10.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Shyqyr që Gjergj Fishta ka ekzistuar!

Nga Mustafa Nano

Nasho Jorgaqi publikoi disa ditë më parë një shkrim të tijin mbi një letër që Gjergj Fishta i ka dërguar në vitin 1939 një oficeri të lartë fashist. Nuk të lë indiferent përmbajtja e kësaj letre të shkruar në vitin 1939. Në të, përveçse del në pah një marrëdhënie e ngrohtë e konfidenciale e poetit të madh shqiptar me një hierark fashist, flitet edhe për “rrugën e drejtë që duhet të ndjekin qeveria e populli italian për të ngritur nga mizerja shumëshekullore popullin e mjerë shqiptar”. Por nga ana tjetër kjo letër nuk të befason, gjithashtu. Kjo letër flet më pak se sa ndonjë letër tjetër që ai i ka dërguar Mussolinit e më pak se sa ndonjë gjest i tiji, siç është ai i anëtarësimit në Akademinë Italiane të kohëve të fashizmit.

Është kjo një njollë në jetën e tij? Sigurisht. Edhe heshtja e tij pas pushtimit, deri sa vdiq në dhjetor të vitit 1940, është domethënëse. Ndoshta ka të bëjë me një brejtje ndërgjegjeje për këtë zgjedhje të tijën. Ndoshta. Brejtje ndërgjegjeje si patriot (fashistët i kishin pushtuar vendin), e jo si intelektual. Të rrimë shtrembër e të flasim drejtë, si intelektual nuk ishte i vetmi ato mote që i ishin lëbyrur sytë prej fashizmit. George Bernard Shaw e shfaqte hapur simpatinë për Mussolinin. Edhe indiani i famshëm Rabindranath Tagore ra në këtë grackë. Ai shkoi në Itali në vitet ‘920, dhe i shijoi shumë si pritjet që i bënë me tam-tame, ashtu edhe takimet me Duçen. Nuk kish ndonjë gjë shumë të çuditshme ato kohë të ishe fashist. Në vitet ‘920 e ‘930, fashizmi, nazizmi, por edhe komunizmi, tërhiqnin vëmendjen për shkak të një vitaliteti që demonstronin në qeverisjen e vendeve ku këto regjime ishin instaluar. Dhe ky vitalitet binte më shumë në sy përballë regjimeve demokratike e parlamentare që jepnin shenja dobësie pas Luftës I Botërore. Sot ne e kemi të kollajtë të lartësojmë anti-fashistin Romain Rolland (që ishte pro sovjetik, gjithashtu) e të dënojmë Bernard Shaw-n, por në atë kohë, kur demokracia nuk ishte edhe aq në modë, gjërat nuk kanë qenë kaq të qarta.

Ka edhe një rrethanë tjetër “shfajësimi”. Pushtimi fashist duhet të jetë shoqëruar natyrshëm edhe me ndjesinë e një nëpërkëmbje të nderit nacional (Fishta ishte patriot, su questo non ci piove), por mund të ketë qenë edhe një emocion çlirimi për të gjithë ata shqiptarë, përfshirë Fishtën, që nuk duronin dot të jetonin nën hyqmin e Ahmet Zogut. Ideja “më mirë nën sundimin e italianëve se sa nën sundimin e Zogollit” mund të shihet me të drejtë si jo patriotike (dhe në këtë pikë nuk ka kontekst që të të shfajësojë), por nuk është edhe aq e çmendur. Italianët e Mussolinit kishin dhënë prova gjatë dy dekadave që i paraprinë Luftës II, se ishin të gatshëm të bënin investime të mëdha në Shqipëri e në këtë kuptim nuk ka qenë një gjë irracionale të besoje se ata mund t’ia dilnin që t’i futnin shqiptarët e “parimeve morale e shoqërore aziatike” (siç citohet të ketë thënë Fishta nga Roberto Morozzo della Rocca) në rrugën e modernitetit. “Ndoshta jemi përpara një iluzioni pleqërie”, ia bën studiuesi italian. “Ndoshta ka mbetur viktimë e një padjallëzie politike”, shtoj unë.

