11.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Të gjithë fëmijët janë të njëjtë

Lumnije Rakaj

Fëmijët janë ardhmëria e çdo kombi, janë lulëkuqe që shpalojnë petalet në çdo stinë, dallëndyshe që sjellin pranverën, prandaj ata kanë vend dhe respekt të veçantë kudo: në familje, shoqëri, shkollë, etj.

Eci rrugës, takoj shumë fëmijë. Ata më duken si fluturat shumëngjyrëshe që zbukurojnë qiellin, pra zemra na bëhet mal kur ata i shohim ashtu të lirë e të buzëqeshur.

Sa të mirë janë fëmijët! Të çiltër, të sinqertë, të pastër, të padjallëzuar, pra janë xhevahirët tanë. Janë qeniet më të përsosura në planet, të cilët kanë nevojë për kujdes, mbikëçyrje, respekt e përkrahje.E në veçanti fëmijët me nevoja të veçanta.

Eh, ata fëmijë! Kur e themi këtë fjalë, duket se po flasim për krijesa jashëtokësore e jo për qenie normale e njerëzore. Por në fakt, shumë pak njerëz arrijnë të kuptojnë se edhe këta fëmijë janë si gjithë të tjerët, e në shumë raste edhe më të mirë e më frytëdhënës në familje e shoqëri. Ata thjesht kanë nevojë për pak më shumë përkujdesje sepse e meritojnë. Ata nuk kërkojnë asgjë të jashtëzakonshme. Ç’na kushton ne t’u falim më shumë minuta nga koha jonë këtyre fëmijëve? Ashtu, ata do të ndiheshin më të relaksuar psiqikisht.

Ç’faj kanë ata që kanë lindur me ndonjë të metë fizike, apo thjesht që janë fëmijë me nevoja të veçanta. Këta fëmijë nuk kanë nevojë për mëshirë, keqardhje, apo t’i shikon dikush me përbuzje, por ata kanë nevojë për dashuri dhe përkujdesje. T’i heqim njëherë e përgjithmonë nga koka paragjykimet se për përkujdesje dhe dashuri kanë nevojë vetëm të shëndoshët e jo edhe njerëzit me nevoja të veçanta.

Nga kjo kuptohet qartë se këta fëmijë nuk janë aspak ndryshe nga ne. Ata kanë një vështirësi, por duhet kuptuar se të gjithë fëmijët kanë vështirësi në diçka. Ne duhet t’i ndihmojmë t’i kalojnë këto vështirësi, kështu që edhe për ta do të jetë më lehtë. E çfarë pastaj nëse një fëmijë nuk mund të ecë? Ai mund të ketë një talent, si këndimi, pikturimi, të shkruarit bukur apo diçka tjetër. Të mos harrojmë se Zoti i ka dhënë një njeriu diçka, duke mos i dhënë diçka tjetër dhe kështu asnjë njeri nuk ka dalë i përsosur apo i përkryer.

Ka shumë fëmijë me nevoja të veçanta në botë, por mua më dhemb shpirti e më coptohet zemra për fëmijët e lënë anash që ende nuk po mundemi t’ua plotësojmë kushtet mëse të nevojshme për ta, e lëre më sa turp është që këta fëmijë lihen jashtë shoqërisë sonë. Edhe ata kanë gjëra për të ofruar, se ndryshe nuk do të ishin pjesë e botës, prandaj duhet t’i integrojmë në shoqërinë tonë normale.

Pse edhe ata të mos vijnë në shkollat tona? A mos kanë bërë diçka të keqe? Ne të gjithë e dimë se shkolla ka vend dhe dashuri për të gjithë fëmijët, aty rrezet e diellit duhet të na ngrohin njësoj pa përjashtim, ngase aty duhet të gjejnë respektin, edukatën, tolerancën, pavarësisht nga raca, përkatësia etnike apo statusi social dhe ekonomik.
Të gjithë kanë të drejtë t’i gëzojnë vitet e fëmijërisë së tyre dhe të rriten në mënyrë të natyrshme.

Të gjithë kanë të drejtë për dashuri, arsim, mbrojtje, për të mos ua cenuar identitetin. Pra edhe fëmijët me nevoja të veçanta le të jenë miqtë tanë, në shkollë, shtëpi e kudo, le t’i pranojmë në gjirin tonë dhe t’i ndihmojmë pa paragjykime.

T’i inkurajojmë dhe mobilizojmë nxënësit tanë për t’i ndihmuar dhe përkrahur moshatarët e tyre, në klasat tona të krijohet një klimë besimi, optimizmi e shprese ku mjedisi të jetë si një familje në të cilën këta fëmijë të ndihen të motivuar, të lirshëm, t’i gëzohen jetës, dhe ta ndiejnë veten njëjtë si gjithë të tjerët.
Kjo do të ishte një mrekulli. Por duhet akoma punë e mund që të gjithë njerëzit të vetëdijësohen rreth kësaj çështjeje. Nuk është edhe aq e lehtë, por është mëkat që njerëzit e tillë të largohen nga ne, sikur të ishin armiq, e jo njerëz të brishtë, të pambrojtur, siç janë.

Çdo njeri e do jetën. Çdo njeri është i veçantë në mënyrën e tij. Edhe fëmijët me nevoja të veçanta, janë të veçantë në mënyrën e tyre. Por ne jemi njerëz, duhet të jemi humanë dhe t’i ndihmojmë e t’i përkrahim këta fëmijë. Të gjithë së bashku duhet të bëjmë më shumë në integrimin e këtyre fëmijëve në rrjedhat e shoqërisë sonë, vetëm e vetëm që ata të mos ndihen të anashkaluar e të lënë pa përkujdesje.

 

Më Shumë

25 vjet nga ndërhyrja historike për paqen në Kosovë

Sot mbushen 25 vjet nga fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve serbe. Aeroplanë të NATO-s bombarduan në territorin e Serbisë, Kosovës dhe Malit...

Rohde: Masakrat si kjo në Krushë të Madhe treguan se kishte ardhur koha për ndërhyrjen e NATO-s

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde tha se masakrat si kjo në Krushë të Madhe të Rahocecit, 25 vjet më parë ka treguar se...

Lajmet e Fundit