6.8 C
Prizren
E martë, 19 Mars, 2024

Normalizim i njëanshëm?!

Jeta Krasniqi

Me këtë shkrim do t’i përgjigjem shkrimit të Milicës

E dashur Milica,

Me titullin e shkrimit tënd, ti thua ‘Nuk ka normalizim universal’, ndërsa normalizimin mes Kosovës dhe Serbisë e definon në terme të të drejtave të komunitetin serb në Kosovë – të cilat i ke listuar në shkrimin tënd. Një listë e të drejtave ndaj komunitetit serb, të cilat janë pjesë e ligjeve dhe kushtetutës së Kosovës. Zbatimi i të cilave nuk ndërlidhet vetëm me problematikën e akomodimit të të drejtave të komunitetit serb, por ndërlidhet edhe me nevojën e ndërtimit të një shteti ligjor. Problematikë e cila prek të gjithë shoqërinë kosovare.

Në pamje të parë, të krijohet përshtypja se normalizimi sipas termeve të tua, e cila lexohet në tërë shkrimin tënd, është normalizim i njëanshëm. Unë vlerësoj që nuk mund të ketë një normalizim të tillë.

Pasi një marrëveshje politike mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka të bëjë vetëm me komunitetin serb. Thjesht sepse problematika e raporteve nuk ndërlidhet vetëm me komunitetin serb. Ky normalizim ka të bëjë dhe me raportet midis dy shteteve, si do të ndërveprojnë ata me njëri-tjetrin; çfarë bazash për paqe do të arrijnë të vendosin ato. Nëse do të arrijnë në atë pikë dhe kjo patjetër që varet nga shumë faktorë, që shkojnë përtej nesh si aktivistë të shoqërisë civile.

Prandaj kisha dashur të shkoje më tej dhe të më tregoje çfarë normalizimi do të ishte ky. Normalizim i raporteve të kujt dhe me kë? Në çfarë forme do të ndodhte ky version i yti i normalizimit?

Kjo me lidh me tezën tënde se, sipas teje, Vuçiq ka hequr dorë nga interesat e komunitetit serb pasi dyshon në zbatimin nga pala kosovare dhe jetëgjatësinë e një marrëveshjeje potenciale. Si argument jep dhe Paketën e Ahtisaarit.

Serbia nuk ka as kredite politike dhe as ligjore për të kërkuar nga Kosova respektim të Paketës së Ahtisaarit. Më lejo të të kujtoj që për Serbinë Paketa e Ahtisaarit ka qenë e papranueshme, pra e ka refuzuar atë. Ndërsa, sa i përket marrëveshjeve të Brukselit, Serbia prin në garë me Kosovën për moszbatim të marrëveshjeve.

Kosova në mënyrë të njëanshme e ka marrë përsipër që t’i zbatojë dhe t’i integrojë në kushtetutën e saj parimet e Paketës së Ahtisaarit, përfshirë këtu të drejtat e avancuara për komunitetin serb, të drejta që as vetë Serbia dhe asnjë vend në rajon nuk u ofron e garanton komuniteteve jo shumicë.

Kosova e ka dëshmuar gatishmërinë e saj për të ndërtuar shoqëri multietnike, për të shkuar një hap më tej për garantimin e të drejtave të komuniteteve jo shumicë. Prandaj nuk jam dakord me tezën tënde lidhur me raportin e institucioneve të Kosovës dhe komunitetit serb në Kosovë.

Këto të drejta duhet të jenë në shërbim të mirëqenies së përgjithshme të shoqërisë, dhe jo të shërbejnë kundër avancimit të shoqërisë dhe mbajtjes peng të shtetit të Kosovës nga shteti i Serbisë.

E njëjta mendësi vlen edhe për parimin e ‘votës së dyfishtë’. Ky parim nuk është vendosur për të shërbyer si votë për bllokadë dhe vënie të shtetit të Kosovës nën dirigjimin e shtetit të Serbisë, por për të shërbyer si garancë për mbrojtjen e të drejtave të të gjitha komuniteteve. Tani nuk është duke i shërbyer këtij qëllimi pasi që është vënë në dispozicion të një grupi njerëzish që nuk përfaqësojnë as komunitetin e tyre por interesat direkte të Beogradit.

