21.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Pushteti në Kosovë- nënshtrues ndaj Serbisë, fyes ndaj qytetarëve

Agron Halitaj

Nuk është hera e parë që Serbia i organizon zgjedhjet në Kosovë dhe që autoritetet shtetërore vendëse përpiqen t’i bëjnë makijazh agresionit sistematik nga shteti fqinj.

Është e qartë se nuk ka shembull tjetër në botë kur një shtet i mban zgjedhjet e brendshme parlamentare dhe i hap qendrat e votimit në shtetin tjetër.

Padyshim, në Serbi nga ky prizëm nuk shihet mbajtja e zgjedhjeve në Kosovë, për faktin se këtë vend me Kushtetutë e konsideron si pjesë integrale të saj. Por, në Kosovë nuk mund të shihet me të njëjtën optikë ky proces, pasi janë bërë më shumë se tetë vjet qëkur është shpallur pavarësia.

Nga këto pozicione, zgjedhjet serbenë një formë përcaktojnë fuqinë mes palëve. Më konkretisht: dominimin e palës serbe kundrejt asaj kosovare.

Të pafuqishëm për t’i ndaluar zgjedhjet e huaja brenda shtetit, udhëheqësit kosovarë vazhdimisht e shfrytëzojnë kartën e dyshtetësisë si arsyetimin e vetëm për njohjen e së drejtës së qytetarëve serbë për t’i votuar përfaqësuesit në Parlamentin e Serbisë.

S’do të kishte asgjë të keqe sikur kjo kartë të përdorej siç e përdorin të gjitha shtetet tjera, përfshirë vet Serbinë.

Por, kjo nuk po ndodh!.

Autoritetet në Kosovë do duhej të merrnin përgjigje nga Serbia, pse ajo nuk lejon që të hapen qendrat e votimit kur mbahen zgjedhjet në Kosovë, qoftë për serbët e qoftë për shqiptarët që jetojnë atje e që kanë dokumente të Kosovës?

Jemi dëshmitarë se në zgjedhjet e fundit në Kosovë, të vitit 2014, Serbia e ka lejuar vetëm votimin elektronik për serbët që kanë jetuar jashtë Kosovës, për sa kohë që për të tjerët që kanë qenë rezidentë në vendin ku janë organizuar zgjedhjet, i ka këshilluar të mos i mbushin fletëvotimet nëse stema e Republikës së Kosovës nuk është mbuluar me letër-ngjitës.

Serbia duhet pyetur se pse nuk e lejon as Hungarinë që t’i hap kutit e votimit në Vojvodinë, aty ku jetojnë një numër i konsiderueshëm i banorëve me përkatësi hungareze?

Dhe, për t’i përmbledhur praktikat e mundshme, autoritetet vendëse duhet t’i bëjnë pyetje vetes: Pse nuk e lejojmë Shqipërinë që t’i hap kutitë e votimit në Kosovë kur i mban zgjedhjet e saj.

Përgjigja në të gjitha rastet është e nënkuptueshme: secili shtet i organizon zgjedhjet brenda territorit të vet.

Në rastin e Kosovës, pala vendëse le që është treguar e pafuqishme që ta ruajë rendin e saj kushtetues, por nuk ka qenë në gjendje që ta bind as Brukselin për t’i bërë trysni Serbisë që të heq dorë nga ndërhyrja në shtetin tjetër.

Mjafton t’i hidhet një sy faqes zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Serbi dhe aty shihet qartë harta e Serbisë së Madhe, me Kosovën brenda, të papërkufizuar fare as me kufij administrativë e as shtetëror.

Është e papranueshme, për të mos thënë ofenduese, të shpërfillet tërësisht një zhvillim i tillë e të mos dilet me ndonjë qëndrim, siç po bënë presidenti i ri, Hashim Thaçi.

Një president nuk mund të sillet sikur nuk po ndodhë asgjë, derisa vendit të tij i cenohet sovraniteti.

Ndryshe prej tij, gjithnjë nga pozita e të nënshtruarve kundrejt Serbisë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, me ose pavetëdije e fyeu popullin e tij. Tha se në Kosovë nuk ka zgjedhje klasike të Serbisë, porse ka vetëm grumbullim të votave.

E çka tjetër na qenkan qendrat e votimit, pos grumbullim votash!?

Secila pikë votimi, brenda një qendre votimi, në esencë është pikë e grumbullimit të votave. Secili e di këtë!.

Dallimi i vetëm është se këto vota që grumbullohen për Parlamentin e Serbisë dërgohen për t’u numëruarnë Vranjë e Rashkë, ndërsa ato që grumbullohen kur mbahen zgjedhjet parlamentare në Kosovë – dërgohen për t’u numëruar në Fushë Kosovë.

Prandaj, ofendim nuk është vetëm ta krahasosh dikë me kafshët, por edhe kur ia fyen inteligjencën.

Kryeministri së paku është dashur ta qartësojë pozicionin e anëtarëve të kabinetit të tij, të cilët haptas i kanë shoqëruar zyrtarët e Serbisë nëpër Kosovë, e të cilët s’kanë reshtur së thirruri se “Kosova është Serbi”.

Vetëm në një Qeveri si kjo e jona mund të ndodh që një ministër merr një vendim e atë e shpërfillin ministrat e tjerë. Rasti konkret ishte kur u.d i ministrit të Jashtëm, Petrit Selimi, ia ndaloi hyrjen në Kosovë drejtorit të Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, e zëvendëskryeministri, BranimirStojanoviq, e shoqëroi “të ndaluarin” gjatë fushatës që ai bënte në Kosovë. Dhe, për t’i dhënë “të ndaluarit” mbështetje edhe më të madhe, Stojanoviqi e mori me vete edhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, LjubomirMariq. Të dy këta – Stojanoviqi dhe Mariqi- i treguan si kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Kosovës se vendimet e tyre nuk vlejnë për ta. Se, të dy bashkë, edhe pse janë në kabinetin e kryeministrit të Kosovës, lobojnë për fitoren e kryeministrit të Serbisë.

Heshtja, në të tilla raste, s’është tjetër pos konfirmim i pafuqisë për të vënë rregull – jo vetëm në nivel vendi, por edhe brenda kabinetit të vet.

Me këtë qasje defansive e nënshtruese, s’mund të pretendohet që Serbia një ditë do të heq dorë nga ambiciet për Kosovën dhe do të pranojë normalizim marrëdhëniesh mes shteteve të pavarura. Me këtë qasje nuk mund të pritet as integrim i qytetarëve serbë në jetën politike e shoqërore në Kosovë, sikundër që nuk mund të pritet që Kushtetuta e Kosovës të gjejë zbatim në tërë hapësirën shtetërore.

E, nëse vazhdon qasja nënshtruese ndaj Serbisë, të paktën duhet të mënjanohen fyerjet ndaj qytetarëve të Kosovës!

Më Shumë

Milani përgatit kontratën e re për Theo Hernandez

Gjigantët e Serie A, Milan-i po mendojnë të rinovojnë kontratën e Theo Hernandez, ndërsa interesi i Bayern Munich rritet më shumë. Sipas një raporti nga...

Bexheti: Pa UÇK nuk do të kishte intervenim të NATO-s

Sot mbushen 25 vjet nga fillimi i sulmeve të NATO-s ndaj caqeve ushtarake policore serbe. 25 vjet më parë NATO ndërhyri për të ndaluar...

Lajmet e Fundit