8.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Ngjyrat e pëlhurës që pështjell realitetin tonë

Ditar Kabashi

1.
Ngjyrat janë jetë. Janë larushia e mjedisit. Kombinimi i tyre është objekt studimi për shumëkënd, nga disenjatorët e modës e gjer tek tifozët e klubeve sportive. Çdokush identifikohet me një ngjyrë apo me kombinim ngjyrash. Megjithatë, disa thonë se për shijet dhe ngjyrat nuk duhet diskutuar.

Rëndom, përveç të bukurës natyrë, ngjyrat zënë vend edhe në sendet që i prodhon dora e njeriut. Inventari i shtëpive a i zyrave, ushqimet me mbështjellësit e tyre, veshmbathjet e kështu me radhë, gjithçka i nënshtrohet perceptimit mbi ngjyrën. Këto kanë simbolikat e veta, të cilat njeriu ua dha që të mund të shprehë imagjinatën dhe idenë e vet. Identifikimi i të bardhës me paqen, i të kuqes me gjakun (ndonjëherë edhe me komunizmin, qe besa), i të kaltrës me demokracinë e një mor simbolikash të tjera, të përdorura shpesh për retorika boshe.
2.
Edhe pse përdoret në zhargonin e përditshëm, fjala “bez” nuk haset në fjalorin zyrtar të shqipes. “Beze”, po. Sikurse edhe “basmë”, “cipë”, “lahur”, etj. Natyrisht, edhe “pëlhurë”. Pazotësia për të bërë dallimin mes të folmes së lirë dhe ligjërimit zyrtar nuk është ndonjë çudi për personalitetet historike por të gjalla që gjenden tek ne. Aq më pak nëse janë në krye të vendit.
3.
Legjislacioni i secilit shtet rregullon çështjen e simboleve kombëtare e shtetërore. Edhe Kosova jonë ka një ligj që quhet “Ligji për Përdorimin e Simboleve Shtetërore të Kosovës”. Paramendoni, është ndër ligjet e para të nxjerra nga Kuvendi i Kosovës, pra qysh më 2008. Kur thuhet simbolet, mendohet në flamurin, stemën dhe himnin. Këto janë “karta e identitetit” për shtetin. Nenet 4-10 flasin ekskluzivisht për flamurin (përdorimin, vendosjen, renditjen). Se nenin 17 që rregullon sanksionet kundërvajtëse më mirë të mos e përmendim. Besoj se këtë e dinte mirë edhe ligjëruesi orator që ngriti në ekstazë shpirtërore e atdhetare të pranishmit në kultin fetar. S’ka si të mos e dijë, kur ka këshilltarët e përgatitur dhe, kur vetë ai, me përgjegjësi të lartë, përfaqëson unitetin e popullit të Republikës, të kësaj që gjithashtu e përfaqëson brenda dhe jashtë.
4.
Pëlhurat përdoren për të mbuluar diçka dhe mund të jenë shumëngjyrëshe. Të bardha apo të zeza. Mbase edhe të tejdukshme. Nuk di nëse është zbuluar ndonjë e tillë që të mund të fshehë korrupsionin, përfitimin e padrejtë ekonomik, nepotizmin, politizimin e cilitdo institucion publik, shfrytëzimin e figurave kombëtare e fetare për interesa ditorë dhe marifeteve të ngjashme që s’po shkoqiten qysh nga mbarimi i luftës.

Pra, mund të gjendet diku ndonjë pëlhurë që mbulon turpërimin që po i bëhet këtij vendi?
Unë nuk di. Duhet pyetur dikë që di, dikë që me meritë duartrokitet.

 

Më Shumë

Përfundon zgjedhja e kryetarëve dhe këshillave të bashkësive lokale në Prizren

Pas dy muajsh pune intensive dhe angazhimit të ekipit të kryesuar nga Drejtori i Administratës së Komunës së Prizrenit, Edin Shehu, ka përfunduar me...

Kirurgu i Spitalit të Prizrenit, Zgjim Berisha aderon në Vetëvendosje

Kirurgu i Spitalit Regjional të Prizrenit, Dr. Zgjim Berisha ka aderuar në Lëvizjen Vetëvendosje në Prizren. “Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren çdo ditë e...

Lajmet e Fundit