11.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Politika si paradoks

opinion 23Besnik Bedollari

Populli shqiptar, një nga popujt më të lashtë në historinë e Ballkanit, vjen me një histori të larmishme dhe me shumë sfida të mëdha, herë-herë dhe të jashtëzakonshme, duke shënuar udhëtimin më të gjatë dhe plot kthesa në misteret e fatit të vet. Studimet albanologjike të gjuhës flasin për një komb shumë të lashtë, që jetonte pranë brigjeve bregdetare, të quajtur populli i dakëve, shumë afër me popullin rumun të atyre viteve. Për të zbritur më pas te pellazgët, ilirët dhe deri te emri shqiptarë. Por çuditërisht, fatet e politikës shqiptare përplasen në mënyrë paradoksale. “Një komb, një gjuhë”, janë shprehur rilindësit tanë dhe gjuha qëndroi simbol i pathyer asimilimi, ndërsa si komb, shqiptarët sot ndihen të ndarë në kufij, shkak i sulmeve dhe copëtimeve të pushtuesve të huaj.

Le të dalim në konkluzionin, se a bie përgjegjësia mbi supet e vetë shqiptarëve në ekzistencën si një komb i pandarë? Faktet flasin fatkeqësisht për një po. Le ta nisim me fiset ilire. Pozita gjeografike e tyre shtrihej pothuaj nga brigjet kroate deri në ato greke. Fatkeqësi e madhe për një komb. Por fatkeqësia më e madhe dhe për ironi të fatit qëndron bashkëjetesa politike midis vet shqiptarëve. Ëndrra e shqiptarëve për një etni dhe kufi, duket sa reale aq dhe absurde. Absurditeti qëndron mes vet shqiptarëve, të cilët ngasin një politikë paksa të verbër dhe larg qasjes së një familje evropiane, ku duam të bashkohemi së shpejti. Kjo kërkon sakrifica dhe punë. Por si mund të kuptojnë europianët kur shqiptarët nuk kuptojnë dot njëri-tjetrin?! Politika shqiptare mbrapsht, ku në këto pesë kombe të ndara nuk shohim paqe. Ndoshta fati i ka bekuar të luftojnë midis tyre.

Kaq e trazuar dhe gri është situata në Maqedoni, ku shqiptarët atje e kanë shansin t’i shtrëngojnë rripin politikës maqedonase për më shumë të drejta. Dhe për fatin e keq, me kokë të ndara i çojnë ujin në mulli Gruevskit, ku për shqiptarët po dobësohet përfaqësimi si një komb i dytë për nga popullsia.

Presheva, Mali i Zi, Kosova dhe vet Shqipëria, nuk gjejnë një konsensus politik që të luftojë vetëm për të mirën e popullit dhe kombit, duke lënë një shije të hidhur para ndërkombëtarëve dhe dashamirësve ndaj çështjes shqiptare në tërësi. Në Preshevë shqiptarët i gjen në shumë parti dhe ide, po kështu, në Malin e Zi vetëm për Ulqinin kandiduan shtatë parti. Në Kosovë udhëheqësit politikë grinden për pushtet, ndërsa në Shqipëri, deputetët s’janë në gjendje të firmosin një deklaratë të përbashkët për PE-në. Lind pyetja, sa aksindentale aq edhe naive në këndvështrimin absurd: Mos vallë e keqja shqiptarëve u vjen më tepër nga vetvetja dhe më pas nga synimet dashakeqëse të fqinjësisë jo të mirë dhe ziliqare në shekuj? Për të mos mbetur një pyetje retorike kjo përgjigje u takon, për më shumë, politikanëve tanë në çdo cep të etnisë shqiptare.

Më Shumë

Lajmet e Fundit