10.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Plaçkitja madhështore evropiane e Gjermanisë

Shkruajnë ADAM TOOZE dhe SHAHIN VALLEE

Evropa duhet të bjerë dakord që të shkojë përpara së bashku, ose të rrezikojë të ndahet

Dy ‘mantra’ udhëheqin të menduarit gjerman rreth integrimit të eurozonës: përgjegjësitë dhe kontrolli duhet të renditen (pra, pa ndarje të rrezikut, pa pasur një juridiksion të përbashkët); dhe çështjet e trashëgimisë duhet të zgjidhen para se të ndodhë ndonjë grumbullim i rreziqeve në mesin e vendeve të eurozonës. Që nga viti 2010, këto dy refrene e kanë formësuar tërë diskutimin rreth mbështetjes së euros dhe, ato në një masë të madhe janë përgjegjëse për progresin ‘anemik’ që është bërë në krijimin e unionit bankar evropian. Gjermania është e gatshme për një të ardhme të përbashkët, thonë liderët e saj, por vetëm nëse Evropa niset nga një gjendje ‘e pastër’. Në shikim të parë, ky propozim duket mjaft i arsyeshëm. Por, për t’i kuptuar implikimet e tij të plota, provoni të zbatoni logjikën e njëjtë në një fushë tjetër të politikave: siguri dhe mbrojtja. Po, sikur Franca të zbatonte qasjen e Gjermanisë ndaj integrimit të eurozonës në çështjen e ndërsjellë të angazhimeve të mbrojtjes? Po sikur francezët të këmbëngulnin, si një parakusht absolut për bashkëpunim të mëtejshëm të sigurisë, që Gjermania jo vetëm të rriste buxhetin e saj të mbrojtjes menjëherë, por gjithashtu të vepronte në akumulimin e mbetur të shpenzimeve të mbrojtjes nga dekadat e fundit?

Reduktimet në forcat e armatosura të Gjermanisë

Gjermania nuk ka qenë gjithmonë përfituese nga shpenzimet e mbrojtjes të të tjerëve. Gjermania Perëndimore ishte një lojtar i besueshëm në sistemin e Luftës së Ftohtë të NATO-s për ndarjen e barrës, derisa Bundesveri në vitet 1980 ishte një forcë e aftë. Për më mirë ose më keq, ai qëndronte në traditën e ushtrive gjermane që nga kohët perandorake. Shërbimi kombë- tar ishte norma. Shpenzimet e mbrojtjes përbënin 3% të GDP-së. Pastaj erdhi rënia e Murit të Berlinit më 1989. Gjermania përqafoi dividendin e paqes me një hakmarrje.Reduktimet në forcat e armatosura të Gjermanisë dhe mohimi i armëve të shkatërrimit në masë u shkruan në traktatet që ribashkuan Gjermaninë. Por, demilitarizimi gjithashtu pasqyroi ndërrime shoqërore. Diçka në kulturën politike të Republikës Federale kishte ndryshuar.

Gjithnjë e më shumë të rinj zgjidhnin shërbimin civil ndaj atij ushtarak. Në vitin 2011, rekrutimi u pezullua. Si një çështje praktike, ky vendim ndoshta duhet të ketë ardhur më shpejt. Ushtarakët më të mirë të sotëm janë profesionistë, jo të rekrutuar. Por, në Gjermani, asnjë imazh pozitiv i rolit të ri të Bundesverit nuk u shfaq nga fundi i modelit të Luftës së Ftohtë. Morali dhe kapaciteti funksional u shembën së bashku me shpenzimet. Në takimet e njëpasnjëshme të NATO-s, Gjermania angazhohej të shpenzonte 2% të GDP-së së saj në mbrojtje, por kjo asnjëherë nuk u realizua. Shpenzimet u ulën në drejtim të 1% të GDP-së, ku shumica e buxhetit shkonte për rroga dhe pensione. Të dhënat e fundit të NATO-s tregojnë se shpenzimet gjermane në pajisjet e mbrojtjes dhe në kërkimin dhe zhvillimin ushtarak, ishin vetëm 0.17% të GDP-së në vitin 2017, krahasuar me 0.42% në Francë dhe 0.47% në Britani të Madhe. mMungesa e investimeve ushtarake të Gjermanisë ka krijuar një hendek të frikshëm midis kapacitetit të saj mbrojtës dhe atij të Evropës. Vetëm një pjesë e armëve dhe mjeteve ushtarake të Gjermanisë janë funksionale. Në kufirin lindor të Evropës, vetëm një nga 44 tanket e premtuara për njësinë e Bundesverit, që supozohet të ankorojë forcën e reagimit të shpejtë të NATO-s prej 5000 trupave në vendet baltike vitin e ardhshëm, është i përshtatshëm për përdorim. Njësisë gjithashtu i mungojnë pajisjet e tjera thelbësore për misionin, siç janë tendat, veshjet e dimrit, pajisjet e shikimit të natës dhe pajisjet e blinduara. Për majtën gjermane, e cila kundërshton përdorimin e fuqisë fizike, nuk ka arsye për t’u ankuar për këtë mungesë të burimeve. Por, shqetësimi i Bundesverit gjithashtu pamundëson Gjermaninë për ta ushtruar pushtetin ‘e butë’.

