7.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Për anëtarët, simpatizantët dhe ithtarët tjerë të Nismës për Kosovën

Nga Jakup Krasniqi

Fillimi dhe rrugëtimi i Nismës për Kosovën nuk ishte i lehtë. Themeluesit e mbështetësit e saj me parime, besoj që kanë qenë e janë edhe sot të bindur se arsyeja kryesore e kësaj nisme ka qenë e ka mbetur, sjellja e një fryme të re për ndryshim në politikë dhe në qeverisjen e vendit. Dhe kësaj rruge i kemi qëndruar në mënyrën më besnike të mundshme, kuptohet për të gjithë ata që më besnikëri e besim iu kanë qasë këtij projekti të ri politik.

NISMA, ndryshimin e donë dhe e kërkon që të vije nga vullneti i lirë i qytetarëve të Kosovës.

Në rrugëtimin e saj politik dyvjeçar, NISMA në politikën e Kosovës ka lënë gjurmën e saj menjëherë pas zgjedhjeve të qershorit 2014, kur e mori rolin për krijimin e LAN-it e më vonë VLAN-it dhe sollën shpresën e ndryshimit dhe të festimit të anëtarësisë së partive të LAN-it, në rrugët e Prishtinës e të qyteteve të tjera të Kosovës. Ishin kapësit e institucioneve të shtetit që nuk donin t’i lëshonin me asnjë kusht dhe lakmia për kapjen e shtetit, e “kundërshtarit” më të madh politik të PDK-së, LDK-së, e cila pranoj të bëhet pjesë e kapjes së institucioneve të shtetit. Ky ndryshim, për mua i pritshëm i mbeturinave të LKJ-së, që në asnjë kohë nuk e kishin për gjë t’ia shtrijnë qafën më të fortit, në rend të parë e tradhtuan elektoratin e tyre dhe koalicionin pas zgjedhor.

NISMA për Kosovën, në rrethanat e reja e mori një detyrë tjetër, bashkimin e opozitës së mbetur dhe arritëm që për herë të parë në jetën parlamentare të Kosovës të kishim një opozitë të bashkuar. Kjo opozitë e bashkuar i ka edhe rezultatet e saja tepër të prekshme. Fillimisht opozita ishte bashkuar për tu bërë një opozitë e fuqishme e qeverisjes kriminale. Edhe në ketë rast NISMA ka luajtur një rol të rëndësishëm. Kështu ishte deri në sesionin vjeshtor, kur opozita e bashkuar filloj kundërshtimin e fuqishëm të Marrëveshjes në Parim të 25 gushtit 2015 dhe Marrëveshjen e Demarkacionit më Malin e Zi. Me këto marrëveshje cenohej rëndë interesi i kombit dhe i shtetit. Në këto çështje, NISMA edhe sot e kësaj dite, vazhdon të jetë opozitë e fuqishme.

Nuk ka asnjë dyshim, gjatë gjithë bisedimeve për të vazhduar e thelluar marrëveshjen e bashkëpunimit më partitë opozitare, ne kemi qenë për krijimin e një fronti opozitar, ku ruhet identiteti politik, por jo ku humbet identiteti politik. Më në fund, me kërkesën e shumë anëtarëve e të simpatizantëve, Kryesia e Nismës dhe Këshilli Kombëtar i saj, me shumicën e votave, përkatësisht me një, e dy vota kundër, organet e cekura të partisë kanë marr vendimin për të shkuar më AAK-në në koalicion në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Natyrisht, në ketë rrugëtim të ri, u shkëputën dy anëtar të Kryesisë së partisë, duke konsideruar se po bëhej një “tradhti”, e ndonjëri se “kishte humbur 100 mundësi”. Neve nuk na mbetet tjetër vetëm, t’u themi atyre që “kanë humbur 100 mundësi”, që t’i kërkojnë ato. Ne mendojmë ndryshe. Ne mendojmë se shkuarja pas bindjeve tona, pas idealeve tona, pas qëllimeve fisnike për shtet, atdhe e komb, nuk është humbje, përkundrazi është fitore. Ata që u larguan kanë të drejt të mendojnë se ecja pas 100 të humburave për interesa personale, është fitorja e tyre. Rruga e mbarë u qoftë! Ju dëshirojmë fat!

Ne e respektojmë vullnetin e cilitdo që e përqafon programin e NISMËS dhe aderon në te, sikur e respektojmë çdo vullnet të cilitdo që dëshiron të ndjekë një rrugë të re! Zgjedhja është individuale! NISMA për Kosovën nuk do ta ndal askush rrugëtimin e saj socialdemokrat!

NISMA Socialdemokrate për Kosovën, vazhdon të jetë e hapur dhe solidare me çdo progresist e qytetarë që jeton e punon në Republikën e Kosovës!

Progresistë dhe ithtarë të ndryshimit, Mirë se vini në NISMËN Socialdemokrate të Kosovës!

Më Shumë

Lajmet e Fundit