E ndjej mllefin tënd ndaj institucioneve të Kosovës, të cilat sipas teje nuk i kanë përmbushur detyrimet e tyre ndaj komunitetit serb, gjë të cilën unë e mirëkuptoj deri diku, qëndrim të cilin e kam argumentuar në shkrimin tim paraprak.

Por unë nuk pashë në asnjë moment, në shkrimin tënd, që ti të flasësh për detyrimet, obligimet e përgjegjësitë që komuniteti serb i ka në shoqërinë kosovare qoftë dhe ndaj respektimit të Paketës së Ahtisaarit.

Prandaj më lejo të të pyes, cilat obligime i ka përmbushur komuniteti serb ndaj institucioneve të Kosovës? Çfarë obligimesh e përgjegjësish kanë marrë ndaj pjesës tjetër të shoqërisë kosovare? Ndaj ndërtimit të shoqërisë multietnike të Paketës së Ahtisaarit?

Ky është një element shumë i rëndësishëm, që nuk mund ta anashkalojmë pasi lidhet edhe me çështjen të cilën po përpiqemi ta adresojmë në këto shkrime – pajtimin. Por mbi të gjitha mbi tezën tënde që ke hedhur ndaj institucioneve të Kosovës, me të cilën unë e argumentova më sipër që nuk jam dakord.

Por dhe argumentin e fuqishëm tëndin që Serbia ka tradhtuar interesat tuaja më të mëdha – mosintegrimin tuaj në institucionet e Kosovës. Obligime të cilat komuniteti serb i ka nga po e njëjta paketë e parimeve – ajo e Ahtisaarit pra – si dhe nga marrëveshjet e dialogut Kosovë-Serbi, nga të cilat kërkon zbatim dhe revoltohet për mosrespektim të të drejtave që dalin prej tyre ndaj komunitetit serb.

Prandaj pyetja qëndron, çfarë zbatimi po kërkon? Zbatim të plotë, pra ku përfshihen edhe detyrimet e përgjegjësitë? Apo po flasim vetëm për zbatim të të drejtave që burojnë nga to pa kërkuar zbatimin e pjesës së detyrimeve dhe të përgjegjësive që parashohin? Qoftë kjo për komunitetin serb në Kosovë ashtu edhe për shtetin e Serbisë.

Për të vazhduar argumentin pse nuk jam dakord me analizën tënde mbi institucionet e Kosovës, dua të theksoj se në secilën marrëveshje të arritur në kuadër të procesit të dialogut Kosovë-Serbi të inicuar që më 2011, ka devijim përtej Paketës së Ahtisaarit.

Marrëveshjet e dialogut janë kompromise shtesë të institucioneve të Kosovës për të akomoduar kërkesat e komunitetit serb e të vetë Serbisë, e vërtet duke prishur ‘rehatinë’ e të jetuarit në sistem paralel të jashtëligjshëm, i financuar jo për mirëqenie (të qytetarëve serbë) por për ilegalitet, kriminalitet dhe mbajtje të pushtetit të Serbisë në Kosovë.

Jetesa e qytetarëve në veri në versionin e ‘no man’s land’ duhet t’i vijë fundi pikërisht me këtë proces të normalizimit. Kjo marrëveshje, nëse arrihet, duhet të përmbyllë çdo gjë. Nëse mendojmë në frymën, siç e ke ngritur në shkrimin tënd, si një mundësi për një marrëveshje të përkohshme, vlerësoj se paqja do të vihet në rrezik.

Por këtu kemi disa probleme të cilat ende duhen të adresohen e të tejkalohen për të kaluar te faza e ardhshme: ajo e pajtimit. Janë disa çështje këtu që dua t’i adresoj duke u bazuar në shkrimin tënd.

Shoqërinë kosovare e konsideron të veçantë/të ndarë nga komuniteti serb. Dhe në disa raste thua që shoqëria kosovare nuk ka tolerancë ndaj të drejtave të komunitetit serb.

Shoqëri kosovare do të thotë të gjitha komunitetet të cilat jetojnë në Kosovë, përfshirë këtu edhe komuniteti serb. Prandaj kur flet për shoqërinë kosovare duhet të konsiderosh që edhe ti që i përket komuniteti serb të Kosovës dhe unë që i përkas komunitetit shqiptar të Kosovës, jemi pjesë e shoqërisë kosovare.

