9.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Periferitë e Erdoganit

Erdogani qëmoti ka suspenduar demokracinë. Prandaj del hipokrizi total infantile ulërima e anti-puçistëve që thirreshin në emër të demokracisë. Edhe më keq portretohen propuçistët pasi sipas të gjitha gjasave del që grushtshteti të ishte inskenim i pretendentit për sulltan-perandor. Përtej gjitha këtyre: shoqëritë shqiptare u përballën me një element të fortë dhe agresiv erdoganesk, të cilit duhet t’ia kenë frikën!

AUTOKRACIA – Para disa muajsh Erdogani arrestoi dhjetëra ushtarakë si bërthama e organizimit të një puçi. Gjykata e lartë i liroi si të pafajshëm. Ekspertë të shumtë reputativë perëndimorë qysh atëherë paralajmëruan dramatizimin e gjendjes në vendin bosforik. Alarmin shumica prej tyre e lidhnin me karakterin hakmarrës dhe të vendosur të presidentit Erdogan, në rurgën e vetë për t’i realizuar me çdo kusht synimet e tij. Konkretisht: ai akuzohej se do të ecë edhe mbi kufoma në mësymjen për t’i suspenduar edhe segmentet e fundit sekulare e prodemokratike të vendit. Jo pak nga analizuesit ishin të sigurt se Erdogan pas gjykimeve do të inskenojë drama edhe më të tmerrshme për të bërë spastrimin “definitiv”. A ishte puçi rezultat i kësaj drame të paralajmëruar?

Shumica e ekspertëve perëndimorë dhe disa nga intelektualët e vendit, që gjenden jashtë e thonë këtë duke garantuar. Orhan Pamuk dhe shumica e shkrimtarëve që nuk gojëvriten dot, ka vite që alarmojnë botën për suspendimin e demokracisë, të të drejtave të njeriut dhe lirisë së fjalës. Se këto qëndrojnë nuk ka dilemë; pushteti i Erdogani ka dëshmuar autokracinë e rreptë me vepra konkrete, jo vetëm brenda, por madje duke dashur që edhe jashtë Turqisë të imponojë diktatin.

Puçi – Njohësit e strukturave, aftësive dhe disponimeve brenda ushtrisë turke, sidomos historianët dhe analistët e militarizmit, puçin e konsiderojnë një inskenim fare të dobët dhe patjetër se qenka i organizuar nga ata që nuk marrin vesh gjithaq nga punët ushtarake. Kjo jo vetëm për shkak të dështimit të tij eklatant, por edhe për shkak se qeveria turke të njëjtin ua mveshi atë dy gjeneralëve, Huduti dhe Ozturk, pra dy ushtarakëve legjenda edhe brenda NATO-s, në kuadër të së cilës kanë qenë aktivë si strategë të shkëlqyeshëm dhe komandantë. Specialistët poashtu kundërshtojnë tezën që kësaj radhe të jetë i përzier Fatullah Gülen nga SHBA, pasi ky qenka nën kontrollin e plotë të shërbimeve amerikane dhe për perëndimorët nuk do të përbënte ndonjë ndryshim në Turqi ardhja e Gülen-it, ngase Erdogani vepron me idetë e të parit: «Ripërtëritjen e religjionit nga burimet e islamit tradicional anadollak në favor të nacionalizmit modern turk, tregut të lirë dhe arsimimit të fuqishëm».

Simbolikë e fortë brenda “puçit” konsiderohet edhe plani i Erdoganit që grushtetin ta përmbys nëpërmjet thirrjeve të “ezanit” (jo duke iu drejtuar policisë dhe rezervistëve siç do të bënte çdo shtetar), kështu duke e shpallur krizën si “luftë të fesë kundër jobesimtarëve”, për ta finalizuar atë me konstatimin vetëjustifikues dhe sakralopolitik: “Zoti e deshi puçin”. E kjo do të thotë, nga njëra anë, se autorët e puçit, edhe pse kanë shkaktuar vdekjen e qindra vetave, kanë vepruar me urdhër të Zotit, dhe nga ana tjetër se Zoti, qysh në Kuran, i ka shkruar listat me ato mijëra vetë, të cilët duhet fshirë, që nga nesër e tutje. Deri tashti në këto lista janë 7 mijë gjykatës, punonjës administratash e ushtarakë. Dhe gjeografia e të linçuarve nuk përfundon vetëm në kazerma, por ka mbërrijtur, nëpërmjet Ballkanit e deri në vendet arabe.

