4.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Për protestën e së shtunës

Ilir Mirena

Pavarësisht nga kush organizohet, protesta e së shtunës është hap i vogël në rrugën e gjatë të daljes nga jeta jonë e squllur politike. Protestat asnjëherë nuk e kanë destabilizuar një demokraci. Përkundrazi.

Kjo fundjavë do të jetë e shënuar nga protesta e organizuar prej tri partive opozitare, LVV, AAK dhe “Nisma”. Nga ajo që është parë deri më tani, duket të jetë një protestë që po organizohet mirë.

Do të veçoja kërkesat shumë konkrete të organizatorëve: dorëheqja e ministrit të Drejtësisë Hajredin Kuçit, dorëheqja e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Enver Hasanit, shkarkimi i menaxhmentit të RTK-së dhe i Bordit të ZRRE-së.

Kushdo që ta ketë menduar kësisoj, strategjikisht është një gjetje tejet e mençur. Insistimi opozitar në emra të përveçëm dhe kërkesa të fragmentarizuara i bënë ato më lehtë të realizueshme sesa kryeneçësia në rrëzimin në tërësi të ndonjë institucioni, siç mund të jetë Qeveria.

Vështirë se do të realizohen të katër kërkesat, por realizimi i vetëm njërës prej tyre është triumf për opozitën. Kur ke punë me uzurpatorë kaq të mëdhenj të pushtetit, PDK-së dhe satelitit të saj LDK-së, secila betejë e fituar, sado e vogël, duhet të çmohet. Dhe mundësitë për realizimin e ndonjërës prej kërkesave këtë herë nuk janë të pagjasa.

Protesta mund t’i ketë të gjitha përfundimet e mundshme: të jetë e qetë, pa plotësim të kërkesave dhe qytetarët pas përfundimit të shpërndahen drejt destinacioneve të tyre të fundjavës; të jetë shumë e dhunshme dhe Qeveria mund të plotësojë ndonjërën nga kërkesat e opozitës apo asnjë.

Me lehtësi mund të konstatohet se cilido që të jetë epilogu, fituese do të jetë opozita dhe protestuesit.

Sepse, në qoftë se ajo do të jetë e qetë dhe pa plotësim të kërkesave, të tjera protesta do të kemi shumë shpejt. Nëse rrugët kaplohen nga dhuna, faji do t’i atribuohet Qeverisë si menaxhuese e mjeteve të dhunës. Prapë, nëse Qeveria plotëson ndonjërën nga kërkesat, do të ketë protesta për ato të papërmbushurat.

E, për treshen opozitare qershiza mbi tortë do të jetë në qoftë se pozita ua plotëson të katër kërkesat. Diçka e pamundur tani për tani, veçse kjo do të çelë shtegun për revolta të tjera, që finalen do ta kishin në rrëzimin e Hashim Thaçit dhe të Isa Mustafës.

Sidoqoftë, të gjitha shenjat duken të jenë në favor të opozitës.

Në qoftë se Qeveria nuk e ka pasur të vështirë ta shkarkojë Jabllanoviqin, pse do të duhej ta ketë të vështirë ta flijojë, për shembull Mufail Limanin e RTK-së? Dera e shkarkimeve dhe e dorëzimit para presionit serioz të opozitës dhe të qytetarëve është hapur kur është larguar Jabllanaviqi.

Prej këtej buron shqetësimi për këtë protestë që si asnjëherë më parë e shprehen të dy liderët e partive në pushtet, Mustafa dhe Thaçi.

Në thelb dhe në formë ato ishin deklaratat më bajate të kësaj jave që nxirren nga xhepi sa herë që një abuzues i pushtetit ndodhet në siklet. Flitet për votën e lirë, zgjidhjen e problemeve brenda institucioneve, për prishjen e imazhit të vendit, se pushteti nuk merret me dhunë dhe të tjera përralla që njerëzimi i ka dëgjuar përgjatë historisë politike prej lashtësisë e deri më sot nga goja e ndonjë Putini a Erdogani.

Por, ashtu siç përdoren këto deklarata kallëp prej abuzuesve të pushtetit, po ashtu njerëz shumëfish më të mençur sesa të gjithë keqbërësit politikë përgjatë historisë e kanë legjitimuar të drejtën e rebelimit të qytetarëve kur një pushtet abuzon me demokracinë dhe pasurinë e një populli.

Protestat asnjëherë nuk e kanë destabilizuar një demokraci. Përkundrazi. Përmes tyre dhe të pabindshmërisë qytetare janë realizuar pothuajse të gjitha liritë që e shquajnë një demokraci të sotme liberale. Të imagjinojmë për pak se si do të dukej bota sikur Martin Luther, Oliver Cromwell, George Washington, Mahatma Gandhi apo Martin Luther King, e plot njerëz të tjerë të mëdhenj të kishin provuar të zgjidhnin problemet e kohës së tyre brenda institucioneve.

Prandaj, pavarësisht nga kush organizohet, protestën e së shtunës e shoh si fenomen progresiv për jetën tonë të squllur politike.

Ka të tillë që nuk begenisin që kundër Qeverisë së tanishme të jenë LVV-ja, AAK-ja dhe “Nisma”. Të tillët presin zbritjen e një superpolitikani me grada të larta morale dhe akademike. Le të ëndërrohet për të gjithë ata burra të mëdhenj të politikës botërore, por ndryshimi bëhet duke u përpjekur me ato mjete dhe ata njerëz që janë në dispozicion.

Pikërisht për këtë, personalisht, mbështes protestën e së shtunës. Shumëkush brenda organizatorëve mund të mos më pëlqejë. E, as të mos pajtohem me ta. Por, pajtohem plotësisht me katër kërkesat e tyre.

Mendoj, për qëllime të mira s’kanë fort peshë mjetet që përdoren dhe nga kush përdoren. Pak rëndësi do të ketë a është Ymeri i LVV-së, Haradinaj i AAK-së a Limaj i “Nismës”. Qëllimi i të gjithëve që mendojnë të jetojnë në këtë vend është se duhet të provohet pafundësisht që vendi të nxirret nga plogështia dëshpëruese.

Ndryshe, si do të hiqen nga skena politike ata për të cilët ka pajtueshmëri kolektive se janë fajtorët kryesorë se ku e kanë sjellë shtetin e Kosovës?

Kështu pjesëmarrjen e secilit në këtë protestë, e cila për herë të parë ka kërkesa që lidhen drejtpërsëdrejti me jetën tonë të përditshme, duhet këqyrur si mllef dhe si qëndrim politik kundër atyre që bëjnë politikën e krimit në Kosovë. Dhe, fajtorët kanë emër dhe mbiemër.

Sot, kushdo që synon që ta pensionojë politikisht Hashim Thaçin a Isa Mustafën, këtë mund ta bëjë vetëm përmes angazhimit politik. Angazhim politik mund të jetë edhe pjesëmarrja në protestën e së shtunës. Mund të jetë rrugë e gjatë, por diçka më të shkurtër nuk ka.

Më e shkurtër është vetëm rruga për në Hungari.

Më Shumë

Moti sot me diell dhe shumë i ngrohtë

Të dielën, më 14 prill parashikohet të mbajë mot me diell dhe shumë i ngrohtë. Era do fryjë drejtimesh të ndryshme me shpejtësi prej 6-25...

Kirurgu i Spitalit të Prizrenit, Zgjim Berisha aderon në Vetëvendosje

Kirurgu i Spitalit Regjional të Prizrenit, Dr. Zgjim Berisha ka aderuar në Lëvizjen Vetëvendosje në Prizren. “Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren çdo ditë e...

Lajmet e Fundit