5.8 C
Prizren
E martë, 19 Mars, 2024

Po ti ku ishe, Mehmet Kraja?!

SALI BYTYÇI

Pasi z. Mehmet Kraja po thotë që ka plagjiaturë në Akademi dhe unë po ia dokumentoj këtë plagjiaturë, është mirë që mos kjo të ngelet vetëm në fjalë, por të fillojë procedura e dhënies së përgjegjësisë. Peshku qelbet nga koka, nga koka të fillojë edhe pastrimi! Akademia të bëjë një gjest, i cili njerëzve do t’i kthente besimin se, megjithatë, jetohet në këtë vend dhe që shpresa po kthehet!

Çdokush që sot e lexon shkrimin e Mehmet Krajës në “Express”, “Ku ishe ti, Adam?”, nuk mund t’i ikë emocioneve. Edhe mua më përfshinë emocione, të forta, të ngjashme me ato të kohës kur UÇK-ja doli hapur… Pastaj, dihet çfarë ndodhi.

Po çfarë do të ndodhë me këtë dalje “hapur” të Mehmet Krajës?! Për mendimin tim, asgjë! Njerëzit do të flasin fjalë miradije, kaq. Askujt prej atyre që i përmend në shkrimin e tij z. Kraja, nuk do t’i mungojë një qime. Po edhe diçka: Mos z. Kraja këtë shkrim e bëri vetëm për t’u arsyetuar: Ja, Akademia e thotë fjalën e duhur në kohë të duhur, ndaj edhe mileti duhet të jenë të relaksuar me të?!

Edhe kjo ka mundësi të jetë e vërtetë.

Po, ndërsa ti e thërret Adamin, një qenie që mund të jetë Të Gjithë Ne ose Askushi, edhe unë i jap vetes të drejtë të bëjë pyetje: Po ti ku ishe, Mehmet Kraja?! A mos je paksa i vonuar në denoncimin e këtij degradimi?!

Nëse nuk mund të jesh përgjegjës për krejt të këqijat e Kosovës, për të këqijat në Akademi nuk mund t’i ikësh përgjegjësisë.

Në vend që Akademia e Shkencave të jetë shembull i së mirës në vendin tonë, është katandisur njëjtë, nëse jo më keq, si të gjitha institucionet tjera të Kosovës, gjë që në këtë shkrim e pranoni edhe vetë ju, Mehmet Kraja!!!

Këtë vit bëhen 10 vjet nga koha kur kam shkruar për plagjiaturën në Akademi, dhe jo vetëm për plagjiaturën, por edhe për skandalet që kanë ndodhur herë pas here aty, nga pranimi i njerëzve pa kurrfarë kriteresh e deri te botimet korruptive dhe “projektet enciklopedike”, në të cilat vend të veçantë do të kenë jo vetëm anëtarët e familjeve tuaja, djemtë e vajzat, po edhe vjehrrit dhe baxhanakeshat tuaja!

Nga ajo kohë, 10 vjet, më ka ngelur në mendje edhe një kujtim i paharrueshëm.

Ishte fundi i vitit 2005. Nuk e di saktë që atë mbrëmje apo ditën e nesërme, do të publikoheshin në Tiranë emrat e atyre që do të merrnin çmime të ndryshme letrare, në mesin e të cilave edhe Pendën e Argjendtë, kur Universiteti AAB po ndante disa çmime për vepra letrare për këtë vit. Atë kohë punoja në gazetën e përditshme “Lajm” dhe, së bashku me Ibrahim Rexhepin, që ishte kryeredaktor, dhe disa të tjerë, shkuam për të marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve. Gjatë rrugës, Ibrahimi më tha se, nëse Sabri Hamiti do të merrte Pendën e Argjendtë, ashtu si flitej, unë të mbahesha, pasi e paskësha akuzuar pa të drejtë! Unë i thashë që s’është problem… Kur arritëm te godinat e Universitetit AAB, takuam edhe Mehmet Krajën, i cili kishte konkurruar në Tiranë për çmim, të cilin unë direkt e pyeta: “Vërtet Pendën e Argjendtë po e merr Plagjiatori” (ishte fjala për Sabri Hamitin), ai m’u përgjigj shkurt: “Plagjiatori po e merr!”

