8.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Rasti Mursi – Kur e drejta falimenton

Shkruan: Ditar Kabashi

Ligji dhe e drejta nuk janë gjithherë në frymë të njëjtë. Ta zëmë, veprimet antidemokratike mund të përligjen, por asnjëherë të arsyetohen me logjikë të shëndoshë e ndërgjegje të pastër. Ato mund të kenë mbështetje në norma pozitive, por mund të jenë në disproporcion me të drejtën objektive. Këtu edhe duhet parë pikënisjen e dallimit ndërmjet shtetit ligjor dhe shtetit të së drejtës.

Ja, edhe në ditët e sotme, kur pretendohet se gjithçka ka mbërri në kulminacion të avancimit, del në pah ana e errët e instrumentalizimit të ligjit, të arbitraritetit dhe goditjes së vullnetit popullor.

Rasti i fundit, par exellance, për ta kuptuar këtë, është dënimi me vdekje i Presidentit të përmbysur të Egjiptit, Muhammed Mursi.
Pas shumë dekadash trysnish dhe ngulfatjeje të lirisë së aktiviteteve demokratike, Egjipti, ky shtet gjigant afrikano-verior, me “Pranverën Arabe” rigjeti mundësinë për t’u kthyer në “gjenet e veta”, me një fjalë, qytetarëve të vet i erdhi rasti që të proklamojnë lirshëm vullnetin politik. Dëshira e kahmotshme do të quhej “Mursi” kur inxhinjeri akademik do të fitonte rreth 52% të votave të drejtpërdrejta nga populli. Tanimë ridefinohej sovrani; këtë epitet populli egjiptas ia kishte marrë sundimtarëve jomeritorë.

Grusht shteti ushtarak i Gjeneral Sisit demonstroi se dhuna është mjeti më i parapëlqyer kundrejt popullit. Janë mbytur disa mijëra veta. Të përndjekur e të burgosur shumëfish më tepër. Ekonomia në prag të kolapsit. Prej një shteti që me Mursin synonte faktorizimin në arenën ndërkombëtare, në një shtet të fundosur me halle të botës së tretë.

Dënimi me arsyetimin qesharak për “tradhti kombëtare” shpërfaq edhe njëherë degradimin e gjyqësisë atje. Madje është mirë që studentët e fakulteteve juridike të njihen për së afër me këto praktika. T’u shpjegohet atyre se nëse drejtësia bie në duar të matrapazëve, shkelet e drejta, keqpërdoret ligji dhe pëson populli.
Ekzekutimi i mundshëm i këtij dënimi që duhet të miratohet edhe nga Myftiu i Shtetit, (sipas legjislacionit egjiptas, Myftiu thotë fjalën e fundit në raste të tilla) rëndom kukull apo në rastin më të mirë lajkatar i pushtetit, mbase do të “qetësojë” ndërgjegjen kolektive që tashmë duket sheshazi se është e fjetur. Ndoshta mendohet se duke e mbështetur në petkun fetar këtë absurd do të shmangen trazira të mundshme.

Sidoqoftë, ekzekutimi me vdekje i Muhammed Mursit tashmë nuk është gjithçka. Vetë ai ka dëshmuar se nuk i frikohet vdekjes dhe se qëndron prapa veprimeve të tija.

Në Egjipt po falimenton e drejta, po shuhet verdikti popullor, po synohet mbytja e frymës së lirisë. Dhe e tërë kjo në sy të botës, e sidomos asaj demokratike. Kundërshtarët e flaktë të dënimit me vdekje heshtin gjithandej. Propaganduesit dhe financuesit e shoqërive të hapura e demokratike kanë mbyllur sytë e veshët. Kjo më së miri flet për standardet e dyfishta për njerëz a popuj të ndryshëm. U demaskuan shumë fytyra që dolën të ishin aq të shëmtuara.
Le të dihet se drejtësia selektive nuk është drejtësi. E drejta duhet të veprojë ndaj të gjithëve njësoj.

Këtë rast nuk duhet parë në optikën e shkurtë si një pune të brendshme e një shteti të largët. Ky është precedent, është shembull se si mund të bastardohet interesi publik, si cenohet e drejta ndërkombëtare, si nuk sanksionohet dhunëtari, si viktimizohet ai që ka legjitimitet, si ndërtohen marrëdhëniet hipokrite mes liderëve e shumë premisa të tjera që janë në kundërthënie të plotë me diskursin aq të proklamuar mbi të drejtat dhe liritë njerëzore, organizimin demokratik, vlerat e përgjithshme universale të stërshtjelluara në dokumente ndërkombëtare.

Andaj, mospajtimi me këtë vendim gjyqësor nuk duhet nënkuptuar domosdo mbështetjen në baza ideologjikë të Presidentit Mursi, por me mbrojtjen e atyre parimeve që u thanë më lart. Burrëria nuk është çështje gjinie, por çështje karakteri, thoshte një shkrimtar i urtë dikur.

Më Shumë

Promovohet libri “Fotografitë që pavdekësuan Prizrenin”

Libri " Fotografitë që pavdekësuan Prizrenin" i autorit Salajdin Krasniqi u promovua mbrëmë në Prizren . Libri është vlerësuar lartë. Redaktori Dr. Nexhat Çoçaj tha se...

Arrestohet një burrë në Malishevë, rrahu fëmijët e tij të mitur

Në Malishevë, një burrë u arrestua, pasi ka ushtruar dhunë ndaj fëmijëve të tij të mitur. “Viktimat kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas...

Lajmet e Fundit