11.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Misioni i Ri i LDK-së

Arbana XharraShkruan: Arbana Xharra

“Do ta pastrojmë PDK-në nga bërlloku”. Edhe kjo u dëgjua nga përkrahësit e LDK-së për të arsyetuar paktin me partinë e Hashim Thaçit, të cilën shumë krerë të LDK-së e kanë përshkruar publikisht si një turmë vrastare. Përpjekjet e LDK-së deri në banalitet për të mbrojtur koalicionin me PDK-në janë pambarimisht absurde.

Kështu papritmas na u zbulua edhe Misioni i Ri i LDK-së. Tashti në bashkëqeverisje me “partinë e xhabirave” që prej vitesh shkelin ligjet, keqpërdorin demokracinë, vrasin virtualisht kritikët, i fryjnë racizmit dhe tallen me çdo vlerë evropiane, LDK-ja bënë përpjekjen tjetër qesharake për të sqaruar përpara opinionit dhe elektoratit të saj arsyen e hedhjes në përqafim të Hashim Thaçit.

Jo se opsioni tjetër i LDK-së në Bllok ishte ideal. Ajo edhe aty duhej të shërbente për t’i realizuar ëndrrën e kamotshme Ramush Haradinajt për kryeministër të Kosovës (me 9 % dhe shumë skandale). Por, bashkëqeverisja me PDK-në i siguron protagonistëve edhe një katërvjeçar bartësve të korrupsionit dhe mosndëshkimit të kriminelëve.

Të gjithë ata, që përgjatë këtij mandati tetëvjeçar, me forcën e pushtetit, u shndërruan në milionerë arrogantë – fuqia e të cilëve matet me keshin e vjedhur përmes tenderëve publikë – tash e tutje do të jenë partnerë të denjë të LDK-së. E kush nga LDK-ja do ta “pastrojë PDK-në”? Garda që ka qëndruar me arrogancë në barrikada të LDK-së, ata që me çdo mjet kanë penguar reformimin e kësaj partie? Kush nga LDK-ja mund t’i kërkojë llogari Kadri Veselit e Azem Sylës, Adem Grabovcit, Bekim Haxhiut apo Sami Lushtakut e Shaip Mujës? Krerë të LDK-së herë njërin, herë tjetrin nga këta tipa i kanë quajtur ose kriminelë, ose hajdutë.

Ajo çfarë Kosova ka përfituar nga kjo qeverisje është një grup banditësh të dyshuar për krim dhe korrupsion, të dehur nga babëzia e paparë ndonjëherë në këtë vend dhe të prirë që krejt fëlliqësitë t’i fshehë nën maskën e “miqësisë me Amerikën” dhe “të integrimeve europiane”. Është shumë e vërtetë se edhe në krahun tjetër brenda Bllokut ka banditë të llojit të tyre, politikanë me dosje, po ashtu me një të kaluar aspak të pastër.

Dhe, nuk ishte se LDK-ja la ekipin e Barcelonës për të shkuar në Llamkos, por mbajtja edhe më tuje në pushtet e kësaj kaste të politikës, e cila ka lëshuar rrënjë në secilin sektor kyç të vendit, duke degraduar me shëndetësi, arsim, gjyqësi është hiç më pak se krim i LDK-së. Tash, me 2/3 në Kuvend, pa opozitë të mirëfilltë, me përjashtim të “Vetëvendosjes”, autobusët me emigrantë ilegalë do të shtohen dita-ditës.

PDK-ja, me pushtetin e tij absolut, do të vazhdojë të mbajë në pozita ata që janë në shërbim të saj, të cilët gjithmonë kanë pasur përkushtim për të punuar në favor të grupeve të interesit. Kurse skamja e denigrimi që ka kapluar këtë popull pa perspektivë do të thellohen. Dhe do ta risjellim në vëmendje deklaratën e ambasadores gjermane, Angelika Viets, se Kosova nuk mund të ketë liberalizim të vizave as në vitin 2015. Kështu kampet e refugjatëve nëpër Evropë do të mbushen.

Autobusët me kosovarë ia mësyjnë Beogradit dhe prej atje, prej kryeqytetit të Serbisë, vazhdojnë udhën drejt vendeve perëndimore. Këtë rrugë të mundimshme, plot rreziqe dhe ilegale këta njerëz e marrin nga zori i madh në të cilin gjenden, e marrin këtë rrugëtim për shkak të gjendjes së keqe ekonomike, për shkak të varfërisë, në të cilën i ka hedhur Hashim Thaçi me tarafin e tij politik.

Shumë shqiptarë të Kosovës gati 7 vjet pas pavarësisë s’po shohin ardhmëri në shtetin e tyre. Ata po kalojnë kodra e male me fëmijë në duar, duke paguar banda kontrabandistësh, të cilët herë i hedhin përtej kufijve të Schengenit, herë i lënë në breg të Danubit dhe nën mëshirën e fatit. Ndoshta Thaçin e kanë njoftuar miqtë e tij të rinj në Beograd se së paku 200 veta çdo natë arrijnë nga Prishtina në Beograd për të ikur pastaj në Perëndim.

Ata bredhin fushave të Vojvodinës, duke kërkuar lidhje për të dalë në Hungari, një vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe zonës së Schengenit. Kurse PDK-ja dhe LDK-ja do të ngrenë dolli për zhbllokim e ngërçit dhe pastrimin e Kosovës jo nga banditët, por nga qytetarët e saj që po vuajnë nga skamja!/zeri/

Më Shumë

 Marrëveshje për zhvillim ekonomik dhe inovacion në Prizren

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj ka nënshkruar sot një Marrëveshje të Mirëkuptimit me Innovation and Training Park (ITP) dhe Makerspace – Innovation Center Prizren për të bashkëpunuar në agjendën digjitale të...

Milani përgatit kontratën e re për Theo Hernandez

Gjigantët e Serie A, Milan-i po mendojnë të rinovojnë kontratën e Theo Hernandez, ndërsa interesi i Bayern Munich rritet më shumë. Sipas një raporti nga...

Lajmet e Fundit