Në vazhdim, po jap shkrimin tim, të përgatitur për botim në gazetën “Lajm”, në fund të vitit 2005, pasi Sabri Hamiti mori Pendën e Argjendtë në Tiranë për librin “Tematologjia”, për të cilin unë më 1 maj 2005 kisha bërë një shkrim në të cilin, me fakte, pata ardhur në përfundim se libri i tij është plagjiaturë. Në këtë kohë, Mehmet Kraja ishte redaktor i shtojcës së kulturës në gazetën “Koha ditore”, në të cilën, për çdo javë trajtonte nga një temë që ishte më aktuale në kulturën tonë. Aktualitet i javës, po edhe i vitit, ishte marrja e Pendës së Argjendtë nga Sabri Hamiti, por Mehmet Kraja, në vend që ta problematizonte legjitimimin e plagjiaturës nga Tirana, botoi një shkrim për Teodor Shkodranin (nuk e di i sati shkrim i tij për Teodor Shkodranin ishte ky!!!), në kontekstin: pse na kishin kaq inat intelektualët nga Shqipëria që e kishim zbuluar ne? E dëngla të ngjashme.

Ndërsa unë, edhe pse shkrova për këtë skandal që ndodhi në Tiranë, shkrimin nuk e botova, po e ruajta deri sot. Ndërkaq, vazhdova të shkruajë edhe më tej për plagjiaturat, po edhe për skandalet jo vetëm në Akademi. Në vitin që shkoi, disa nga shkrimet i mblodha dhe i botova në shtëpinë botuese “Onufri” të Tiranës, me titull “Hamitologji”, me ç’rast disa kopje ia dorëzova edhe Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Pasi z. Mehmet Kraja po thotë që ka plagjiaturë në Akademi dhe unë po ia dokumentoj këtë plagjiaturë, është mirë që mos kjo të ngelet vetëm në fjalë, por të fillojë procedura e dhënies së përgjegjësisë. Peshku qelbet nga koka, nga koka të fillojë edhe pastrimi! Akademia të bëjë një gjest, i cili njerëzve do t’i kthente besimin se, megjithatë, jetohet në këtë vend dhe që shpresa po kthehet!

Shënim: Teksti i selektuar është shkrimi që pata përgatitur për botim në fund të vitit 2005:
Teodor Shkodrani i Mehmet Krajës – etika kulturore që po na mungon
SALI BYTYÇI
Nuk kisha ndërmend të merrem më me “Tematologjinë” e Sabri Hamitit. Sa i përket këtij libri, unë e kam thënë mendimin tim dhe tani më nuk dua ta përsëris. Prita më shumë se një muaj, pasi libri i tij e mori Pendën e Argjendtë dhe këtu nuk e tha kush një fjalë rreth tij. Ndërkaq, “Teodor Shkodrani” i Mehmet Krajës më nxiti që së paku t’i them dy fjalë.

Kujt iu desh pikërisht në këtë kohë Teodor Shkodrani? Në fund të fundit, çfarë kuptimi ka të merresh sot me të, kur në kulturën shqiptare u legalizua plagjiatura? Bile, çka është më interesante plagjiatura, përveç që u legjitimua, ajo edhe u shpërblye me Pendën e Argjendtë, në Tiranë (në dheun e të ashtuquajturave shqipe, ndërsa Konica do të thoshte të zulluve)! Në këtë kontekst, çfarë rëndësie ka zbulimi nëse ka ekzistuar Teodor Shkodrani treqind vjet para Buzukut, treqind vjet pas tij, apo nuk ka ekzistuar fare? Me legjitimimin e plagjiaturës, gjejmë ndonjë libër të lashtësisë (greke, latine apo edhe sumero-babilonase), e botojmë si vepër origjinale iliro-shqiptare dhe e nxjerrim shkrimin e shqipes si të njëkohshëm me shkrimin antik ose si paraprijës të tij!