Përveç kësaj, ftesa për t’u anëtarësuar në Akademinë italiane të kohës, dhe pranimi i saj, mund të qortohen aposteriori, por sikur ta kontekstualizonim këtë ngjarje, gabimi nuk do të na dilte kaq i madh sa duket. Akademia Italiane, edhe pse ishte e lidhur me regjimin fashist, nuk i kishte humbur atributet akademike. Ajo ishte Akademi. Ndërsa Gjergj Fishta ishte një intelektual shqiptar, të cilin anëtarësimi në të do të mund ta nxirrte nga errësira provinciale, ku rrinte i zhytur. Në këtë pikë është viktimë e një dobësie humane, do thoja unë. Nasho Jorgaqi e vendos gatishmërinë e Fishtës për t’u anëtarësuar në Akademinë italiane përballë refuzimit që i bëri Çabej ftesës për të punuar në Institutin shqiptaro-italian mbi studimet shqiptare (viti 1942), por nuk më duket se situatat janë të ngjashme. Eqrem Çabejn e nderon refuzimi që ai i ka bërë kësaj ftese, por nuk dimë se ç’qëndrim do mbante ndaj ftesës për t’u anëtarësuar në Akademinë e famshme italiane. Ndoshta do ta refuzonte po njësoj, por ne nuk kemi si ta dimë me siguri, sidoqoftë. Pastaj, refuzimi i Çabejt ka ndodhur në vitin 1942, kur fashizmi nuk ishte në kulmin e famës së vet. Dhe ky është një fakt shumë domethënës që ia heq forcën paraleles së ngritur mes Fishtës e Çabejt.

Unë jam dakord me Jorgaqin e të tjerë që i japin rëndësi këtij momenti në jetën e Gjergj Fishtës. Ne duhet të mësohemi që figurat tona nacionale t’i shohim me dritë-hijet e tyre. E në këtë kuptim, nuk duhet të mendohemi dy herë kur vjen puna për të nxjerrë në evidencë ngjarje e qëndrime që “i deheroizojnë” këto figura. Nga ana tjetër, duke i kritikuar figurat tona me peshë kombëtare, ne mbajmë dashje pa dashje edhe një qëndrim të caktuar etik, me të cilin edukohen brezat e rinj. Këta të fundit duhet ta dinë se Fishta ka gabuar. Ashtu si duhet ta dinë edhe se ku kanë gabuar të tjerët.

Është vënë re që përpjekjet për të futur në scanner-in e historianit e të studiuesit personalitetet e kulturës kombëtare bëhen shpesh me logjikë detraktorësh, e shihen po kaq shpesh si punë detraktorësh. Por ne duhet të mësohemi me faktin që këto personalitete ne i nderojmë jo ngaqë kanë qenë shenjtë, por për një arsye shumë tokësore: kanë qenë të aftë e të gatshëm të bëjnë më shumë se të tjerët në momente të caktuara të historisë. Kështu që nuk kemi pse t’ua marrim për të madhe një lajthitje në jetën e tyre, ashtu si nuk kemi pse të pickohemi kur dikush i nënvizon këto lajthitje. Në këtë kuptim, të bën pak përshtypje që adhuruesit e Fishtës nervozohen kur atij ia nxjerrin në dritë këtë dobësi për fashizmin. “Morozzo della Rocca është anti-françeskan e anti-shqiptar”, ia bënte dikush ca kohë më parë, i zemëruar që Della Rocca, mbi bazën e dokumenteve që ka gjetur, arrinte në disa përfundime që nuk bien mirë në veshët e fishtianëve. Të bën përshtypje ca më shumë fakti që këta të fundit shfaqen disi të ndrojtur, e si të çarmatosur, përballë dobësive të idhullit të tyre. Ndërkohë që nuk ka arsye të sillen kështu. Sipas meje, ata duhet të bëjnë tjetrën. Duhet të thonë: “Ok, Fishta ka gabuar lidhur me fashizmin, por kjo përbën veç një pikë të vogël njolle, e cila nuk bie në sy në veprën e tij të madhe.” Dhe kjo është e vërteta.

Ka edhe një gjë. Kur japim vlerësime për personalitetet e historisë sonë, ne duhet të jemi më zemërgjerë se sa francezët, italianët, gjermanët etj. Gjergj Fishtës, Faik Konicës, Fan Nolit, Mustafa Krujës, Anton Harapit, Ernest Koliqit, Mit’hat Frashërit etj., mund t’u gjejmë njolla, por nuk duhet të harrojmë se këta janë personazhe qendrore të historisë së Shqipërisë. Këta janë pionierë të kulturës e themelues të kombit. Përfytyroni për një moment sikur këta të mos ekzistonin! Historia jonë do të ishte e zbrazët. Pa themele.

Përfundimi? Shyqyr që Gjergj Fishta ka ekzistuar!

Më Shumë

Edhe 17 biznese të reja të mbështetura nga komuna e Prizrenit dhe Preda Plus, me mbështetjen e ASB-së

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka bërë me dije se kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi me përfaqësuesit e projektit “Integra – Nxitja e...

Kurti: 200 milionë euro investime për infrastrukturën në futboll

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, të dielën ka premtuar 200 milionë euro investime për transformim rrënjësor të infrastrukturës së futbollit në vend. Tashmë...

Lajmet e Fundit