13.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Terrorizmi global dhe bota që po ndryshon

Burim Ramadani AAKBurim Ramadani

Shqiptarët, si komb që ka kaluar nëpër Rilindjen Kombëtare para më pak se dy shekujve, duhet të përqendrohen në ri-afirmimin e vlerave të themeluara gjatë Rilindjes Kombëtare si strategji përmbajtësore kombëtare në ruajtjen e përkatësisë së përbashkët
Përhapja e demokracisë liberale duket se mbetet mënyra më e mirë e sigurimit të paqes dhe sigurisë globale. Porse, “zgjerimi i kombeve demokratike” përballet me vështirësinë tejet domethënëse në pjesët e botës që nuk kanë njohur përmbajtësisht “Rilindjen Kombëtare” dhe sëkendejmi përkatësia e përbashkët kombëtare mbetet një “vlerë e huaj”.

“Zgjerimi i Komunitetit të Kombeve Demokratike” si koncept strategjik i SHBA-ve, i shpërfaqur nga ish-presidenti Bill Clinton, ka fuqizuar përpjekjet për “përhapjen e demokracisë”. Ky koncept strategjik është i bazuar në Teorinë e Paqes Demokratike, sipas të cilës argumentohet se “vendet demokratike nuk luftojnë ndërmjet vete”. Kjo në fakt ka filluar fazën e transicionit, që është kthyer në një “kriter” të reformave strukturore, shoqërore, politike dhe ekonomike.

Transicioni në një numër të madh të këtyre shteteve ka rritur pakënaqësitë dhe në disa raste (psh. Federatën Ruse) ka shkaktuar tendencat për kthim tek Autoritarizmi. Fuqizimi i Autoritarizmit rus ka ndikuar, po ashtu, në rritjen e objektivit rus për të ri-përhapur ndikimin e vet nëpër botë. Federata Ruse ka rikthyer objektivat strategjike për të përhapur ndikimin e vet kryesisht në Lindjen e Mesme dhe në Ballkan.

Në tërë këtë kontekts, “bota” e Lindjes së Mesme ka mbetur e painkuadruar dhe plotësisht e pakënaqur. Duke qenë se në atë pjesë të botës edhe më tutje nocioni “Komb” është pothuajse i panjohur, shtetet e “vizatuara” atje përfaqësojnë autoritarizëm dhe gati fare përkatësi të përbashkët etnike. E vetmja përkatësi e përbashkët në shumicën e këtyre shteteve “të vizatuara” është përkatësia fetare islame, e cila interpretohet në forma të ndryshme, varësisht nga Shkollat e Interpretimit Juridik në Islam (Madh’hab) tek Sunni-t.

Katër Shkollat e njohura të Interpretimit Juridik në Isamit tek Sunni-t (Hanafi, Hanbali, Maliki. Shafi’i) janë sfiduar ndër shekuj me “Lëvizje Reformatore” sikurse është edhe WAHHABI, që është themeluar nga Abdul Wahhab (1703-1792) dhe njihet si interpretim Ortodoks i Kur’anit.

“SALAFIZMI” është një tjetër formë e interpretimit ortodoks të Kur’anit, që sfidon katër shkollat e interpretimit juridik në Islam tek Sunni-t. Salafizmi cilësohet të ketë ngjashmëri të shumta me Wahhabizmin, por të jetë edhe më strikt në interpretim.

Terrorizmi islamik dhe kundërshtimi i “humbjes së moralit”

Derisa Rilindja Kombëtare ka ndodhur në pjesë të mëdha të botës, ky proces është kthyer në kërcënues për regjimet autoritare dhe diktatoriale në vendet e Lindjes së Mesme. Kështu, regjimet autoritare kanë investuar për dekada me radhë në “dallueshmërinë” e botës islame. Kjo është thelluar në “fuqi” të kundërshtimit të çfarëdo “vlere perëndimore”, megjithëse disa prej vlerave “perëndimore” janë të reja edhe për vet perëndimin, sikurse të drejtat e grave, LGBT-ve, liria e shprehjes apo të ngjashme.

Fuqia e kundërshtimit përfshin një shkallë të gjerë të kategorive të ndryshme shoqërore. Këtu përfshihen:

“Kundërshtuesit simpatizues” – në brendinë e tyre nuk pajtohen e tyre me ndryshimet shoqërore – p.sh “na lodhën me të drejtat e grave, boll mirë kemi qenë deri më tash”.

“Kundërshtuesit aktivistë shoqërorë” – kryesisht autoritetet morale, strukturore dhe shpirtërore – p.sh kryeplaku, i Zoti i shtëpisë, klerikët, i shkolluari i fshatit apo të ngjashëm.

“Kundërshtuesit aktivistë politikë” – kryesisht “misionarët” dhe organizatorët e lëvizjeve që kanë për qëllim politik kundërshtimin e ndryshimit dhe për më tepër si kundër-reagim ndaj “ndryshimit” bazohen në orientime tjera më “PËRMBAJTËSORE”, duke formuluar “ZGJIDHJE TË LEHTA” në bazë të interpretimeve fetare.

“Kundërshtuesit aktivistë militarë lokalë” – fazë e përparuar e “kundërshtuesve” që besojnë se “ndalimin e ndryshimit” duhet bërë me forcë/dhunë brenda lokalitetit ku jetojnë – “krahinë, republikë apo shtet”.