Këtu ndërlidh dhe shqetësimet e tua për tentativat për anashkalim të ligjeve që kanë të bëjnë më të drejtat e komunitetit serb në Kosovë, ku ndër të tjera, ke folur për transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës. Ndërsa e adresova më lart mënyrën si unë e kuptoj të drejtën për votën e dyfishtë.

Më duhet të nënvizoj që kur flasim për FSK, një element shumë të rëndësishëm që nuk duhet ta lëmë pa e përmendur, janë kërcënimet ndaj anëtarëve të komunitetit serb në FSK që kanë ardhur drejtpërdrejt nga shteti i Serbisë. Besoj që kjo çështje duhet të jetë një shqetësim shumë i madh për të gjithë komunitetin serb që jeton në Kosovë të cilët nëse nuk i përshtaten axhendës politike të Beogradit zyrtar rrezikojnë të kërcënohen, jo vetëm ata por edhe familjarët e tyre dhe si rezultat detyrohet të tërhiqen.

Shoqëria e Kosovës dhe ajo e Serbisë, nuk janë shoqëri të ngjashme, shumë larg asaj në fakt. Shoqëria aktuale e Kosovës është produkt i përpjekjeve me dekada të tëra për rezistencë ndaj represionit të egër të shtetit të Serbisë që trajtoi miliona njerëz si njerëz të kategorisë së dytë, duke punuar pareshtur dhe aktivisht me dorë të hekurt të një regjim mizor në shtypjen e të drejtave të tyre, përfshirë këtu edhe të drejtën elementare për shkollim.

Eshtë produkt i luftës për ekzistencë, për mbijetesë ndaj dhunës çnjerëzore të regjimit serb duke mos kursyer njerëz të pafajshëm, fëmijë e të moshuar, gra e burra, i dhunës, i torturës, i humbjeve njerëzore, i agonisë së gjetjes së më të dashurëve.

Është produkt i luftës që tentoi spastrimin etnik të shqiptarëve duke shkaktuar 13,518 persona të vrarë, 20 mijë persona të dhunuar, 1,658 persona ende të zhdukur, 120 mijë shtëpi të djegura dhe dëme materiale deri në 22 miliardë euro.

Ndërsa shoqëria e Serbisë, është produkt i dekadave të fundit të sjelljeve genocidiale dhe një rezistence qytetare të vonuar kundër këtij regjimit, i ushqyerjes së miteve, në përpjekje tash së fundmi për të gjetur identitetin e saj si një shoqëri që qëndron në mes të lindjes dhe perëndimit, një shoqëri që është në luftë me të kaluarën e saj jo të famshme dhe përpjekjeve për t’u ridefinuar të tashmen dhe të ardhmen në paqe.

Prandaj dhe nuk jam dakord me nocionin tënd që liderët e Kosovës janë dhe pasqyrë e shoqërisë tonë të Kosovës, e vlerave, e parimeve dhe e ideale që ne përfaqësojmë si shoqëri. Për Serbinë nuk mund të them sepse nuk jam pjesë e asaj shoqërie dhe nuk mund të jap një vlerësim të tillë.

Dhe më dërgon te pyetja ime e radhës: për çfarë pajtimi po flasim? Pajtim mes kujt? Mes qytetarëve të Kosovës apo pajtim mes Kosovës dhe Serbisë? Këtu ka një ndryshim rrënjësor. Pasi nëse flasim për pajtim mes qytetarëve të Kosovës, atëherë ndoshta ndoshta edhe do të mund ta ndanim procesin politik të normalizimit siç e quan ti me procesin e pajtimit. Nëse do të kishte një gatishmëri të komunitetit serb në Kosovë për ta parë veten si pjesë e shoqërisë dhe shtetit të Kosovës.

Por nëse flasim për pajtim mes Kosovës dhe Serbisë, atëherë këto dy procese nuk mund të ndahen. Të flasësh për pajtim, në një kohë kur e tërë diplomacia serbe është e angazhuar në një fushatë të egër kundër shtetit të Kosovës dhe mirëqenies së qytetarëve të saj, dhe t’i konsiderosh si procese të ndara, është një dëshirë utopike e cila për fat të keq nuk mund të realizohet.

