9.8 C
Prizren
E martë, 23 Prill, 2024

A po ju vjen marre?

Imer MushkolajShkruan:Imer Mushkolaj

Duke u thirrur në vullnetin e popullit, deputetët po e pengojnë jetësimin e këtij vullneti. Ata nuk e kanë hallin e qytetarëve, por të interesave personale e partiake. Atyre duhet t’iu vijë turp që po e mbajnë peng një shtet të tërë, një popull të tërë
Ka gati katër muaj që thonë se po përpiqen ta jetësojnë vullnetin e qytetarëve, por nuk po bëjnë gjë tjetër veçse po e shkelin atë vullnet dhe po i fyejnë të gjithë. Deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët tash tre muaj marrin rroga të majme pa bërë asgjë, po tregohen të paaftë që t’i përfaqësojnë interesat e ayre që i kanë zgjedhur, duke u bërë kështu pjesë e cirkut politik që po vazhdon të luhet në kurriz të qytetarëve.

Për gati katër muaj këta të zgjedhur të popullit dhe udhëheqësit e partive politike pa pikë turpi vazhdojnë të luajnë një lojë të ndytë, me qëllim të jetësimit të interesave dhe agjendave të veta. Për gati katër muaj ata kanë bllokuar çdo gjë në këtë vend të mjerë, pa ndjerë as përgjegjësinë më të vogël për gjithë situatën e krijuar nga kapriçot e tyre dhe dëshirat e sëmura për pushtet. Nga njëra palë për ta mbajtur pushtetin dhe nga pala tjetër për ta marrë atë.

Për gati katër muaj qytetarët nuk dëgjojnë as shohin gjë tjetër veç takimeve shterpe e bajate të bllokut opozitar dhe deklaratave se atyre iu takon e drejta e krijimit të institucioneve, ose takimeve po ashtu të kota të partisë që ka fituar më së shumti vota në zgjedhje dhe insiston se ajo e ka këtë të drejtë. Që të dy palët thirren në vullnetin e qytetarëve – në po atë vullnet të cilin, për shkak të paaftësisë së tyre, nuk po ia dalin ta jetësojnë. Ose, thënë më saktë, nuk po duan ta jetësojnë.

* * *

E barrikaduar pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese që ia njeh të drejtën e nominimit të të parit të Kuvendit, PDK po vazhdon të insistojë në të, pavarësisht se nuk i ka numrat e nevojshëm.

Të barrikaduar pas marrëveshjes së nënshkruar për krijimin e institucioneve, blloku LAN dhe Lëvizja Vetëvendosje vazhdojnë të insistojnë se këtë të drejtë e kanë ata, ngase përfaqësojnë shumicën parlamentare dhe presin rastin ta dëshmojnë atë. Por, këtë rast nuk po ua ofron PDK’ja, që nëpërmjet kryesueses Flora Brovina mbyll dyert e Kuvendit sa herë dëshiron.

Kështu, VLAN’it i mbetet vetëm të presë, pasi që nuk dëshiron të rrezikojë edhe njëherë, që të provojë zgjdhjen e Isa Mustafës kryetar.

Në këtë situatë dëshpëruese për të dyja palët, asnjëra nuk po e bën hapin e parë për të çelur rrugë. Dhe, a e dini cili është arsyetimi? Thonë se po vepruan ashtu, po shkelkan vullnetin e qytetarëve. Ndërkohë që janë vetë ata që po mbajnë të bllokuar një shtet të tërë, janë vetë ata që po e mbajnë peng jetësimin e vullnetit të qytetarëve. Nëse do t’u bënte aq shumë për qytetarët, do të gjenin zgjidhje.

Deputetët nuk janë në gjendje të konstituojnë Kuvendin, partitë politike nuk janë në gjendje t’i ndërtojnë institucionet. Ata janë dështakë dhe nuk e meritojnë mirëkuptimin tonë.

* * *

Kushdo që bën hapin e parë drejt zgjidhjes së krizës institucionale, do të humb diçka nga dëshirat dhe synimet e veta, nga interesat e veta. Por, të paktën diçka do të fitojnë qytetarët, të cilët nuk mund të tolerojnë pafundësisht papërgjegjësinë e arrogancën e atyre që i kanë votuar ose të atyre që kanë refuzuar t’ua japin votën.

Nuk ka kurrfarë logjike që kriza të vazhdojë edhe më tej, kur zgjidhja e saj varet nga vullneti i deputetëve dhe partive politike. Nuk ka kurrfarë arsye që të vazhdojë edhe më tej agonia e krijimit të institucioneve, kur zgjidhja mund të gjendet në Kuvend. Veç duhet komunikim, duhet dialog.

Janë të kota takimet që mbahen sa për kurtoazi në zyrën e presidentes, takime që veç konfirmojnë qëndrimet e betonuara të blloqeve politike. E nevojshme është që presidentja të krijojë një tryezë politike, në të cilën duhet përfshirë të gjitha partitë parlamentare, që do të debatonin mes vete për gjetjen e një zgjidhjeje. Tekefundit, presidentja e ka për detyrë që të sigurojë funksionimin kushteues të institucioneve dhe asaj i takon që t’i mbledh për të diskutuar ata që po bllokojnë dhe pamundësojnë një gjë të tillë.

Me veprimet e tyre të papërgjegjshme, ata po rrezikojnë funksionimin e institucioneve, funksionimin e shtetit – duke bërë që jeta e qytetarëve të vështirësohet edhe më tej.

Këtë situatë të pashpresë nuk e zgjidhin as mbledhitë e deputetëve të VLAN’it si ajo e të enjtes në Kuvend, që mbahet veç për të shprehur pakënaqësinë me shtyrjen e seancës. Po të ishte aq e lehtë gjetja e zgjidhjes, ata do bënin një gjë të tillë aty.

Andaj, për të mos na fyer më inteligjencën, deputetët duhet të gjejnë shpejt një zgjidhje ose të pranojnë dështimin. Sa për marre, duket se nuk e dinë çfarë është ajo. /express/

Më Shumë

Lajmet e Fundit