8.8 C
Prizren
E martë, 19 Mars, 2024

Si zhduken demokracitë?

David Brooks

Liberalizmi pretendon të jetë neutral, por në të vërtetë është antikulturë. Ai i shkëput njerëzit nga natyra, komuniteti, tradita dhe vendi. I shkëput nga koha. “Mirënjohja për të shkuarën dhe detyrimet për të ardhmen, zëvendësohen nga një ndjekje pothuaj universale për kënaqësinë e momentit”

Të gjithë bien dakord se shoqëria është në një rrugë të keqe, po cili është ekzaktësisht shkaku i kësaj të keqeje?

Disa e vënë theksin në problemet ekonomike: Përqendrimi i njëkohshëm i pasurisë në majë dhe stanjacioni në shtresën e mesme, e ka delegjitimuar sistemin. Njerëz si unë e vënë theksin në problemet kulturore. Nëse ke 60 vite individualizëm radikal dhe meritokraci të pamëshirshme, do të përfundosh me një shoqëri të atomizuar, mosbesuese dhe të përçarë.

Por disa e vënë theksin tek intelektuali. Njerëzit që projektuan sistemin tonë liberal bënë gabime themelore, të cilët tashmë po na rikthehen. Politologu i Notre Dame Patrick Deneen bie në këtë kamp. Libri i tij i fundit “Përse dështoi liberalizmi”, është një sfidë për ata prej nesh, që duan të ringjallin rendin demokratik liberal. Do të tërheqë shumë ndjekës, mes atyre që po humbasin besimin tek i gjithë projekti.

Deneen argumenton se liberal demokracia i ka tradhtuar premtimet e veta. Duhej të nxiste barazinë, por ka sjellë më shumë pabarazi dhe një aristokraci të re. Duhej t’u jepte njerëzve të zakonshëm kontroll mbi qeverinë, por njerëzit e zakonshëm ndihen të larguar prej qeverisë. Duhej të nxiste lirinë, por krijon një kulturë popullore të degraduar, në të cilën konsumatorët bëhen skllevër të orekseve të tyre.

Shumë të rinj ndihen të zënë në kurth, brenda një sistemi tek i cili nuk besojnë. Deneen citon një prej këtyre studentëve: “Për arsye se ne e shohim njerëzimin – dhe si pasojë, institucionet e tij – si të korruptuar dhe egoist, i vetmi person tek i cili mund të mbështetemi është vetja jonë. E vetmja mënyrë që mund të shmangim dështimin, të mos ndjehemi të lënë në baltë, dhe në fund të mos zhytemi në botën kaotike që na rrethon, është që të kemi mjetet (sigurinë financiare) për t’u mbështetur vetëm tek vetja”.

Problemi, argumenton Deneen, nisi qysh në krye të herës. Filozofitë greke dhe mesjetare vlerësuan lirinë, por ato e kuptonin që, përpara se një person të mund të ndihmonte në qeverisjen e shoqërisë, duhej që të ishte në gjendje të qeveriste vetveten. Njerëzit duhej të mësoheshin me virtytin përmes institucioneve që nuk i kishin zgjedhur – familja, feja, komuniteti, normat sociale.

Kur komunizmi dhe fashizmi dështuan në shekullin 20, ky version i liberalizmit u duk triumfues. Por ishte një fitore si ajo e Pirros, argumenton Deneen.

Liberalizmi pretendon të jetë neutral, por në të vërtetë është antikulturë. Ai i shkëput njerëzit nga natyra, komuniteti, tradita dhe vendi. I shkëput nga koha. “Mirënjohja për të shkuarën dhe detyrimet për të ardhmen, zëvendësohen nga një ndjekje pothuaj universale për kënaqësinë e momentit”.

Një herë që familja dhe komuniteti lokal gërryhen dhe normat sociale shpërbëhen, individët mbeten lakuriq dhe të pambrojtur. Ata kërkojnë ngushëllim tek shteti. Enden mes sistemeve jo personale: kapitalizmi global dhe shteti i largët. Teksa rendi social kalbet, njerëzit kapen pas sigurisë që ofron autoritarizmi. “Një tipar i totalitarizmit modern ishte se ai u ngjit dhe mori pushtetin përmes pakënaqësisë së izolimit dhe vetmisë së njerëzve”, vëren ai. Deneen u bën thirrje njerëzve që t’i dedikohen komunitetit lokal – një lloj agrarianizmi i Uendell Berrit.

Libri i Deneen është i vlefshëm sepse ai fokusohet në problemin qendror të kohës tonë. Debatet e rëndësishme tani nuk janë për politikat. Janë për vlerat dhe strukturat themelore të rendit tonë social. Megjithëkëtë, ai gabohet. Demokracia liberale ka ecur mirë për 300 vjet. Nëse problemi do të ishte vërtetë në rrënjët e saj, a nuk do të ishte shfaqur më herët?

Vështirësitë burojnë jo në diçka të qenësishme të liberalizmit, por nga fakti që ne kemi neglizhuar rendin moral dhe vizionin e dinjitetit njerëzor, që janë të mishëruar brenda vetë liberalizmit. Siç e dinë ata që kanë lexuar Xhon Stjuart Millin, Uollt Uitmanin, Abraham Linkolnin, Vaslav Havelin, Majkëll Novakun dhe Meir Soloveiçikun, demokracia liberale përmban një version të pasur të lulëzimit dhe solidaritetit njerëzor, të cilin Deneen e fshin si me gomë, nga historia.

Liberal demokracia dhe rendi moral ngrihen mbi idenë që shpirtrat formohen në liri dhe jo në servilizëm, në zgjerim dhe jo në stanjacion. Mbi idenë se institucionet tona themelore – si familja, besimi, tradita dhe komuniteti – na orientojnë drejt dashurive më të mëdha dhe ëndrrave të përbashkëta, të cilat më pas i ndjekim në palestrën e madhe të lirisë.

Po, liberalizmi ndonjëherë ka tension me fenë, traditën, familjen dhe komunitetin, që Deneen me të drejtë i lartëson. Por liberalizmi nuk është vrasësi i tyre. Në këto momente që flasim, ka shërues komunitetesh në qyteza dhe qytete, të cilët jetojnë konkretisht vizionin liberal demokratik të jetës së mirë – të ngulitur thellë në komunitetet e tyre, dorëzuar në idealet e tyre, duke u zgjatur dorën komuniteteve të tjera, duke u rritur në lirinë e tyre.

Nuk kemi pse kënaqemi me vogëlsira. / NYT – Në shqip nga Bota.al

Më Shumë

S’ka fitues në derbin Ballkani – Llapi

Ballkani dhe Llapi kanë ndarë pikët pasi ndeshja nuk ka sjellur fitues. Takimi i zhvilluar në Suharekë përfundoi me rezultat 0-0. Me këtë barazimi Ballkani vazhdon...

Enrique: Duam të festojmë titullin sa më shpejtë të jetë e mundur

Një fitore e rëndësishme e PSG-së në transfertë ndaj Montpellier me shifrat 2-6. Në përfundim të ndeshjes, trajneri i skuadrës parisiene, Luis Enrique, foli...

Syri i kaltër

Lajmet e Fundit