10.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Qysh me iu besu?

Kanë rrejtë e mashtru tash njëzet vjet. Çka nuk kanë premtu, e pak kanë realizu. Tash i ftojnë qytetarët që t’i votojnë prapë, sepse kësaj here e kanë përnjëmend. Se do ta luftojnë korrupsionin, do ta bëjnë shtetin. Shtetin që e kanë vjedhë e plaçkitë. Qysh me iu besu?

Imer Mushkolaj

Beso. Bashkë për shtetin. 100 % Kosovë. Erdhi dita. Ndërtojmë të ardhmen për ty dhe shtetin. Slogane që tingëllojnë bukur, por që prapa fshehin mosbesim e pesimizëm. Kush më shumë, e kush më pak.

Lidhja Demokratike e Kosovës iu bën thirrje qytetarëve të besojnë. Por, asociacioni i parë që zgjon ky slogan është të besojnë se kjo parti nuk do të bëjë më koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës. LDK ka nevojë që qytetarët t’i besojnë kësaj here, kur thotë “kurrë më” me PDK’në, sepse përvoja ka treguar se vazhdimisht e ka shkelur vullnetin e atyre që ia kanë dhënë votën.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në koalicion me Partinë Socialdemokrate, bën thirrje të votohet për Kosovë 100 për qind. Theksin e ka vënë te integriteti territorial, por nuk është treguar me integritet gjatë qeverisjes. Ka dëshmuar se si menaxhohen keq paratë e qytetarëve, ka dëshmuar se si ndërhyhet në drejtësi e arsim, ka dëshmuar se si punësohen të afërm politikanësh e militantë partish. Ashtu si dhe Nisma Socialdemokrate, e cila bashkë me Aleancën Kosova e Re dhe Partinë e Drejtësisë zotohen se do të jenë bashkë për shtetin. Ndërkohë institucionet e shtetit e shërbimin diplomatik i kanë “pasuruar” duke rehatuar familjarë e militantë.

PDK po premton ta ndërtojë të ardhmen për qytetarin dhe shtetin. Të ardhmen që ia ka vjedhur qytetarit gjatë 12 vjetëve në qeverisje, duke kultivuar korrupsionin e familjarizmin, duke kapur shtetin, bashkë edhe me partitë tjera që kanë qenë në pushtet.

Lëvizja Vetëvendosje thotë se ka ardhë dita. Bën thirrje që vota të shkojë për të. E duket se dita ka ardhë edhe për VV’në që të ndërrojë qasjen ndaj shtetit, ndaj flamurit “lara-lara” me të cilin thoshte se shteti nuk bëhet, ndaj institucioneve që i sulmonte, e tash kërkon t’i qeverisë.

* * *

Do të ishte komike, po të mos ishte tragjike, teksa dëgjon zyrtarët e PDK’së të thonë se do të luftojnë korrupsionin e familjarizmin. Natyrisht, është legjitime që secila parti politike të synojë një gjë të tillë, por kur bëhet fjalë për partinë e cila i ka në gjene këto dukuri, atëherë mosbesimi shtohet edhe më shumë.

Është njësoj ironike teksa dëgjon zyrtarët e LDK’së duke premtuar çkapjen e shtetit, të cilin e kanë kapur bashkë me PDK’në gjatë më shumë se një dekade në qeverisje e bashkëqeverisje. Pa marrë kurrfarë përgjegjësie për çfarë ka bërë në të kaluarën, LDK po provon të shfaqet si alternativë, si shpresë për vendin. Po premton se do të ndalë ikjen e njerëzve jashtë, ndërkohë që dhjetëra mijëra vetë braktisën vendin gjatë kohës së qeverisjes së Isa Mustafës. Sa për çkapjen e

shtetit mjafton të shihen bordet e ndërmarrjeve publike dhe institucionet tjera, si ATK e Doganat, për të ardhur në përfundim se si një parti që e ka bashkëkapur shtetin, tash premton ta çkapë atë.

Ka mjaftuar një gjysmë mandati në pushtet që të kuptohet filozofia qeverisëse e AAK’së, filozofi që nis me rahatimin e vetes dhe të vetëve, e që vazhdon me shpërndarjen e milionave të buxhetit “si n’bahçe të babës”. E premtimi i mëhershëm i Nismës Socialdemokrate për “një të punësuar në çdo familje” duket të jetë plotësuar i “përkthyer” si “një i punësuar në çdo familje që ka librezë të kësaj partie”. Sa për AKR’në e Behgjet Pacollit shërbimi diplomatik është treguesi më i mirë se si e sheh kjo parti shtetin dhe diplomacinë.

Është e vërtetë se VV nuk ka qenë asnjëherë në pushtetin qendror, por assesi nuk mund të amnistohet nga qëndrimet e deritashme karshi shtetit të Kosovës, karshi institucioneve dhe simboleve të shtetit që meton ta qeverisë nesër. Më në fund kjo parti duhet ta kuptojë se kosovarët nuk kanë shtet rezervë.

* * *

Shoqëria kosovare shquhet për mosbesim të thellë në institucione dhe parti politike. Perceptimi i qytetarëve është se institucionet janë të korruptuara dhe përgjegjësinë më të madhe për një gjendje të tillë e ka politika. Politika që nuk ka lënë pore të jetës pa e politizuar, që nuk ka lënë vend pune në sektorin publik pa e kontrolluar, që nuk ka lënë pozitë politike në instuitucione të pavarura pa e kapur, që nuk ka lënë shkollë, spital e universitet pa e mbushur me militantë.

Andaj, përtej parullave joshëse dhe thirrjeve për të votuar, pyetja thelbësore që secili qytetar duhet ta shtrojë është: qysh me iu besu? Vota është e rëndësishme dhe nuk duhet dhënë dikujt që ka rrejtë e mashtru. Dikujt që ka premtuar mrekullira, por që kanë mbetur vetëm dëshira./Gazeta Express/

Më Shumë

MKRS ndan Çmimet Vjetore për Teatër

Në amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës në Pallatin e Rinisë në Ditën Botërore të Teatrit u mbajt ceremonia e ndarjes së çmimeve vjetore...

Policia shqipton 1.521 gjoba në trafik

Policia e Kosovës njofton se për 24 orë, ka shqiptuar 1521 gjoba në trafik. Sipas policisë, gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar disa aksidente...

Lajmet e Fundit