8.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Turpërimi i Treshes

IMER MUSHKOLAJ

Aventura e rrezikshme dhe e çmendur e treshes Thaçi, Veseli, Haradinaj për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale po përfundon pa lavd. Po përfundon me turp. Ashtu edhe si nisi

Me turp, jo me lavd po përfundon aventura e Hashim Thaçit, e përkrahur edhe nga Ramush Haradinaj e Kadri Veseli për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Gati gjashtë javë pasi u përpoqën natën që ta kontrabandojnë në Kuvend votimin, presidenti është i fundit nga Treshja institucionale që u tërhoq nga loja e rrezikshme në të cilën e futi shtetin nëpërmjet një liste me nënshkrime deputetësh dhe një peticioni të manipuluar të përfaqësuesve të veteranëve të luftës.

Pas kritikave të vazhdueshme muajve të fundit në adresë të Speciales dhe pas lojës së ndytë për shfuqizimin e ligjit, Thaçi tash po siguron se gjykata nuk do të zhbëhet. Madje, po thotë se zhurma e bërë rreth kësaj çështjeje s’ka pasur nevojë të bëhej.

“Zhurmat kanë qenë të panevojshme dhe ekzagjerime të panevojshme prej kujtdo që janë bërë. Sepse Kuvendi i Republikës së Kosovës ka marrë vendim të qartë, të prerë dhe të pastër në gusht të vitit 2015 që Kosova ka pranuar – edhe pse në një rrethanë mere ose lerë – ta themelojë gjykatën dhe ai vendim është në fuqi”, ka deklaruar ai.

Në këtë mënyrë, pas dështimit për të arritur qëllimin dhe pas reagimeve të ashpra brenda e jashtë vendit, presidenti po shfaqet si grantues i zbatimit të një marrëveshjeje ndërkombëtare që dikur e imponoi të votohej, por që pas gati tre vjetësh i ra pishman.

Në këtë mënyrë, Thaçi po tërhiqet nga planet e tij që bëheshin ekskluzivisht jo për gjë tjetër, veç për pazare personale. Madje, ai u arsyetua se gjykatën si një të keqe “duhet ta gëlltisim për hir të partneriteti strategjik me botën perëndimore”.

Pra, presidenti përmend partnerët strategjikë – pikërisht ata të cilëve, që bashkë me dy udhëheqësit tjerë institucionalë, deshën t’ua ngulin thikë pas shpine.

Sa për integritetin e deputetëve që kanë nënshkruar kërkesën për shfuqizimin e ligjit veç duhet kujtuar se në vitin 2015 vetë Thaçi deputetët e partisë së tij i pat kthyer në makina votimi, duke iu bërë presion dhe duke ua imponuar ta votojnë themelimin e gjykatës.

* * *

Ndërkohë, ndryshe për aventurën e 22 dhjetorit foli edhe kryeministri Ramush Haradinaj. Në një intervistë për DW, ai është zmbrapsur nga qëndrimi i fortë pro shfuqizimit të gjykatës. Sipas tij gjykata ekziston, është krijuar me ndryshime kushtetuese, është votuar nga shumica parlamentare dhe nuk vihet në pikëpyetje. Por, pavarësisht këtij mesazhi për një media të rëndësishme ndërkombëtare, në një intervistë për media kosovare Haradinaj ka vazhduar të mbrojë qëndrimin e tij kundër gjykatës dhe në përkrahje të iniciativës së deputetëve.

Sidoqoftë, pas Kadri Veselit, Haradinaj është i dyti nga Treshja që është tërhequr nga aventura e rrezikshme. Kryetari i PDK’së ishte i pari që shprehu qëndrimin e tij në mbrojtje të gjykatës, edhe pse iniciativa ishte ndërmarrë nga deputetë të partisë së tij dhe me dijeninë e tij.

Nëse paska qenë në rregull gjithçka me gjykatën dhe Treshja e paska pasur të qartë se zhbërja e saj është e pamundshme, atëherë pse u desh që t’i futet kësaj aventure të rrezikshme për të ardhmen e vendit, pse u desh armiqësimi me shtetet aleate, pse u desh që qytetarët të terrorizohen me lloj-lloj deklaratash e veprimesh?

Përgjigje mund të ketë shumë, por më e besueshmja mund të jetë se gjithçka është bërë për të matur pulsin se çfarë mund të ndodh po që se vërtet do të zbatohej një iniciativë e çmendur si kjo për gjykatën. Natyrisht, ekziston mundësia që gjithçka të ketë qenë edhe kërcënim për të arritur të tjera pazare. Tekefundit, vetë presidenti tregoi para disa javësh se edhe në këmbim të themelimit të gjykatës, i ishin premtuar favore të shumta për vendin.

* * *

Po të mos ishin LDK e Lëvizja Vetëvendosje, si dhe ambasadorët amerikanë e britanikë, natën e 22 dhjetorit ligji për gjykatën do të shfuqizohej. Loja do të vazhdonte dhe mbase do të merrte epilog fatkeq për Kosovën edhe po të mos ishin reagimet e opinionit publik në përkrahje të gjykatës dhe kundër idesë së çmendur të Treshes.

Ata që kundërshtonin idenë e shfuqizimit të ligjit u shanë e u fyen. U quajtën edhe tradhtarë dhe njerëz të Beogradit. Ky ishte çmimi që u pagua, por shumë më i vogël se dëmi që do t’i shkaktohej vendit dhe të ardhmes së shoqërisë po që se do të luhej me gjykatën, e cila mbase do të mund të paralizohej për një kohë, por kurrsesi të zhbëhej.

Në vend se të zgjidhë probleme të mëdha, që kanë bllokuar vendin tash tre vjet, Treshja iu kthye një teme që konsiderohej e mbyllur. E që tash duket se po “mbyllet” sërish – vetëm se pa lavd e me turp.

Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/oped/turperimi-i-treshes-494654/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

Më Shumë

Kryeziu: Serbia vazhdon me regjimin e Millosheviqit, pavarësisht që kanë ndryshuar njerëzit

Ish-gjyqtari i Kushtetueses, Kadri Kryeziu, thotë se Serbia me veprimet e ngjashme si ato të sotme që ndaloi kosovarët në pikat kufitare, po tregohet...

32 vjeçari nga Suhareka dyshohet se i dha fund jetës

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë ditës së sotme në Shirokë të Suharekës, dyshohet se një person i ka dhënë fund jetës së...

Lajmet e Fundit