i paralizojnë veprimet dobiprurëse në fusha të ndryshme. Nga dobësitë që manifestrohen sot, pasardhësit tanë do të vuajnë nesër. Nga kjo atmosferë e krijuar sot, lind kotësia dhe elementet negative, që i transferon njerëzit nga jeta normale, në atë abstrakte, duke i nxitur të rinjtë që ta zhvillojnë jetën e tyre jashtë bazës së shëndoshë njerëzore. Në krejt këtë situatë, është edhe aparati shtetëror, i cili duke shtypur inteligjencën dhe masat e gjera të popullit, krijon një hapësirë të lirë veprimi, për të notuar më lehtë në ujrat e korrupsionit, duke ruajtur rrjetin e garniturave të dëmshme që ata kanë ndërtuar.

Sot jemi të lirë dhe fatin tonë mund ta marrim në duart tona. Ne jemi ata që i japim jetë dhe që e vrasim fatin tonë. Njerëzit e pasuksesshëm e dështakët, gjithmonë ankohen duke akuzuar të tjerët, pa ndërmarrë asnjë veprim. Kthesa në të mirë fillon atëherë kur çdonjëri, ankesat i adresojmë së pari te vetja e jonë. Askush nuk mund ta mohojë të drejtën tonë, nëse ne dimë ta mbrojmë atë. Aq sa kanë mundësi armiqtë tanë që ta mbulojnë diellin mbi tokën tonë, po aq kanë mundësi t’i mbulojnë mendjet apo parimet tona, nëse ato janë të zgjuara. Mjerisht, nga mosdija, disa nga vëllezërit dhe motrat tona të profesioneve të ndryshme, sot përpiqen të notojnë në ujra të turbullta, edhe pse ndoshta këtë e bëjnë pa dëshirën e tyre, si të vetmen mënyrë mbijetese, për t’i shpëtuar mërgimit (Fjala popullore “Atë që e ha ariu, i ka shpëtuar rrezikut që të mos e hajë ujku). Disa të tjerë, pasi përpiqen ta ndërtojnë jetën pranë familjes dhe të afërmve në vendin e tyre, hasin në pengesa; luftojnë për të arritur suksese, por në të shumtën e rasteve rezultojnë si të kota, sepse perspektiva e tyre është e pamundur nga pengesat e keqbërësve në postet shtetërore. Pastaj, me një dëshpërim të madh, marrin udhën e mërgimit, ashtu si shumë të tjerë para tyre. Këto janë shkaqet e braktisjes së atdheut, që sipas raportimeve të medieve të ndryshme, me përmasa alarmante po vazhdon edhe sot, por tani më me një formë tjetër, duke siguruar viza pune. Nga kjo, kemi një situatë kur numri i njerëzve në atdhe, është më i vogël se i atyre që tani më kanë braktisuar vatrat e tyre. Trendi i zhvillimeve të tilla është dramatik dhe nuk ka asnjë shenjë se do të ngadalësohet, e lëre më të ndalet krejtësisht.

Në rrethana të tilla, s’ka se si të mos ndalesh e të mendosh ç’po ndodh me ne? Duke parë zvogëlimin e tokave tona, mund të pyesim: sa rëndë na kushtoi liria… Duke parë numrin e të mbeturve, del se largimi edhe i një personi është humbje e madhe për vendin. Largimi i një të riu sot, është humbja e një familjeje të madhe nesër; është humbje e një doktori, artisti, shkencëtari, luftëtari… Ndonëse për mërgimin, që po dëmton substancën tonë kombëtare, është shkruar dhe janë dhënë mendime të shumta, akoma nuk është gjetur një fije shprese- një dorë shërimi.
Sot, demagogët sharlatanë, për fitime dhe qëllimet e tyre antikombëtare, mërgimin duan ta paraqesin si rrugë shpëtimi, duke e stolisur me ngjyra të rrejshme dhe me një shije artificiale. Ata duan që të rinjtë tanë t’i ikin shijes natyrale të vendit, të cilit drita nuk i shuhet kurrë.