“Kundërshtuesit aktivistë militarë rajonalë”- fazë edhe më shumë e përparuar e “kundërshtuesve” që grumbullohen përmes “vlerave të përbashkëta kundërshtuese” në rajone të ndryshme, sikurse janë pjesë të Lindjes së Mesme apo të Afrikës Veriore, të cilët besojnë se veprimet e përbashkëta përmes forcës/dhunës janë të domosdoshme për rajonet ku jetojnë, dhe

“Kundërshtuesit aktivistë militarë globalë” – faza më e përparuar e “kundërshtuesve” të “vlerave tjera”, të cilët besojnë se përpos që duhet ndalur “ndryshimet shoqërore” nëpër botë, gjithashtu duhet që të IMPONOHEN “vlerat e vjetra që kanë mbajtur gjallë të vërtetën e njerëzimit dhe të jetës”.

Kështu, “Kundërshtuesit aktivist militar global” nuk kanë se si të dëshmojnë “TË VËRTETËN E MIRË” përposkrijimit të një identiteti politik në formë të organizimit “abstrakt” sikurse është nocioni i “SHTETIT”.

Grupet terroriste të interpretimeve fetare islame janë të ndryshme dhe dallojnë, po ashtu, edhe brenda vetes kryesisht në aspekt strategjik.

“Al-Qaeda” beson se sulmet duhet të bëhen në tokën e perëndimit si strategji për të ndalur “përhapjen e kolapsimit të vlerave morale dhe njerëzore” që “vjen” nga perëndimi. “ISIS” beson se duhet krijuar njëherë “shteti”, përkatësisht “Kalifati” – khil?fa – dhe pastaj të zgjerohet shtrirja e tij nëpër pjesë të ndryshme të botës.

“Lufta” për të krijuar “Kalifatin” është shpjeguar dhe vazhdon të shpjegohet përmes konceptit të Xhihadit – jih?d, që në të vërtetë i referohet “detyrës fetare të muslimanit”dhe si i tillë është një prej termeve që është abuzuar më së shumti kryesisht në 50 vitet e fundit. Nga “çdo përpjekje dhe angazhim për bërjen e veprave të mira dhe pozitive” deri në “Luftë të Shenjtë” që në fakt koncepti i dytë është koncept i krishterë.

Çka më tutje?

Dhuna paraqitet si element kryesor përbërës i “kundërshtimit të ndryshimeve apo humbjes së vlerave morale dhe njerëzore”. Ky kundërshtim është më i gjerë dhe më i simpatizuar në pjesë të ndryshme të botës, duke përfshirë edhe disa vende të Ballkanit Perëndimor, kryesisht për shkak të nivelit konservator të shoqërive dhe për shkak të mos-efikasitetit të shteteve në periudhën e stërzgjatur të transicionit politik dhe shoqëror.

Shoqëritë në transicion dhe shoqëritë konservatore, kryesisht për shkak të të metave të shumta në shtetësinë dhe efikasitetin e institucioneve publike, përballen me angazhim më të madh të “kundështuesve simpatizues” dhe “kundërshtuesve aktivistë shoqërorë”.

“Lufta ideologjike” përmes terrorizmit mund të vazhdohet edhe në vitet e ardhshme, kryesisht për shkak të ri-afirmimit të mundshëm të ksenofobisë dhe rritjes së mundshme të islamofobisë në vendet perëndimore. Tendencat për “përhapjen e demokracisë” mund të rrezikojnë rritjen e kundërshtuesve të kësaj ideologjie dhe zhvillimin e “aleancave” thelbësisht të panatyrshme dhe joparime midis kundërshtuesve të “komunitetit të kombeve demokratike” – sikurse mund të jenë Kina, Rusia apo vende tjera të fuqishme, por jo-demokratike.

Zhvillimet teknologjike globale, në të njëjtën kohë, rrezikojnë të “ofrojnë” mjete dhe metoda edhe më të avancuara për grupet terroriste që kundërshtojnë ndryshimet globale shoqërore – mjete të tilla mund të jenë: armët e shkatërrimit në masë.

Ballkani Perëndimor mund të një prej rajoneve me potencial më të gatshëm për të kaluar nga niveli i “kundërshtuesve simpatizues” dhe të “kundërshtuesve aktivistë shoqëror” në nivele tjera më të rrezikshme për sigurinë dhe paqen. Ndasitë dhe tensione etnike e politike në Ballkanin Perëndimor mund të ndikojnë në fuqizimin e lëvizjeve politike që përfshijnë edhe “kundërshtimin e ndryshimeve shoqërore globale apo humbjen e vlerave morale dhe njerëzore”.

Shqiptarët, si komb që ka kaluar nëpër Rilindjen Kombëtare para më pak se dy shekujve, duhet të përqendrohen në ri-afirmimin e vlerave të themeluara gjatë Rilindjes Kombëtare si strategji përmbajtësore kombëtare në ruajtjen e përkatësisë së përbashkët.

Autori është ish-deputet i Kuvendit të Kosovës dhe ligjërues i studimeve të sigurisë kombëtare

Më Shumë

Kurti: Me guximin e familjes Haradinaj, Epopeja e Dukagjinit dëshmoi vendosmërinë për çlirim

Kryeministri Albin Kurti, tha se bashkë me guximin e familjes Haradinaj, Epopeja e Dukagjinit dëshmoi vendosmërinë e popullit për çlirim. “Kushtrimi i lirisë dhe lufta...

Shtylla rrezikon banorët në Prizren

Për gjashtë vjet rresht, një shtyllë elektrike që është e tej ngarkuar me kabllo po rrezikon banorët e një shtëpie në rrugën "Edit Durham"...

Lajmet e Fundit