Vërtet fjalimi i Vuçiqit mund të analizohet nga prizmi të cilin e ka analizuar dhe ti, por kjo analizë nuk e amniston Vuçiqin nga ajo çfarë përfaqëson një lider i cili i qëndron besnik të kaluarës së përgjakshme dhe genocidale, edhe pse shtiret si modern. Si i tillë, s’mund të konsiderohen ky fjalim në prizmin e thjeshtësisë, pasi po flasim për glorifikimin e Milosheviqit, përgjegjësit kryesor që shkaktoi genocidin më të madh pas luftës së dytë botërore.

Patjetër nëse çdo politikë e udhëheqësve të Serbisë të shkonte në drejtim të ndërtimit të paqes, të marrjes së përgjegjësisë për krimet e kryera në emër të miteve dhe pseudo të drejtës së tyre për Serbi të madhe, edhe do ta konsideroja si një lapsus momenti apo fjalim për konsum ditor.

Por kur pas tij, del kryeministria e Serbisë znj. Ana Brnabiq dhe mohon genocidin në Srebrenicë ku janë vrarë e masakruar 8000 burra e fëmijë. Kur në mënyrë të vazhdueshme lidershipi serb kërcënon për përdorimin e ushtrisë kundër Kosovës, kjo më bën ta marr shumë seriozisht fjalimin e Vuçiqit në Kosovë dhe me shumë rezervë e dyshimeve të mëdha qëllimet e Serbisë për paqe me Kosovën.

Ke ngritur një sërë shqetësimesh që ndërlidhen dhe me uzurpimin e pronave, shifra të vitit 2007. Një shqetësim i vërtetë, i cili duhet të adresohet për të gjithë qytetarët, në një tentativë për të mësuar më shumë se çfarë ka ndodhur me këto kontekste dhe ku qëndron kjo çështje, sot në 2018. Përfshirë këtu për rreth 400 shtëpi të uzurpuara dhe mbi 250 të djegura në komunat veriore të Kosovës të cilat i përkasin komunitetit shqiptar.

Një tjetër shqetësim që ke ngritur, ka të bëjë me kthimin e komuniteteve jo shumicë. Tentativa për kthimin e komunitetit serb në Kosovë kanë qenë të shumta duke u ndërtuar shtëpi dhe duke u ofruar shuma monetare në kompensim por kthimi nuk ka ndodhur.

Bazuar në regjistrimin zyrtar të popullsisë në vitit 1991 të zhvilluar nga Serbia pas suprimimit të autonomisë së Kosovës, në Kosovë kanë jetuar 1.596.072 shqiptar (81,6%) dhe 194.190 serb (9,9%), ndërsa pjesa tjetër e minoriteteve përbënte diku 10%.

Ndërsa sot në Kosovë jetojnë diku 150 mijë serbë. Edhe pse shifra e saktë nuk dihet duke pasë parasysh refuzimin e tyre për të marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë. Padyshim edhe një shembull i obligimeve të dalë nga marrëveshjet e dialogut i cili nuk është respektuar. Prandaj nuk e di se ku bazohen hulumtuesit për shifrat që ke prezantuar në shkrimin tënd. Pavarësisht kësaj duhet të ketë tentativa të shtuara për rikthimin e qytetarëve të Kosovës në shtëpitë e tyre, përfshirë këtu mbi 12 000 shqiptarëve të cilët u dëbuan nga komunat në veri të Kosovës.

Që nga shkrimi yt i fundit, një sërë zhvillimesh kanë ndodhur në raportet mes Kosovës dhe Serbisë të cilat qartazi dëshmojnë që procesi politik i normalizimit, siç e ke cilësura ti, dhe procesi i pajtimit nuk janë dy procese të ndara por janë procese të cilat ndikojnë dhe përcaktojnë njëra-tjetrën.

Pajtimi kërkon përpjekje, por këto përpjekje duhet të jenë të vërteta, të sinqerta, të cilat shkojnë përtej interesit të komunitetit të ngushtë, por që shprehin guximin për të marrë përsipër përgjegjësinë, për të kërkuar falje si dhe përkushtimin për të punuar për mirëqenien e përbashkët. Pra një përpjekje që kërkon përballjen me veten dhe që shkon përtej vetes.

