11.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Refugjatët mësyjnë Evropën nëpërmjet Mesdheut dhe Ballkanit

Faik MIFTARI

Në njërën prej opinioneve të shkruara rreth luftës në Siri, pata thënë se:”Lufta në Siri do të përfundojë vetëm në atë çast kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia do të arrijnë kompromisin lidhur me ardhmen politike të këtij vendi të përfshirë nga lufta”. A do të jetë ky kompromis, pajtimi i të gjitha palëve të përfshira në konfliktin sirian çoftë në mënyrë drejtpërdrejtë apo tërthore për formimin e një qeverie kalimtare drejt mbajtjes së zgjedhjeve të lira nën mbikëqyrje ndërkombëtare, në të cilin populli sirian do të vendos vet për ardhmërinë e vendit me apo pa Bashar al Asadin në krye, javët dhe muajt në vijim do të tregojnë.

Ky fluks masiv i refugjatëve të luftës, kryesisht nga Siria, por edhe nga vendet tjera, sikurse Iraku, Afganistani, Libia, Tunizia,etj., orientuar drejt Evropës nëpërmjet Mesdheut dhe Ballkanit paraqet një fazë të re të luftës në Siri. Që nga fillimi i luftës në Siri, brenda në Siri janë zhvendosur rreth 7 milion banor, ndërsa 4 milion refugjatë sirian janë zhvendosur jashtë Sirisë, prej atyre 2 milion janë vendosur në Turqi, 1 milion në Liban dhe 1 milion në Jordani, ndërsa një numër më i vogël ka gjet strehim në Egjipt dhe Irak.

Por këta katër milion refugjatë të vendosur kryesisht në Turqi, Liban dhe Jordani, nuk kanë bërë bujë të madhe në opinionin publik ndërkombëtar gjatë strehimit të tyre nga fillimi i luftës. Por, pas plot 4 viteve të kaluara në këto tri vende, fluksi i refugjatëve kryesisht sirian, por edhe i tjerëve, filluan të lëvizin në një masë të madhe kryesisht nga Turqia, por edhe nga Iraku, Libani e Jordania, nëpërmjet Mesdheut dhe Ballkanit drejt Evropë për të gjet një strehim me mundësi ndoshta të përfitimit të azilit apo edhe të një vend pune në shtetet e zhvilluara të Evropës. Por skenat rrëqethëse nga përmbytjet e një numri të caktuar refugjatësh duke kaluar Mesdheun, apo që gjejnë vdekjen gjatë udhëtimit të tyre të gjatë, nëpër Turqi, Greqi, Maqedoni, Serbi e Hungari drejt vendeve të Bashkimit Evropian, alarmoi opinionin e gjerë publik ndërkombëtar.

Këto skena të tmerrshme me fluksin e refugjatëve të luftës, bënë që opinionin publik evropian në një masë të madhe të senzibilizohet dhe të aktualizohet çështja e tyre pa marrë parasysh se një pjesë e tyre është pro apo edhe kundër vendosjes së tyre në Evropë. Barra më e madhe me siguri si gjithherë bie mbi Gjermaninë, e cila ka treguar interesim për të pranuar një numër të caktuar refugjatësh, kryesisht sirian, por do që këtë barrë të refugjatëve të ndajë edhe me shtetet tjera të Bashkimit Evropian.

Ky fluks pritet në ditët dhe javët në vijim, të jetë edhe më i shprehur, në një apo mënyrë tjetër do të ndikojë drejt përfundimit më të shpejtë të luftës në Siri dhe gjetjes së kompromisit në mes SHBA-ve dhe Rusisë, pasi që trusnia publike në opinionin publik evropian dhe botëror do të jetë gjithnjë më e madhe, dhe e vetmja zgjidhje për parandalimin e këtij fluksi refugjatësh është përfundimi sa më i shpejtë, i luftës jo vetëm në Siri dhe Irak, por edhe në Libi e Jemen.

Por edhe veprimet e fundit që janë duke ndodhur në konfliktin e Sirisë dhe Irakut, sidomos me rigrupimin e vendeve të përfshira në luftën e Sirisë dhe Irakut, çoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo tërthorë, japin sinjalet se kjo do të çon drejt përfundimit të luftës në Siri dhe Irak. Turqia definitivisht u kyç në aleancën e gjerë të sulmeve kundër ISIS-it dhe Al Nusrës, por edhe Egjipti pas një kohë të gjatë zvarritjesh, ka vënë kontakt të drejtpërdrejtë me qeverinë e Asadit dhe ka filluar të dërgoj edhe armatimin e tij për të luftuar kryengritësit sirian.

Këto ditë, sipas të gjitha gjasave pritet edhe përfshirja e drejtpërdrejte e Rusisë në sulmet kundër kryengritësve, krahas përfshirjes së Hezbollahut dhe Iranit, edhe pse që nga fillimi i luftës Rusia e ka mbështet me të gjitha mjetet, logjistikë e armatim, karburante e ushqim qeverinë e Asadit, por drejtpërdrejtë nuk ka qenë e kyçur në luftë. Tani pritet vetëm edhe ripozicionimi i Arabisë Saudite, e cila akoma heziton, edhe pse ditëve të fundit janë shpeshtuar kanalet diplomatike në relacion Rusi –SHBA, drejt përfshirjes së Arabisë Saudite, me ç’rast të plotësohet tabloja e shteteve me impakt të drejtpërdrejtë në luftën e Sirisë.

Pas kësaj, do të jenë në pyetje vetëm ditët, javët dhe muajt drejt përfundimit së pari të luftës në Siri e më pas edhe në Irak, pasi që të arrihet konsensusi në mes palëve të kyçura në luftë për përfundimin e luftës së përgjakshme. Krahas kësaj janë duke u zhvilluar edhe bisedat e shumta çoftë nëpërmjet kanaleve diplomatike të hapura, por edhe nëpër kuluare në mes palëve të përfshira në luftë, e kryesisht në mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë, për pazaret e shumta rreth gjetjes së marrëveshjes së pranueshme për të dyja palët për zgjidhjen politike të ardhmërisë të Sirisë.

Në përfundim të kësaj qasjeje, shpresoj që kjo fazë përfundimtare e luftës në Siri e Irak, të jetë afatshkurtër, dhe ky fluks masiv i refugjatëve mësyrë Evropës, të jetë pikë kthese drejt përfundimit të luftës në Siri dhe arritjes së paqes për popullin shumë të përvuajtur sirian.

Më Shumë

Sindikata e Arsimit paralajmëron protestë më 1 maj

Sindikata e Arsimit ka paralajmëruar se nëse qeveria nuk shqyrton kërkesat dhe shqetësimet e paraqitura nga kjo sindikatë, do ndërmerren veprime sindikale. Drejtues të kësaj...

Siguria në Prizren, vlerësohet e mirë

Drejtori i Policisë Rajonale në Prizren, kolonel Faton Alija, ka pritur në takim Besar Gashin, drejtori i Departamentit për Operative të SHKK nga Drejtoria...

Lajmet e Fundit