2.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Shefa, ka vdekur një fëmijë!

Imer MushkolajIMER MUSHKOLAJ

Të paktën një telegram ngushëllimi nuk iu dërgua nga udhëheqës e institucione Familjes Jashari për humbjen e Dritonit. Shtatëvjeçarin e shqyen qentë teksa kërkonte bukë në bërllog. Vdekja e tij shpërfaq gjithë injorimin, arrogancën e papërgjegjësinë tonë karshi komunitetit, të cilit i takonte viktima. Tragjedia e Jasharëve na tregon sa hipokritë jemi

Një fëmijë e kanë shqyer qentë në Fushë Kosovë, por udhëheqësit e vendit nuk e kanë marrë mundin që të shprehin pikën e shqetësimit. Shtatëvjeçari Driton Jashari ka pësuar me jetë nga sulmi i qenve endacakë, por as shefica e as shefat e shtetit nuk kanë denjuar që t’ia dërgojnë një telegram ngushëllimi familjes së tij. Mbase të zënë me punë të tjera më të rëndësishme sesa humbja e jetës së një fëmije, ata në këtë mënyrë kanë shfaqur gjithë arrogancën dhe papërgjegjësinë e tyre karshi fatit të një qytetari të shtetit që udhëheqin – karshi tragjedisë së një familjeje të varfër.

Dritoni u bë pre e qenve derisa po kërkonte në mbeturina për ta ushqyer veten dhe familjen, në deponi të krijuara nga popullata shumicë, që mjediset e banuara nga pjesëtarë të komunitetit RAE i shohin si vende ideale për të hedhur bërllogun që e heqin nga shtëpitë e veta.

Në vend se në deponi mbeturinash, Dritoni do të duhej të ishte në bankat e shkollës. Por, shkollimin e tij nuk e kanë mundësuar pikërisht ata që nuk janë në gjendje që, të paktën, ta ngushëllojnë familjen e tij. Dritoni nuk do të duhej të kalonte kohën në deponi bërllogu në përpjekje për të mbijetuar, por shteti në të cilin jeton do të duhej t’i siguronte minimumin e ekzistencës. Ai do të duhej të mos ishte sot në mesin e të vdekurve, por vdekja e tij do të duhej alarmuar të gjithë ata që çdo ditë na flasin për mirëqenie, barazi e demokraci. Të gjithë ata që flasin për siguri e shtet ligjor.

Dhe, tragjedia mund të mos kishte ndodhur po që se pjesëtarëve të këtyre komuniteteve që jetojnë në Fushë Kosovë t’u ishin krijuar kushte minimale për jetë të dinjitetshme. Tragjedia do të mund të ishte shmangur po që se pjesëtarët e këtyre komuniteteve nuk do të ishin përbuzur dhe vendbanimet e tyre nuk do të ishin shndërruar në deponi që i ushqejnë dhe i vrasin njëkohësisht ata.

Tragjedia do të mund të ishte shmangur po që se qentë endacakë do të trajtoheshin ndryshe dhe nuk do të përbënin rrezik për qytetarët. Po, tragjedia s’do të kishte ndodhur po që se, ashtu si zbatohen ligji e rregulloret për mbrojtjen e qenve, do të zbatoheshin edhe kushtetuta e ligjet që mbrojnë edhe pjesëtarët e komunitetit RAE.

* * *

Nuk dua të besoj se heshtja e udhëheqësve shtetërorë dhe përfaqësuesve të institucioneve po ndodh për shkakun se Dritoni nuk i ka takuar komunitetit shumicë. Nuk dua të besoj se askush nga përfaqësuesit e institucioneve qendrore nuk e ka marrë mundin për të vizituar Familjen Jashari veç për “fajin” se i takojnë një grupi të diskriminuar shoqëror. Ashtu siç nuk dua të besoj se, po këta udhëhqeës institucionesh do të reagonin ndryshe nëse viktima do të ishte shqiptar ose serb. Sepse, fatkeqësisht, mentaliteti dhe logjika jonë e sëmurë thonë se jeta e Dritonit dhe e të tjerëve si ai vlen më pak. Ata i shajmë, i fyejmë e i keqtrajtojmë vetem pse nuk janë si ne. Ata i konsiderojmë ndryshe. Ata i quajmë “magjupë”.

Përderisa Familja Jashari përballet me dhembjen e thellë për humbjen e Dritonit, në Prishtinë shefica e shtetit mbajti fjalimin vjetor para Parlamentit, ndërkaq shefi me ish-shefin preokupim e kanë ndarjen e posteve të zëvendësministrave. Andaj nuk kanë kohë as për një fjalë ngushëllimi.

Vdekja e Dritonit të pafajshëm shpërfaq gjithë injorimin, diskriminimin dhe racizmin e shoqërisë sonë karshi njerëzve që iu takojnë komuniteteve rom, ashkali e egjiptian. Vdekja e Dritonit është pasqyra më e mirë e shoqërisë sonë, e njerëzve që na udhëheqin – e hipokrizisë dhe arrogancës sonë. Sepse, sikur jemi pajtuar se ata duhet të vdesin ashtu, duke vuajtur për bukë, pa shkollim, mirëqenie e kujdes, pa perspektivë e ardhmëri. Sikur jemi pajtuar se ata duhet të viktimizohen për t’i mbuluar komplekset tona, të metat tona, papërgjegjësinë tonë. Ne nuk jemi në gjendje ta ndezim një qiri në kujtim të tij.

* * *

Driton Jashari ka qenë i pafuqishëm përballë qenve që ia morën jetën, ashtu siç gjithë komuniteti të cilit ai i ka takuar është i pafuqishëm të bëjë një jetë normale dhe detyrohet të bëjë jetë qensh. Sheti dhe udhëheqësit e tij po tregohen të papërgjegjshëm rreth sigurisë që duhet ofruar të dobëtve. Ata s’po tregojnë pikën e njerzillëkut për një jetë të humbur fëmije.

Andaj, mos iu besoni kur i dëgjoni teksa flasin për rininë dhe të ardhmen e fëmijëve, sepse fëmijët po vdesin nga qentë duke kërkuar bukë në deponi bërllogu. Mos iu besoni kur flasin për qytetarë me të drejta të barabarta. Jo, mos iu besoni, sepse ata nuk janë në gjendje të dërgojnë një telegram ngushëllimi, lëre më t’iu ofrojnë siguri për jetë, mirëqenie e perspektivë. Ata janë hipokritë dhe nuk e kanë fort dert se dikush bën jetë qeni. Ata nuk mërziten pse qentë endacakë i marrin jetën një fëmije./Gazeta Express/

Më Shumë

Divorci Besi-Xhensila? Habit avokati: Ata po ndahen për pasuritë e Ilir Metës, kanë vila e prona miliona euro

Avokat Idajet Beqiri teksa ka komentuar ndryshimin e stilit të jetesës së kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka theksuar se edhe aktori...

Kurti: Një ditë pas votimit në favor të Kosovës në KiE, Serbia hakmerret kundër civilëve

Kryeministri Albin Kurti e ka quajtur hakmarrje të Serbisë ndaj votimit në favor të anëtarësimit të Kosovës në KiE, ndalimin e mbi 300 qytetarëve...

Lajmet e Fundit