Në vitin 2014, ekipi humanitar i Gjermanisë për të ofruar ndihmë për Liberinë e goditur nga Ebola u bllokua në Ishujt Kanarine. Anijet e mëdha të furnizimit të Marinës Gjermane – ato më të dobishme për operacionet e shpëtimit të refugjatëve në Mesdhe – do të jenë jashtë përdorimit për 18 muaj, për shkak të mungesës së pjesëve rezervë. Nëse armët e Bundesverit nuk funksionojnë, fregatat e saj janë në të thatë dhe kapaciteti i saj logjistik është zero; cilat zotime të tjera mund të marrin përsipër tatimpaguesit francez? Duke rënë dakord, vit pas viti, për ndarjen e kostove të mbrojtjes, çfarë lloj nxitjeje Franca i ofron Gjermanisë, që të ndërmarrë reforma? Nëse francezët do të aplikonin një rregull të thjeshtë shpenzimi, ata do të zbulonin se që nga viti 1990 ata kishin shpenzuar gjithsej 30% të GDP-së më shumë sesa Gjermania në mbrojtje. Nëse ajo për të cilën gjermanët janë më të interesuar është parandalimi bërthamor i Francës, shpenzimet për të njëjtën periudhë kapin përafërsisht vlerën prej 4.5 – 5% të GDP-së franceze.

Pozicionet fillestare

Pra, çështjet e trashëgimisë janë të konsiderueshme. Për më tepër, duke pasur parasysh zakonet postushtarake të rrënjosura në Gjermani, duhet të pritet një kthim prapa. Çfarë mundet presidenti francez Emmanuel Macron për të bërë me buxhetin gjerman, të publikuar më parë këtë muaj, që tregon një rritje margjinale në shpenzimet e mbrojtjes, por jo të mjaftueshme për të përmbushur objektivin e NATO-s, e lëre më të mbyllë deficitet e kaluara? Kancelarja gjermane Angela Merkel nuk do të duket si një partner i besueshëm i sigurisë, por a do të thotë kjo se Franca duhet të vazhdojë deri sa Gjermania të ketë vepruar në lidhje me borxhin e trashëguar të mbrojtjes, para se të marrë parasysh investimet e mbrojtjes dhe ndarjen e ndërsjellë të shpenzimeve në Evropë? Nevoja e Evropës për të zhvilluar një strategji të sigurisë së shekullit njëzet e një është urgjente, jo vetëm për shkak se Amerika e Donald Trumpit nuk është e besueshme, por edhe për shkak se emergjencat humanitare e kërkojnë atë.

Duhet të zhvillojë një kulturë të përbashkët dhe të ndërtojë qeverisje demokratike për të vendosur rreth përdorimit të forcave të saj mbrojtëse. Kjo do të përfshijë rregullime të thella kulturore dhe politike në të gjitha anët. Duhet të debatohet si për adetin e Gjermanisë për përfituar nga të tjerët, ashtu edhe për tendencën e Francës për prirjen ndaj ‘plaçkitjeve’ postkolonialiste. Këto çështje janë në qendër të zhvillimit të një sovraniteti evropian, të mbështetur nga institucionet demokratike dhe proceset vendimmarrëse që mundësojnë përdorimin e përbashkët të forcës. Por, Evropa nuk mund të fillojë nga ndonjë ‘tabula rasa’ imagjinare. Duhet të fillojë nga vendi ku historia e ka sjellë atë. ‘Quid pro quo’-ja, të cilën Franca duhet ta kërkojë për bashkëpunim në politikën e sigurisë, është që Gjermania ta njohë të njëjtin realitet në lidhje me politikën ekonomike. Edhe këtu, e kaluara duhet të merret si e dhënë. Pozicionet fillestare janë të pabarabarta dhe strukturat nxitëse janë të papërsosura. Por, Evropa duhet të bjerë dakord që të shkojë përpara së bashku, ose të rrezikojë të ndahet.

(Adam Tooze është profesor i historisë në Universitetin “Columbia”) (Shahin Vallee është ekonomist i dalluar në Menaxhmentin e fondit “Soros”)

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta “Kosova Sot”

Më Shumë

Kurti përkujton masakrën nga forcat serbe në Suharekë dhe Krushë të Madhe e të Vogël

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka shkruar sot në 25-vjetorin e masakrës nga forcat serbe në Suharekë dhe Krushë të Madhe e të Vogël,...

Latifi në Kavajë mbjell pemën e miqësisë në emër të Komunës së Rahovecit (FOTO)

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, njofton se me ftesë të kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Fisnik Qosja, bashkë me kryetarët e komunave...

Lajmet e Fundit