Ke thënë që nuk mund të ketë kërkimfalje në gjeneratën tonë. Në fakt unë mendoj që gjenerata jonë është ajo e cila pikërisht duhet të insistojë në kërkimfalje, të ketë drejtësi. Nëse ne nuk e bëjmë, pajtimi që ti flet si një mënyrë e vetme për paqe të qëndrueshme, do të jetë i paarritshëm. Nuk mund të ndërtojmë pajtim, pa marrjen e përgjegjësisë, pa rrëfimin e të vërtetës se çfarë ka ndodhur, pa vënien në drejtësi, pa kërkim faljen.

Unë dhe ti nuk kemi çfarë të pajtohemi. Pajtimi duhet të ndodhë pikërisht me ata njerëz të Gjakovës të cilët t’i ua ke referuar në shkrimin tënd, të cilëve u janë vrarë më të dashurit e tyre, u janë djegur shtëpitë, të cilët janë përdhunuar në mënyrat më çnjerëzore, ata të cilët ende nuk e dijnë se ku janë mbetjet mortore të më të dashurëve të tyre, ende 20 vite pas luftës.

Ti ke folur për normalizimin nga prizmi yt, brenda komunitetit serb të cilin e përfaqëson, duke e parë këtë komunitet të ndarë nga shoqëria kosovare. Ndërkohë që unë të ftoj të shohësh normalizimin përtej kërkesave të komunitetit të cilin ti përfaqëson, por ta shohësh në prizmin e një shoqërie të pasluftës, që ka guximit të ballafaqohet me të kaluarën e saj dhe të marrë përgjegjësinë. E gatshme të marrë obligimet që ka për të ndërtuar një bashkëjetësë në paqe, në respektim të njëri-tjetrit, në ndërtim të vlerave, qëllimeve e vizioneve të përbashkëta.

Eja pra të punojmë së bashku për ta ndërtuar këtë shoqëri, një shoqëri solidare por jo duke e lënë këtë shoqëri peng të Serbisë, zhvillimin e saj në dorë të një grushti njerëzish që nuk përfaqësojnë as komunitetin e tyre por janë kukulla të pushtetit siç e cilësove ti në shkrimin tënd, të ministrit të Informimit të Milloseviqit. Të punojmë që të ndërtojmë institucione të përgjegjshme, demokratike të cilat përfaqësojnë vlerat të cilat po pretendojmë që i ndajmë bashkë. Besoj që kjo pa dyshim që do të mundet të na çojë neve si shoqëri përpara, drejt pajtimit dhe drejt garancave që të drejtat tona do të respektohen në plotni ashtu siç kërkon edhe ti.


Sbunker e boton këtë kolumne të përkthyer dhe të botuar në origjinal nga portali KoSSev. Ky portal, me mbështetjen e Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin, nis rubrikën e re Millica dhe Jeta, në kuadër të faqes Dialogu. Aktivistët civile Millica Andriq nga Zubin Potoku dhe Jeta Krasniqi nga Prishtina do të shkëmbejnë qëndrimet rreth çështjeve aktuale të popullit serb dhe shqiptar dhe marrëdhënieve të tyre të ndërsjella në muajt në vijim. Rubrika publikohet në kuadër të projektit “Përkrahja në krijimin e lidhjeve shoqërore dhe mbrojtjes së pakicave në Kosovë”. Mendimet dhe qëndrimet e shprehura paraqesin mendimet e vetë autoreve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e redaksisë së KoSSev-it dhe donatorëve.

Më Shumë

Moti sot me diell dhe vranësira

Mot për sot parashihet të jetë me diell dhe vranësira. Gjatë orëve të pasditës dhe mbrëmjes pritet të ketë reshje lokale shiu, të cilat në...

Katër ndeshje interesante këtë vikend në basketbollin vendor

Takime interesante do të ketë ky vikend, përballje të fuqishme në xhiron e 25-të të këtij sezoni. Në kuadër të Prince Caffe Superligë, të shtunën...

Zotërit e fjalës

Lajmet e Fundit