Edhe dy fjalë juve të Tiranës: Plagjiaturat po i shpërbleni me çmime kombëtare, gazetarët e rëndomtë po i pranoni në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, po shkruani për pak para recensione e parathënie librash të pavlera që po botohen në Kosovë, pa i lexuar fare! E gjithë kjo po ndodh në kohën e internetit!

Shkrimi im për “Tematologjinë” është botuar edhe në gazetat tuaja, po është edhe në internet! Komisioni që e ka ndarë këtë çmim së paku një herë e ka lexuar, ndaj edhe thënia e Krishtit: “O, Zot, fali se nuk dinë ç’bëjnë”, është e pavlershme në këtë rast.

Me shkrimet e mia kritike kam bërë përpjekje që së paku të gjuaj ndonjë guralec në moçalin kulturor të Kosovës, në të cilin janë kredhur plot qenie parazite. Megjithatë, përveç ndonjë gudulisjeje, jam i vetëdijshëm se këtyre qenieve nuk kam arritur t’u shkaktoj asgjë tjetër, sepse janë futur aq thellë në dhjamin e grumbulluar në kohën e komunizmit, si dhe në llumin e anarkisë pas rënies së tij, sa që guralecët e mi nuk kanë arritur t’ua prishin qetësinë kënetore fare…

Pasi e lexova shkrimin e Mehmet Krajës, të botuar së pari në Tiranë e pastaj edhe në Prishtinë, në gazetën që pretendon të jetë opozitare “Koha ditore”), së paku ngase është pronë e një udhëheqësi të opozitës, por kur është fjala për gjëra “delikate” që i ndodhin pozitës hesht, më shkoi mendja se edhe për “Tematologjinë” Kraja do të shkruajë pas pesë-gjashtë vjetësh, kuptohet nëse autori i saj bie nga pushteti! Por me shkrimin që bëri një javë më vonë për “Reumatologjinë”, e kuptova mirë se “Tematologjia” për të është tabu temë. Ndërkaq sa u përket temave tabu, më mirë se ata që janë rritur e “janë rritur” në komunizëm, që lirisht mund të themi se janë edhe produkte të tij, askush tjetër nuk ua di biblën e tyre…

Shoqëria shqiptare, andej e këndej kufirit, ka nevojë para së gjithash për pak etikë, sepse etika është sikur ajo luga e kripës pa të cilën gjella, pa marrë parasysh se çfarë përmban, nuk hahet! Dhe lutjes së personazheve të Migjenit: “O Zot, bukën tonë të përditshme falna sot”, t’ia bëjmë një korrigjim: “O Zot, etikën tonë të përditshme falna sot”. Kjo vlen sidomos për shtresën e ashtuquajtur intelektuale, e cila sot më shumë se kurrë është e zhveshur nga etika, edhe atëherë kur posedon me pak dije; shtresë që e humbi çdo kufi në mes të asaj që është etike dhe asaj që nuk është etike!

Bile edhe këto fjalë që po i shkruaj, e di mirë se po i shkruaj kot…., se Sabri Hamiti sa herë që ka nevojë, plagjiaton, ndërsa këtu, përveç pëshpërimave të një pjese të opinionit, satelitët e tij shkruajnë panegjirike në gazeta e libra për të pa iu trembur syri fare… Të tjerët heshtin.

Më Shumë

Vdes ish-gazetari dhe zyrtari i MPJ-së, Arben Rugova

Ka vdekur dje, ish-gazetari dhe zyrtari i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Arben Rugova. Për vdekjen e tij ka njoftuar familjari Ragip Rugova.  Ai do...

“Qysh nuk po iu vjen marre”: Bylbyl Sokoli “shpërthen” ndaj Rahman Kices të Lirisë së Prizrenit

Presidenti i Lirisë, Rahman Kice, është inkuadruar direkt në emisionin 'Dueli Sportiv' në TV Dukagjini dhe ka debatuar me trajnerin, Bylbyl Sokoli Sokoli ka thënë...

Lajmet e Fundit