7.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Radari mbi lirinë e shprehjes

Faton Ismajli 

Policia dhe prokuroria e kanë ndërtuar një standard të ri, të keq, në drejtësinë e çoroditur të shtetit për atë se çka është “liri e shprehjes” dhe se çka është “pengim i personit zyrtar”. I kanë arrestuar dy persona pse të tjerëve ua kanë mundësuar të tregojnë vendndodhjen publike të policisë me radar. Me këtë veprim është shkelur me dy këmbët liria e shprehjes. Liria për të dhënë dhe për të marrë informacione i papenguar. Gabimin e organit të ndjekjes dhe akuzës duhet ta ndreqin gjyqtarët, nëse lënda shkon në gjykim.

Mos u çudisni nëse nesër në mëngjes e shihni me pranga në duar gazetaren Edita Doli.

Sipas kutit të Policisë, Edita prej vitesh e shkel ligjin pse i informon qytetarët për vendndodhjen e radarëve.

Pak a shumë, njësoj u ka ndodhur edhe dy qytetarëve të Kosovës, të cilët janë arrestuar të martën vetëm pse kanë krijuar një grup në “Viber” dhe ua kanë mundësuar të tjerëve të shpërndajnë informacione për vendndodhjen e policëve, të cilët kanë dalë në rrugë për t’i dënuar shoferët që vozisin shpejt.

Dallimi i gazetares me dy personat e tjerë është vetëm te kanali i komunikimit: Edita komunikon në radio, e dy të arrestuarit e kanë përdorur “Viber”-in për t’ua mundësuar të tjerëve të njoftojnë se ku ndodhen “specat”.

Dikush duhet t’ia sqarojë policisë dhe prokurorisë se Kushtetuta e këtij vendi e ka rregulluar lirinë e shprehjes dhe e ka paraparë kur duhet të kufizohet ajo. Rrjedhimisht, i ka përcaktuar rrethanat se kur mund të shpërndahet informacioni dhe kur ndalohet një veprimtari e tillë.

“Liria e shprehjes është e garantuar. Liria e shprehjes përfshin të drejtën për të shprehur, për të shpërndarë dhe për të marrë informacione, mendime dhe mesazhe të tjera, pa u penguar nga askush”, shkruhet në Nenin 41, Pikën 1.

Pra, sipas Kushtetutës, secili person në këtë tokë dardane ka të drejtë të shpërndajë dhe të marrë informacione i papenguar nga askush. Secili ka të drejtë edhe të shpërndajë dhe të marrë mesazhe, po ashtu, i papenguar.

Dy të arrestuarit e kanë bërë pikërisht atë që e thotë Kushtetuta e Republikës. Kanë shpërndarë informacione përmes një mediumi.

Akti më i lartë juridik i shtetit i ka paraparë edhe rastet kur kufizohet liria e shprehjes.

“Liria e shprehjes mund të kufizohet me ligj në raste kur një gjë e tillë është e domosdoshme për parandalimin e nxitjes dhe provokimit të dhunës dhe armiqësive në baza të urrejtjes racore, kombëtare, etnike ose fetare”, thuhet në Kushtetutë.

Pra, liria e shprehjes, liria për të treguar informacione, për të marrë informacione kufizohet, nëse një informacion i tillë nxit dhe provokon dhunë dhe armiqësi mbi baza racore, kombëtare, etnike ose fetare.

Grupi në “Viber” nuk ka nxitur asnjë provokim dhe as dhunë. As armiqësi në baza etnike e fetare. Krejt çka kanë bërë ata dy persona është se kanë treguar se ku ndodhen policët e Kosovës.

Nuk tregojnë për ndonjë veprim të fshehtë të policisë, por për daljen e tyre publike në rrugë për ta kontrolluar shpejtësinë e veturave.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës ka njoftuar se dy personat janë arrestuar pasi kanë penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave, bazuar në Kodin Penal. Nuk kanë specifikuar se cilat nene i kanë shkelur, pasi lënda ka shkuar në procedurë të rregullt dhe rrjedhimisht dy personat e arrestuar janë lënë të lirë të mbrohen.