SHBA, BE, OKB – Nëse Erdogani me vite suspendon demokracinë drejt një autokracie asgjësuese të të gjitha konventave të ratifikuara, dhe inskenon atentate e puçe, pse Perëndimi në çastet kyçe të “kryengritjes” thotë se gjendet krah paqes dhe zgjedhjes së problemeve me demokraci dhe dialog, me një fjalë e dënoi “puçin”? Për arsye se kishte njohuri për “horror-game”-in e radhës të të sëmurit nga Anadolli, apo për ndonjë arsye tjetër? Specialistët e mediave amerikane dhe gjermane thonë se “mospërzierja” është kryekëput utilitare: Turqia në kaos e pa pushtet do të shpërthente rrugën ballkanike të refugjatëve dhe perëndimi do të mbushej edhe me disa milionë djem të rinj nga Afganistani, Pakistani, Irani, nga edhe vijnë shumica e refugjatëve, e jo nga Siria në luftë. Gjendja, sipas tyre, do të acaronte edhe më shumë Europën dhe për pasojë, shumë kombe tjera do të dilnin kundër BE-së, kurse më e keqja është se ato do të pezullonin konventën e tyre për refugjatë. “Perëndimi ruan veten edhe kur vdesin miliona, e lere më disa qindra turq”, thotë një analist italian.

Erdogani i di të gjitha këto. Në këtë periudhë ai ka gjetur “momentumin” e tij më të volitshëm për t’i shtyrë edhe më parpara aksionet personale, sado makabre e të ferrshme të jenë ato.

Megjithatë plani i tij nuk do të kalojë.

Erdogani do ta kishte lehtë nëse Perëndimi do të ishte po aq në kontroll të shefave të shteteve, siç pretendon edhe vetë. Gabim. Që sot BE ka filluar të dërgojë protesta kundër ç’instalimit të shtetit të së drejtës dhe se dënimi me vdekje, edhe kur arsyetohet në “emër të Zotit”, nuk mund të pranohet. Për më shumë duket sikur perëndimorët kanë shpresuar se Erdogani nuk do të tërbohet kaq keq e egër, sa të mbys edhe njerëz rrugëve për të çmontuar demokracinë dhe laicitetin. Edhe pse aleancat e tij të reja me Putinin dhe Asadin, dhe të tjerët e klubit të tiranëve, ka kohë që kanë ndezur laboratorët e shërbimeve të shteteve perëndimore.

Situata do të ndryshojë, jo se duan perëndimorëtj porse një Turqi e sheriatitj me një diktator kaq të paparashikueshëm dhe mizorj del shumë më e rrezikshëm se çdo Turqi tjetërfare.

PERIFERIA – Në gjumë ishin perëndimorët por jo edhe periferia e sulltanatit. Në zgrip u gjendën vetëm ata që ka vite që thithin donacione herë nga “TIKA e Diyaneti” e herë nga “Hizmeti”. Plot shoqata e individë nga Shqipëria, Maqedonia e Kosova ka vite që thithin donacione nga të dyja palët, duke u bërë herë pro njërës, e herë pro tjetrës.

