9.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

“Poternicat” (jo)serioze!

Agim Muhaxheri

Te miku troket në derë, hyn brenda në shtëpi, nëse të thotë i zoti i shtëpisë urdhëro. Serbinë s’e ke mik, e ke armik.

Nuk ka kuptim t’i thuhet një “organizate kalamajsh” të Beogradit: Pritëm se erdha! Dëshirën e flaktë për të vizituar Beogradin e shprehu Hashim Thaçi.

I zoti i shtëpisë, Vuçiqi i tha Thaçit: Nëse guxon, eja, të pret arrestimi. Ne tregohemi liberalë e demokratë, u themi zotërinjve të Beogradit: Ejani, derën e keni të hapur. Vuçiqi hyn në Kosovë me “gorillat” e tij të armatosur. E bën lamë thiu, Kosovën e quan Serbi! Kjo “demokraci” do të na kushtojë shtrenjtë

Serbia i aktivizon “poternicat” e saj ndaj shqiptarëve sa herë që i duhet. S’e lë brenda të hyjë as lojtarin kryesor në Bruksel, Hashim Thaçin. Më herët e kishin aktivizuar “poternicën” ndaj ish-kryeministrit të Kosovës, Agim Çekut, i arrestuar për pak ditë në Bullgari. Kishin kërkuar nga autoritetet bullgare ta ekstradojnë në Serbi. Mirëpo, Sofja e la Serbinë me gishta në gojë, Çekun e liroi, e ktheu në Kosovë.

Politikanët e shefat e diplomacive shpesh ngjan të rrëshqasin në akull me deklaratat e tyre “të forta”. Njeriu i dytë i Qeverisë “Mustafa” dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, tha se do ta vizitojë Beogradin, ngase e kishte ftuar organizata joqeveritare serbe “Komiteti i Edukimit të të Rinjve”.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e zëvendësi i tij, Ivica Daçiq, qitën flakë prej goje. Vuçiqi u shpreh: Nëse guxon, eja, të pret arrestimi. Ndërkaq, Daçiqi shtoi: “Vizita e Thaçit e prish politikën tonë…”. Nuk harruan pa e përmendur ligjin sipas asaj: Ne e zbatojmë ligjin… Krerët e Beogradit e përmendën “poternicën” (fletarrestimin) që e kanë për Thaçin për shkak të dënimit të tij, më 10 vjet burg, sipas një aktgjykimi të formës së prerë, të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, gjatë vitit 1997.

Thaçi shkaktoi “tërmetin”. Me të u morën politikanët serbë dhe papagajtë e tyre.

Diplomati amerikan Frank Wisner i dha “flakaresh” Serbisë. Kërcënimet e Beogradit i quajti shqetësuese, politikën e tyre për keqardhje. Reagimi i ambasadorit Wisner nuk i lë përshtypje Serbisë.

Megjithëkëtë, Thaçi paraqitet me deklaratën tjetër se ato kohëra ishin “të errëta”. Shihe ti, kohëra të errëta! Me deklaratën e tij, që të mos ia prish një “organizate kalamajsh”, deshi të paraqitet si diplomat me përmasa të mëdha evropiane. Asaj i tha: Pritëm se erdha!

Nuk kemi të bëjmë me “kohëra të errëta”. Serbia armike çdo ditë e shan jo vetëm shtetin tonë, por edhe Amerikën.

Ka ligje e rregulla si shkon një kryediplomat në shtetin e huaj. Të thotë i zoti i shtëpisë, mos eja, nëse vjen të burgosim, ti shkon, mund të ngjajë ajo çfarë e kanë në mendje kundërshtarët.

Sipas të drejtës sonë zakonore, shkon mysafir diku, troket në derë, nuk i bie derës shqelm. Mikut i thua: A do mysafir? Nëse të thotë: Urdhëro, hyn brenda… Kjo është leja që i jep miku mikut.

Serbinë s’e ke mik, e ke armik, s’mund t’i thuash “organizatës së kalamajve”: Pritëm se erdha!

Te disa popuj evropianë nuk të pranojnë mysafir nëse më parë nuk e ke paralajmëruar vizitën te i zoti i shtëpisë. Nëse shkon pa paralajmërim, e gjen derën hapur, futesh brenda në dhomë, i zoti i shtëpisë nuk luan nga vendi, lexon gazetë, nuk të përshëndet. Ti detyrohesh të kthehesh kah sytë këmbët, nuk je i mirëseardhur. Kjo ngjet edhe me burrështetasit që shkojnë në ndonjë shtet të huaj pa lejen e të zotit të shtëpisë. Mund ta kesh edhe lejen, por nëse nuk u përmbahesh rregullave të shtëpisë, të shpallin “person non grata”, të dëbojnë nga shteti.

Ne bëhemi më katolik se Papa, alter egot e Slobodan Milosheviqit, Aleksandër Vuçiqit, Ivica Daçiqit e të tjerëve u japim lejen të hyjnë në Kosovë, të hyjnë në Kosovë edhe me “gorillat” e tyre të armatosur. Këta pastaj ta shajnë shtetin. Në tokën tënde e bëjnë lamë thiu, Kosovën e quajnë Serbi. Ti hesht, s’e bën të madhe këtë punë. Sillesh si liberal e demokrat. Kjo “demokraci” do të na kushtojë shtrenjtë.