Në Kodin Penal, në Nenin 401, Pikën 2 të Kodit Penal të Kosovës sqarohet se në çfarë situatash konsiderohet se një veprim “e pengon dikë në kryerjen e detyrës zyrtare”.

“Kushdo që merr pjesë në një grup të personave që me veprim të përbashkët e pengon ose tenton të pengojë personin zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare ose duke përdorur mjetet e njëjta e detyron atë të kryejë detyrën zyrtare, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tri (3) vjet”, thuhet në Kodin Penal.

Në situatën konkrete, prokurori duhet të argumentojë se cilin polic e kanë penguar dy të arrestuarit. Duhet të argumentohet se pse e kanë penguar. Qysh e kanë penguar? Me çfarë veprimi? A është pengim i personit zyrtar, nëse dikujt i tregon se dikush ndodhet në rrugë? Krejt këto pyetje kërkojnë përgjigje bazuar së pari në Kushtetutë, e pastaj edhe në ligjet e zbatueshme.

Edhe diçka. Pra, dy të arrestuarit s’e kanë njoftuar askënd, por ua kanë mundësuar të tjerëve ta njoftojnë njëri-tjetrin.

Në fakt, grupi i shoferëve në “Viber” s’ka bërë kurrfarë pengimi në kryerjen e detyrave zyrtare të policisë. I ka ndihmuar të ketë më pak punë. Ka ndihmuar të jenë më të kujdesshëm shoferët dhe, rrjedhimisht, i detyron policët të dalin më shumë nëpër rrugë, t’i ndërrojnë vendet. Pra, i vetëdijeson policët se duhet të kontrollohen rrugët.

Kontrollet me radar nuk janë operacione të fshehta dhe bëhen, pra, në vende publike. Bile ka edhe programe të navigimit nëpër vende të ndryshme të BE-së që tregojnë se në cilat vende ka kontrollues të shpejtësisë si formë e vetëdijesimit. Ky është edhe një argument më shumë se s’ka kurrfarë pengimi në kryerjen e detyrës zyrtare pse dikush tregon se policia ndodhet në rrugë. Pra, njoftimi se ka radar në një rrugë është njësoj sikurse shenjat e komunikacionit që njoftojnë për kufizimin e shpejtësisë.

Para së gjithash, Policia s’e ka dhe s’duhet ta ketë prioritet dënimin e shoferëve, por vetëdijesimin e tyre. Pavarësisht këtyre komunikimeve nëpër grupe, bazuar në shifrat e publikuara, çdo ditë në Kosovë dënohen mesatarisht një mijë shoferë. Pra, me fakte mund të konstatohet se s’është ulur numri i gjobave në trafik për shkak të këtyre njoftimeve.

Meqë lënda ende s’ka marrë epilog, por vetëm sa ka nisur procedura penale e ndjekjes së dy personave vetëm pse kanë shpërndarë informacion publik për vendndodhjen publike të policisë, duhet ta shohim vendimin e gjykatës. Nëse lënda përnjëmend përfundon me aktakuzë ndaj këtyre dy personave, atëherë i mbetet organit që vendos në emër të popullit ta përmirësojë gabimin e organit të akuzës. Të mos e dënojë dikë pse i ka përdorur mediet për të shpërndarë informacione në mënyrë të papenguar, siç saktësohet në Kushtetutë.

Nëse ndodh e kundërta, duhet të blejmë pako me cigare dhe t’ia dërgojmë gazetares së emisionit “Radar” në Burgun e Lipjanit./Gazeta Express/

Më Shumë

25-vjetori i masakrës së Lubizhdës, Haradinaj: Hasi dha shumë për atdheun

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kujtuar në 25-vjetorin e vrasjes së tyre, 54 shqiptarët e Lubizhdës së Hasit.   Ish-kryeministri thotë...

Sot diplomon gjenerata e 59-të e Policisë së Kosovës

Sot me fillim nga ora 09:00 në sallën “1 tetori” do të mbahet ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Në...

Lajmet e Fundit