Mirëpo, në rrjetet sociale u shquan dy taborre madhore: ata që tifozëronin me puçin dhe tjerët që mbronin “demokracinë” dhe Erdoganin. Gjersa të parët reagonin me emocione, duke shkaktuar reaksionin e egër të rrymës proerdogançe, të dytët (një grup emrash tashmë të veçuar) vepronin edhe më profesionalisht se ambasadat dhe vetë Erdogani në “Facetime”, duke mbrojtur “institucionet e zgjedhura demokratike dhe Erdoganin”. Nga seria e statuseve, intensiteti dhe linja, proerdoganistët manifestuan bindje të plotë se çka do të ndodhë në fund, dhe se “erdoganizmi” do ta përmbys “kemalizmin”. Një propagandë të atillë (për nga konsistenca, kualiteti, disponimi me informata dhe paralajmërimi i rezultateve) mund ta bëjnë në rrjetet sociale dhe mediat tjera vetëm agjentët e mirinformuar të shërbimeve sekrete, pra të llojit që janë pjesë e operacioneve. Por ky është elementi më pak shqetësues: Se paska agjentë shërbimi turk në Maqedoni, Shqipëri, Kosovë nuk është asgjë e re, madje përmasat thuhet të mbërrijnë edhe pozita të larta pushtetore. Shqetësues doli fakti se këta të paguar dhe profesionistë të shërbimeve turke, disponojnë jo me një masë prej 1 për qind të komunitetit turk, që do të ishte e natyrshme për shkak të investimeve turke aty, por me masa marramendëse që kërkonin bileta të nisen për luftë. Brenda kësaj kategorie grupin më të madh nuk e përbënin patjetër fundamentalistët islamikë, por aktivistët me motive politike që donin ta shpëtonin babën nga ushtria e tij. Pra ata tregoheshin të gatshëm të shkojnë të luftojnë në një shtet të huaj kundër një ushtrie të huaj, në emër të çkahit? Demokracisë, Islamit të rrezikuar? Nga kush? Dhe ç’kërkon shqiptari atje? Sa më shumë të studiojmë motivet e kësaj mase kaq të egër e luftarake, aq më shumë shpalosen konturet e dështimit të shteteve shqiptare karshi ndikimit të politikës së Erdoganit në këto vende? E pse është e nevojshme kjo për Erdoganin dhe shtetin turk: të ketë edhe në shtetet shqiptare njerëz, masë kaq të madhe njerëzish që janë të gatshëm të vrasin edhe të vetin për ta mbrojtur Turqinë? Përgjigjen në psenë e kësaj pyetjeje duhet ta japin ata që nuk kanë pushtet në asnjë formë mbi këtë segment aq të populluar të shoqërive shqiptare.

KONSTATIME – Turqia është drejt shembjes. Kështu siç e bën Erdogani nuk do të mbijetojë. Ajo s’ka rrugë tjetër që një ditë të afërme të nis rrugën drejt rigjenerimit drejtë riinstalimit të demokracisë. Nëse jo ushtria, asaj nuk do t’i lënë gjumë të qetë miliona kurdët dhe gjithë tjerët e shtypur, fyer e të rrahur përditë gjithandej. Nuk ka perandori në botë që ka triumfuar mbi viktimat e saja. Për botën përtej Bosforit, vendi është tepër strategjik dhe i vyeshëm si mburojë karshi epidemive refraktare dhe të rrezikshme që kanë përlarë vendet arabe dhe të Azisë, në rrugën drejt konsolidimit të tyre. Europa dhe SHBA që nga rilidhjet e Erdoganit me Putinin, kanë nisur të ziejne strategji tjera si të sillet me të sëmurin e radhës. Dhe nesër kur të bien nga pushteti erdoganistët, në periferi, lotët do t’i marrin me vete edhe falangat e fundit, atëherë shumica absolute do të bëjnë si Pjetri që mohonte Krishtin në kryq ta ketë njohur ndonjëherë. Kështu janë njerëzit profiterë dhe pa ideal në shpirt dhe që kërkojnë identitetin sa më larg vetes! Ndërsa pushtetet shqiptare duhet të analizojnë mirë se pse kaq shumë qytetarë të tyre e gjejnë veten pro tiranive e ushtrive të huaja, sidomos atyre terroriste e kundërnjerëzore!

Më Shumë

Ekspozita fotografike/ Transformimi i Hamamit të Gazi Mehmed Pashës në Prizren

Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, Samir Hoxha, ka ftuar të gjithë që të vizitojnë Hamamin e Gazi Mehmed Pashës. “Ejani dhe...

Milani përgatit kontratën e re për Theo Hernandez

Gjigantët e Serie A, Milan-i po mendojnë të rinovojnë kontratën e Theo Hernandez, ndërsa interesi i Bayern Munich rritet më shumë. Sipas një raporti nga...

Lajmet e Fundit