8.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Tre K të katastrofës

Papërgjegjësia e poshtërsia i kanë karakterizuar shumicën e atyre që e kanë udhëhequr Kosovën gjatë gjithë viteve të pasluftës. Për pasojë sot vendi është në kolaps dhe përshkrimi më i saktë për jetën që bëjnë kosovarët është: katastrofë!

KOLAPSI I KEK’ut: Dyshoj se dikush e di saktësisht se sa para janë investuar në Korporatën Energjetike të Kosovës gjatë gjithë viteve të pasluftës. Qindra milionë euro i ka gëlltitur dinosauri energjetik, ndërkohë që kosovarët ende jetojnë në terr dhe iu bëhet jeta terr nga mungesa e energjisë elektrike.

Në temperatura jashtëzakonisht të larta, të jetosh pa rrymë në mes të Evropës është poshtërsi. Kur i dëgjon arsyetimet e zyrtarëve përgjegjës për kolapsin energjetik, të vjen të çartesh dhe të çosh gjithçka në dreq të mallkuar. Sepse është më shumë se mallkim që 16 vjet pas përfundimit të luftës, kosovarët të përballen me probleme banale si mungesa e rrymës dhe ujit.

Qindra milionët e investuar në sektorin energjetik nuk janë menaxhuar si duhet, dyshime për korrupsion janë ngritur në vazhdimësi, por përgjegjësia vazhdon të mos ketë adresë. Mungesa e rrymës është kthyer tashmë në mënyrë jetese për kosovarët, në diçka krejt normale, që më së shumti mund të prodhojë shfryrje mllefi dhe koleksion sharjesh në adresë të të gjithë atyre që na kanë udhëhequr e na udhëheqin.

Ndërkohë, kryeministri mjaftohet vetëm të konstatojë se vendi nuk ka kapacitete të mjaftueshme që të prodhojë rrymë. Fraza të dëgjuara nga shumë të tjerë para tij. Por, nuk e ka asnjë ide se si të dilet nga kolapsi që e ka pllakosur vendin. Njerëzit duan rrymë dhe shteti është i obliguar t’ua sigurojë atë.

* * *

KOLAPSI I KUVENDIT: Nuk ka kolapsuar vetëm KEK’u. Edhe Kuvendi i Kosovës është në situatë të vështirë, në pritje për të vendosur rreth ndryshimeve kushtetuese që do t’i hapnin rrugë krijimit të Gjykatës Speciale.

Ndryshe nga situata e javëve më parë kur për fajin e deputetëve të PDK’së ndryshimet nuk u votuan, tash Hashim Thaçi, besoni ose jo, po përpiqet t’i bind deputetët e vet që të votojnë “për”. Por, më shumë se kaq, ai po përpiqet të na bind ne për përkushtimin e tij.

Loja e Thaçit me Gjykatën Speciale është aq e dukshme, sa që nuk ka nevojë për kurrfarë deshifrimi të veprimeve të tij për ta marrë vesh se çfarë qëllimesh ka. Duket përnjëmend përrallë fëmijësh rrëfimi se ai nuk po mund t’i bindë deputetët e tij për të votuar diçka. Ai mundet gjithçka.

E në pritje kinse të sigurimit të votave nga “shefi i shefave”, Kuvendi merret me themelimin edhe të një kuaziuniversiteti publik dhe pyetje kurtoazie për kryeministrin, i cili pavarësisht se në fushatë zgjedhore kishte premtuar qindra-mijëra vende pune, tash pa u skuqur fare thotë se një gjë e tillë është e pamundur të bëhet. Nëse e ka ditur se është kështu, atëherë kush e ka shtyrë me zor që të jep premtime që as Chuck Norrisi nuk mund t’i përmbushë.

E në situatën kur pa përfunduar punën e Speciales deputetët s’po guxojnë as t’i nisin pushimet verore, Kuvendi ka hapur dyert për bashkatdhetarët, për t’iu dëshmuar përgjegjësi e demokraci. Para se të bëjnë ndonjë selfie në Kuvend, të njëjtët bashkatdhetarë kanë vazhduar të paguajnë haraç në kufi, e pas vizitës në Kuvend i pret shtëpia pa rrymë e pa ujë. Gjithë kjo 16 vjet pas luftës.

* * *

KOLAPSI I KOSOVËS: Me të tillë njerëz të papërgjegjshëm që na kanë udhëhequr dhe na udhëheqin, ka kolapsuar vetë Kosova. Askush nga ne nuk e ka paramenduar kështu shtetin tonë kaq vjet pas luftës. Pa zhvillim ekonomik, me papunësi enorme e varfëri, me korrupsion e krim të organizuar. Me qytetarë të izoluar jo për fajin e tyre, me njerëz të pa shpresë.

Shifrat e premtuara për vende pune kanë ngelur veç në kronika lajmesh të fushtës parazgjedhore, premtimet për liberalizim vizash janë kthyer në objekt talljeje, e papërgjegjësia e prepotenca janë bërë virtyte kryesore të zyrtarëve shtetërorë. Pa ide si të shkohet tutje, pa cak ku po e çojnë vendin – por me ide fort të qarta si ta çojnë përpara veten dhe të vetët, me pasuri e privilegje.

Tash vendi po rrezikon izolim edhe më të madh ndërkombëtar, për shkak të lojës së Hashim Thaçit rreth Gjykatës Speciale, ndërkohë që problemet me serbët dhe Serbinë nuk kanë fund. Çështja e dialogut me Beogradin dhe Specialja po i eklipsojnë të gjitha problemet tjera jetike, duke bërë që jeta e qytetarëve të kolapsojë në shumë fusha.

Kaq vjet pas luftës, kosovarët nuk e meritojnë të vuajnë për vende pune e mirëqenie. Kaq vjet pas luftës, kosovarët nuk meritojnë qeverisje të papërgjegjshme dhe injorim të skajshëm.

Kaq vjet pas luftës, kosovarët nuk meritojnë të mbahen të izoluar, pa mundësi lëvizjeje të lirë, pa shpresë e pa dinjitet. Ata nuk e meritojnë të vuajnë për bukë, ujë e rrymë – ata nuk e meritojnë që të bëjnë jetë katastrofale./gazeta express/

Më Shumë

Vdes 41-vjeçari pasi u godit nga rryma elektrike teksa po peshkonte në Romajë

Një person ka vdekur sonte në Spitalin Rajonal të Prizrenit, pasi derisa ishte duke peshkuar me gjenerator elektrik, në fshatin Romajë, ishte goditur nga...

Si u vra para syve të gruas e vajzës? – Zbulohen detaje tronditëse të vrasjes së Beqir Morinës në Prizren

Beqir Morina u vra në mënyrë mizore me dhjetë plumba në kokë para syve të bashkëshortes dhe vajzës së tij 8-vjeçare. Aktakuza e Prokurorisë Themelore...

Lajmet e Fundit