8.8 C
Prizren
E martë, 19 Mars, 2024

Sundimi i pafuqisë

Blerim Shala

Do të duhet durim, mençuri, organizim, dhe pajtim të gjërë politik për ta tejkaluar gjendjen aktuale të shtetit të Kosovës. E ne nuk e kemi asnjërën prej këtyre cilësive.

Mbase nuk ka ndjenjë më të rëndë, më sfilitëse, më të lodhshme dhe më të rrezikshme për njeriun si individ dhe për një popull, shoqëri, shtet, si kolektiv, se sa ndjenja e pafuqisë. Ajo të bën të humbësh shpresën, të bëhesh tej mase i frustruar, dhe të kërkosh shtegdaljen me çdo kusht nga gjendja kur pafuqia të imponohet si busollë orientimi në drejtim të dështimit.

Natyrisht, rrugëdalja e detyruar nuk është thënë fare të jetë një zgjidhje e mirë, kah ri-marrja e fuqisë që ka domethënien e krijimit të rrethanave kur mund të vendoset për veten: Si njeri dhe si kolektiv.
Pamjet dhe ngjarjet që shfaqin pafuqinë ndër ne, kohëve të fundit, janë të shumta.

Ta zëmë, ditëve të fundit, ato na janë shfaqur në trajtë të qëndrimit, pranë lumit Lepenc, në atë rrjedhën e këtij lumi që lidhë Kaçanikun dhe Hanin e Elezit, të pothuaj të gjithë zyrtarëve të lartë të Kosovës, duke u nisë këtu prej Kryeministrit, të cilën vizitonin vendin ku të shtunën e kaluar pësuan aksident dy policë të Kosovës. Teksa po bëhet ky shkrim, kjo fatkeqësi ende nuk ka marrë epilogun e gjetjes së dy policëve, përkundër shumë përpjekjeve të cilat nuk mungojnë. Ndërsa vizitat e shpeshta të zyrtarëve të Prishtinës andejpari, pos që janë shprehje e ndershme e solidaritetit me familjarët e këtyre dy policëve, për shkak të mungesës së rezultatit në zbardhjen e fatit të tyre, nuk mund dot t’i ikin atij dyzimi të pafuqisë dhe të frustrimit. Jemi shtet, jemi Qeveri, kemi forcë policore, kemi FSK-në, por ja që për ditë të tëra nuk po i bimë në fije se çka ka ndodhë me dy qytetarë të Kosovës. Dhe këtë po e shohim të gjithë ne, si qytetarë të këtij vendi.
Ndjenja e pafuqisë, ka nisë të mbizotërojë në politikën kosovare, tash e sa javë, që prej se ‘Lista Sebe’ shfaqi pretendimet për mos-përkrahjen e Qeverisë, në te dy nivelet: Në atë të Qeverisë së Kosovës dhe në opozitën parlamentare.

Qeveria e Kryeministrit Haradinaj nuk ka përkrahjen e duhur minimale në Kuvendin e Kosovës, sepse nuk mbërrinë dot te ai numri i 61 deputetëve që e përkrahin atë. Por, në anën tjetër, edhe opozita parlamentare, në rrethanat e tanishme, nuk ka gjasa që ta bëjë të suksesshëm Mocionin eventual të votës së mosbesimit për këtë Qeveri, i cili pastaj do të mund të na dërgonte të gjithë neve kah kutitë e votimit, për herë të tretë në katër vitet e fundit.
Megjithëse te dy palët janë pak a shumë të vetëdijshëm për këtë pafuqinë që i bashkon, nuk ka përpjekje serioze për ta adresuar këtë pafuqinë parlamentare politike (dhe publike), e cila paralajmëron krizë të thellë politike.
Pafuqia individuale, e dyzuar me lodhje, mërzi dhe frustrim godet çdo qytetarë të Kosovës që ia mësynë për tu pajisur me një vizë Schengen, për të udhëtuar diku në Evropë. Një mal me dokumenta duhet përgatitur, pastaj, vijnë pritjet për termin, ofrimi i dokumenteve dhe më në fund, nuk ka kurfarë garancash që do të mirret viza për të udhëtuar.

Deri pak javë më parë, për gati tre vjet të plota, politika kosovar pati sipërfaqësuar, në formën më brutale të mundshme, pafuqinë për të marrë një vendim të duhur dhe të domosdoshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës: Atë për Ratifikimin e Marrëveshjes kufitare të Kosovës me Malin e Zi. Ky vendim megjithatë u mor, pas shumë e shumë përpjekjeve, për të hapur mundësinë që deri kah fundi i këtij viti, qytetarët e Kosovës të fitojnë të drejtën që si individë, të udhëtojnë dhe të hynë në Evropë pa viza, duke tejkaluar kështu, të shpresojmë një herë e përgjithmonë, atë ndjenjën shkatërrimtare të pafuqisë.

Edhe vetë shteti i Kosovës sot, për shkaqe të njohura, është nën ndikimin e madh të pafuqisë politike. Dhjetë vjet pasiqë u bë ky shtet, nuk arritëm ende të sigurojmë funksionimin e plotë të pushtetit kosovar në gjithë territorin e këtij shteti. Për më shumë, nuk u bëmë ende anëtarë të OKB-së, dhe perspektiva e jonë reale e integrimit në Paktin NATO dhe në BE, objektivisht, ende nuk është në duartë tona, apo, ajo nuk varet vetëm prej nesh.Do të duhet durim, mençuri, organizim, dhe mbi të gjitha, pajtim të gjërë politik për ta tejkaluar këtë gjendje të shtetit të Kosovës. E ne si po duket nuk e kemi asnjërën prej këtyre cilësive.

Më Shumë

Bashkimi fiton derbin kundër Proton Cable Prizrenin

Bashkimi ka fituar derbin prizrenas dhe ka shënuar një fitore shumë të rëndësishme për “play-off”, duke mundur Proton Cable Prizrenin me rezultat 90:101 (19:20,...

Prizren/ Gjeti në rrugë kuletën me mbi 500 euro, qytetari e dorëzon atë në polici

Një qytetar në Prizren ka dorëzuar në polici shumën prej 500 euro. Policia njofton se qytetari kishte gjetur paratë dhe më pas i ka dorëzuar...

Lajmet e Fundit