Për ta shpëtuar veten nga rreziqet që i kanosen, nga dukuritë e brendshme negative dhe vërshimi i popujve afrikano-aziatik, një pjesë e Europës sot luan një lojë dinake me popullin tonë, duke tërhequr nga atdheu racën më të bukur, që në një të ardhme të afërt ta asimilojë e ta bëjë pasardhëse të trungut dhe vendit të tyre. Përmes veprimeve të ndryshme, gjithashtu bëhen përpjekje të destabilizohet rendi dhe zhvillimi normal në Kosovë. Në shenjë “paqeje”, hedhin ide të papranueshme, duke e anashkaluar realitetin e kufijtë e tokave tona, ndonëse e dinë mirë se ku shtrihen kufijtë e tokave e të popullit tonë. Duke parë historinë e hidhur, kjo të trishton. Pra, një pjesë e Europës nuk angazhohet qartë për ndërtimin e një jete normale në vendin tonë. Ndonjëherë, për këtë jemi fajtorë edhe vet, duke mohuar vlerat europiane dhe orientimin në kahje të gabuar, që mund të jetë me pasoja të pariparueshme.

Fatkeqësisht, sot, në mënyrë indirekte, populli ynë ka drejtuar sytë drejt mërgimit, që i servohet me ngjyra joshëse. Evropa, sot, në mënyrë dinake i ndalon rrugët që të shpien drejt mërgimit ilegal, ndërsa në anën tjetër, ato hapen nga të gjitha anët. Jashtë etikës njerëzore qëndrojnë si superiorë, duke e mohuar trajtimi e barabartë të mërgimtarëve tanë dhe ushtrojnë presion për të na gjunjëzuar e përulur pamjen dhe krenarinë tonë si popull.

Ndërkaq, në anën tjetër, tërthorazi, nga lakmia e interesat për racën tonë të bukur, dëshirojnë që përmes asimilimit të shkrihemi në identitetin e tyre, ashtu siç ka bërë Turqia ndër shekuj, duke evoluar nga një racë mongole, në një racë të bardhë. Ky rrugëtim për të rinjtë tanë, nuk është thjesht, siç e mendojnë në fillim, si një rrugë shpëtimi për një jetë më të mirë, por është një sferë tundimim, që të nënshtron e të godet në palcë, duke humbur mëvetësinë, për t’u bërë i huaj, në shtëpinë që ka një pronar tjetër, ku ti mund të bëhesh vetëm shërbëtor i tij. Kjo udhë, gradualisht të shkëputë nga rrënjët; duke vrarë identitetin kombëtar, deri në dorëzimin e plotë, që quhet asimilim.

Të ngarkuar me punë e detyra që jeta i kërkon, për ta zhvilluar jetën në vendet ku jetojnë, ata gjejnë kohë edhe për organizime dhe takime mes vete. Mëgimtarët, vendlindjen nuk e shijojnë në jetën aktuale, ata e shijojnë dhe e mbajnë në mendje dhe zemër. Atdheu duhet të jetë shumë krenar me mërgimtarët e tij, sepse ata e dëshmuan veten në të gjitha kohërat, duke lënë emër të mirë në fusha të ndryshme kudo në botë, për t’u bërë burim e krenarie kombëtare.

Asimilimi dhe vdekja i takojnë të njëjtës familje. Asimilimi ka peshë të rëndë, sepse të zhdukë rrënjët dhe emrin, anipse ndikimit të kulturave vendase, aty ku kanë emigruar, shqiptarët kanë bërë përpjekje t’i rezistojnë. Shqiptarët, kudo që gjenden, mbajnë lidhje të forta me njëri- tjetrin, me vendlindjen, me të afërmit e farefisin, duke ruajtur me shumë fanatizëm gjuhën e traditat kombëtare, si vlerat më të shtrenjta, që i kanë marrë me vete në tokën e huaj.

Më Shumë

Del në ankand xhaketa ikonike e Michael Jacskonit te “Thriller”

Një prej xhaketave origjinale të Michael Jacksonit që i ka veshur në videoklipin e këngës “Thriller” ka dalë në ankand online. Xhaketa kuq e zi...

Osmani: Më 24 mars të ’99-ës aleancat e botës demokratike u bënë bashkë për të parandaluar shfarosjen e popullit të Kosovës

Presidentja Vjosa Osmani ka falënderuar aleancën veri-atlantike, NATO-n dhe ushtarët e saj për kontributin që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin për Kosovën. Sot në...

Lajmet e Fundit