Nëse Thaçi merr udhë për në Serbi çfarë do të ndodhte me të? Mund të ndodhë ndonjë e papritur, ta vrasë ndonjë i dehur, por assesi të burgoset. Nuk burgoset Thaçi, ngase serbët nuk janë aq budallenj të mëdhenj, t’i bien shqelm Marrëveshjes së Brukselit, dialogut Kosovë – Serbi, në të cilën është e paraparë që në veri të Kosovës të formohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe! Nuk i bien shqelm lojtarit kryesor të Brukselit!

Për ta Asociacioni kushton më shtrenjtë se Thaçi!

Deklarata patetike e Thaçit flet se atë e ka marrë malli ta vizitojë Beogradin dhe t’u hyjë në hatër zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian (BE). Gjesti i tij është pa takt politik e diplomatik. Një veprim i tillë s’është gjë tjetër, pos tallje me shtetin. Jo Thaçit, po askujt nuk i lejohet të tallet me shtetin tonë. Shteti s’është tapi e Thaçit.

Cila është “poternica” ndaj Thaçit? Ai nga bandat e Slobodan Milosheviqit, nga Gjyqi i Qarkut, ishte i dënuar për terrorizëm me 10 vjet burg. I përkiste grupit të 15-ve, ishte i akuzuari i 13-të me radhë sipas aktakuzës.

Këtë proces gjyqësor që nisi më 3 qershor 1997 e kam ndjekur për gazetën “Bujku”. Në faqen e parë të kësaj gazete botoi raportin të titulluar “Deklarata vetakuzuese në hetuesi të nxjerra me elektroshok”. Elektroshoku ishte përdorur ndaj tre të akuzuarve të parë Besim Rama, Idriz Asllani dhe Feriz Nura. I përmend edhe emrat e 12 të akuzuarve që iu bë gjyq në mungesë. Ata janë: Adem Jashari, Jakup Nura, Fadil Kadriu, Nuredin Lushtaku, Sahit Jashari, Rafet Rama, Sami Lushtaku, Ilaz Kadriu, Rexhep Selimi, Hashim Thaçi, Zenun Kadriu dhe Ali Januzi.

Dhe ironia, prijës i grupit, me pesë klasë të fillores, ishte i akuzuari Besim Rama, për të cilin flitej se kishte probleme mendore.

Pjesëmarrës në këtë proces ishin vëzhguesit e huaj, komisarja e lartë e OKB-së për mbrojtjen e të drejtave, Yvonne Terlingen, përfaqësuesit e Federatës Ndërkombëtare të Juristëve, suedezët Bengt Bondeson, gjykatës dhe Sarah Kallberg, prokurore. Nga zotëriu Bondson e zonja Kallberg kam marrë opinionet e tyre për këtë proces. Ata shprehën habinë për fenomenin e gjykimeve në mungesë. “I dëgjuat rrëfimet për torturat barbare që janë bërë ndaj këtyre të akuzuarve. Ne shqiptarët po durojmë”, u them suedezëve. Bondson qe shprehur: “Ky durim është abnormal”. E përmendi shprehjen “abnormal”!

Aktgjykimi është shpallur më 11 korrik 1997. Pos Hashim Thaçit, i dënuar me 10 vjet dhe Avni Nurës me 4 vjet, të gjithë të tjerët i dënuan me nga 20 vjet burg.

“Kirurgët” e këtij procesi ishin prokurori Jovica Jovanoviq, kryetarja e trupit gjykues të të pestëve, Sllagjana Petroviq, gjykatësi profesionist Dragolub Zdravkoviq.

Kush ishte Jovica Jovanoviq?

Jovanoviq bëri shumë aktakuza ndaj shqiptarëve, i çoi në ishullin e Djallit. Klientët e tij përfunduan në “gojë të ujkut”, në burgun e Dubravës, afër Istogut, të cilët pastaj u masakruan nga bandat e Milosheviqit. Për meritat që kishte bërë për Serbinë Jovica Jovanoviqin, këtë “sokol serb” e avancuan, i dhanë postin e ministrit të Drejtësisë gjatë luftës, më 1999. Ky e kishte “në dorë” rastin e profesorit Ukshin Hoti, i shpallur si i zhdukur.

Serbët s’e kanë sefte t’u bëjnë të tjerëve gjyqin në mungesë. Para 15 vjetësh, në Beograd, ua bënë gjyqin në mungesë burrështetasve të SHBA-së, Evropës dhe zyrtarëve të lartë të NATO-s. Presidentin Bill Clinton, Toni Blair, gjeneralin Wesley Clark, Javier Solana… i patën batis duke i dënuar me nga 20 vjet burg.

Toni Blair-in nuk e ngucin, ai është këshilltar i Vuçiqit!

E kanë edhe një lëndë “ad acta” ndaj ish-shefit të UNMIK-ut në Kosovë, diplomatit francez Bernard Kouchner me akuzën si “pomagaç” (ndihmës) në kryerjen e veprës penale të terrorizmit. Zotëri Kouchner, ke kujdes, mos hyn në Serbi se të burgosin!

Më Shumë

Ylli shkëlqen edhe ndaj Proton Cable Prizreni

Golden Eagle Ylli ka shënuar fitore shumë të vlefshme, duke mundur Proton Cable Prizrenin me rezultat 63:96 (16:28, 13:25, 19:22, 15:21), në javën e...

Bayern Munichu me kërkesë të fundit për Alphonso Davies

Tani ose kurrë. Siç thuhet në Gjermani, Bayern Munich i ka dhënë Alphonso Davies një javë kohë për të marrë një vendim për të...

Lajmet e Fundit