9.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Thashethemet

Blerim ÇOÇAJ

Thashethemet janë bërë pjesë e përditshme e jetës private, publike dhe politike në Kosovë. Ato interpretohen në mënyra të ndryshme, duke shkaktuar efekte të kundërt nga realiteti.

Interpretimi i tyre, shoqërinë dhe vendin tonë e ka kthyer prapa n’ kohë.

Të gjithë janë bërë pjesë “interesante” e thashethemeve.

Fuqia e thashethemeve në Kosovë, fatkeqësisht edhe sot po tenton të tregojë “pushtetin” e saj.

Kjo fuqi e thashethemeve, vazhdon t’i mbajë “peng” njerëzit.

Të gjithë e dimë se thashethemet nuk ekzistojnë vetëm në Kosovë.

Ato ekzistojnë edhe në shoqëritë evropiane. Por, mënyra e konceptimit të tyre në shoqëritë evropiane ku demokracia është e zhvilluar, është krejtësisht e ndryshme nga ajo që ka ndodhë deri më tash në realitetin e Kosovës.

Përhapja dhe interpretimi i thashethemeve dhe paragjykimeve nga njerëz llafazanë, shpirtvegjël e shpirtligë, të cilët marrin nëpër gojë të tjerët dhe nuk e kanë ndjenjën e përgjegjësisë edhe në mënyra të ndryshme, po vazhdon t’i shkaktojë dëme vendit tonë.

Fatkeqësisht, ato, tashmë kanë zbritur nga shtresa më e “ulët” e shoqërisë, te ajo më e “larta”, e cila po merret me politikë. Edhe pse dihet se interpretimi i thashethemeve është i dëmshëm dhe duhet t’u qëndrojmë sa më larg, të gjitha partitë politike në prag të zgjedhjeve të parakohshme të tetorit, kanë një tërheqje magnetike ndaj tyre.

Në mungesë të një vizioni dhe programi politik, në kuadër të fushatës parazgjedhore, shumë anëtarë dhe personalitete të këtyre subjekteve politike, po praktikojnë interpretimin e thashethemeve!

Por, sa mund të ketë efekte pozitive krijimi i thashethemeve ?

Vetë fakti që ato krijohen nga njerëz të ndryshëm dhe atë nga partitë politike, efekti i tyre nuk mund të jetë pozitiv.

“Krijimi i thashethemeve kërkon mençuri, por dhe mjeshtëri. Ato nuk mund të krijohen në treg nga kushdo, kurdo dhe kudo…”.

Pra, për të krijuar thashetheme, përveç, që duhet të jesh i ngritur intelektualisht, duhesh të jesh edhe ‘mjeshtër’ i mirë i tyre .

Në bazë të këtij shpjegimi, përfaqësuesit e partive tona politike, të cilët për interesa të ngushta politike, duke interpretuar thashetheme mundohen t’ia ngulin njëri-tjetrit, (s’e)kanë asnjërin nga elementet e shpjeguar .

Në mungesë të mjeshtërisë së krijimit të thashethemeve, ata janë bërë vetëm keqinterpretues të tyre, duke i lëshuar kurdo e kudo lloj-lloj, thashetheme për njëri-tjetrin. Shoqëria jonë çdo ditë e më shumë po mbahet peng nën dhunë të thashethemeve, shpifjeve, apo të inateve banale e egoiste të njerëzve të ndryshëm të partive politike.

Nën këtë dhunë të tmerrshme, ata po ia vrasin jetën çdo ditë njëri-tjetrit, më shumë se sa vrasja ekonomike. Për shumë njerëz, thashethemet që dëgjojnë, sidomos rreth vetes shkaktojnë një stres dhe presion të jashtëzakonshëm psikologjik. Nuk janë të rralla rastet kur vetëm për shkak të thashethemeve, janë shkaktuar konflikte, të cilat kanë përfunduar edhe në humbje të jetës së njerëzve.

Prandaj, interpretimi i tyre nuk do të duhej të praktikohet nga asnjë subjekt politik për marketing, gjatë fushatës zgjedhore të 6 tetorit. Krijimi dhe interpretimi i thashethemeve për njëri-tjetrin, apo njërën-tjetrën  mund tw ketw gjatë fushatws zgjedhore, por  nuk mund të prodhojnë rezultate të favorshme, e aq më pakë fitore të zgjedhjeve.

Partitë politikë këtë fushatë zgjedhore më mirë do të ishte sikur ta shfrytëzojnë për shpalosjen e vizionit, dhe programit të tyre.

Qytetarët (votuesit) më shumë se kurrë kanë nevojë të dinë se cila do të jetë perspektiva dhe e ardhmja e tyre në katër vitet e ardhshme.

Ata janë të ngopur me thashetheme të ndryshme.

Në këto zgjedhje, përveç shpalosjen e programeve konkrete për qeverisjen e vendit, qytetarët nga partitë politike po e presin edhe shpalljen e mortit të thashethemeve.

Vetëm morti i thashethemeve, shoqërinë dhe vendin tonë, do ta dërgojë përpara n’kohë.

Më Shumë

Greikoci me vetëkontribut ndërtoi objektin e shkollës

“Arsimi është një bimë tejet kryeneçe, e cila nuk gjelbëron e as që lidh kokërr në qoftë se nuk ujitet me lot e...

35 vjet nga demonstratat kundër suprimimit të autonomisë së Kosovës

Më 23 mars 1989, në Kuvendin e Kosovës, u ndryshua Kushtetuta e vitit 1974 dhe u suprimua autonomia e Kosovës në ish-Federatën jugosllave, duke...

Lajmet e Fundit