11.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Vilajeti i Hashimit

IMER MUSHKOLAJ

Si të ishte Kosova diktaturë, e jo republikë parlamentare, Hashim Thaçi bën çfarë t’i dojë qejfi. Pa e konsultuar kryeministrin dhe duke e keqpërdorur pozitën prej presidenti, në emër të shtetit, që e konsideron pronë të veten, vilajet të vetin, ai ndërmerr veprime për interesa të tij personale. Ky njeri është i rrezikshëm. Ky njeri duhet të ndalet.

Hashim Thaçi e konsideron Kosovën pronë të veten, me të cilën mund të bëjë çfarë të dojë. E konsideron si vilajet të vetin. Ai nuk njeh kushtetutë e ligje, nuk njeh institucione e përgjegjësi, nuk njeh procedura. Vepron si do vetë dhe çfarë do vetë, pa e pyetur askënd. Nuk ka si të arsyetohen ndryshe veprimet e tij të katër ditëve të fundit, veçse si veprime të një autokrati i cili, për interesa personale, është në gjendje të bëjë gjithçka. Nuk njeh ndarje pushtetesh, nuk njeh qeveri, i ka në dorë njerëzit në krye të Policisë, AKI’së e institucioneve të tjera.

Tre muaj pas aventurës së rrezikshme me ligjin për Gjykatën Speciale, të hënën Thaçi u shfaq ideator dhe urdhërdhënës i spektaklit me zyrtarin serb Marko Gjuriq. Të enjten, ndërkaq, ai në shenjestër pati gjashtë shtetas të Turqisë, të njohur si “gylenistë”. Ata u kidnapuan për t’u dërguar në Turqi. U kidnapuan për t’iu dorëzuar Rexhep Taip Erdoganit, sipas kërkesës së tij.

Sikurse në aksionin e të hënës në Mitrovicën Veriore, ashtu edhe në atë të së enjtes ndaj shtetasve turq, veprimet e ndërmarra ishin arbitrare dhe jotransparente. Sepse kështu deshi Hashim Thaçi, i cili për të realizuar qëllimet e veta, vuri në funksion veglat e tij, njerëzit e tij në krye të Policisë e AKI’së. Dhe jo vetëm.

Përderisa aksioni në veri dhe më pas spektakli në Prishtinë po dalin të jenë pjesë e një skenari të përgatitur ndërmjet tij dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, arrestimi i gjashtë “gylenistëve” në Turqi nuk ishte gjë tjetër veçse zbatim i urdhrit të marrë nga Erdogan.

Gjashtë shtetasit turq ishin banorë të Kosovës, me leje të vlefshme qëndrimi dhe pesë nga ta punonjës në Kolegjin “Mehmet Akif”, i akredituar sipas ligjeve të Kosovës. Veprimet ndaj tyre u ndërmorën pa i respektuar procedurat përkatëse dhe në mungesë në plotë transparence. Kjo mënyrë veprimi jo që nuk ka lidhje me vlerat evropiane që synon dhe duhet t’i përfaqësojë Kosova, por është abuzim i pastër me të drejtat e njeriut – abuzim nga Hashim Thaçi dhe njerëzit e tij.

* * *

Në gjithë këtë vorbull veprimesh të rrezikshme, ata që do të duhej të paktën të kishin njohuri se çfarë po ndodh, janë kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentari Kadri Veseli. Ata janë tërësisht të përjashtuar nga planifikimi dhe zbatimi i veprimeve që kanë Hashim Thaçin për autor.

Të hënën Haradinaj nuk kishte haber se çfarë po ndodhte në veri. E pranoi vetë publikisht se vetëm e kishte monitoruar gjendjen. Të enjten ai po ashtu pranoi se nuk kishte haber se çfarë po ndodhte me gjashtë shtetasit turq. Nëse Haradinaj nuk e di se çfarë po ndodh në shtetin që e qeveris, atëherë çfarë bën ai njeri?

Shteti sot është në duar të Hashim Thaçit dhe qeveria e udhëhequr nga Haradinaj më shumë shërben veç si dekor. Dhe Haradinaj lejon një gjendje të tillë. Qysh e pse, ai e di më së miri.

Përveç dialogut me Serbinë, Thaçi po monopolizon edhe pjesë të tjera të funksionimit të shtetit. Pa e pyetur askënd, ai po merr kompetenca që nuk i takojnë, duke i përjashtuar nga përgjegjësia dhe duke i anashkaluar njerëzit dhe institucionet që do të duhej marrë me këtë punë. Në këtë mënyrë, ai po rrezikon të ardhmen e këtij shteti, po rrezikon të ardhmen tonë – vetëm për interesa të veta personale.

Në vitin 2011, në cilësinë e kryeministrit, ai u vu në krye të veprimeve për të çuar forcat speciale policore në veri të vendit. Shtatë vjet më vonë ai veproi në të njëjtën mënyrë, veçse tash në cilësinë e presidentit. Kjo tregon se, pa marrë parasysh se në çfarë pozite është, ai bën çfarë t’i dojë qejfi, pa e pasur drojën se dikush mund ta kundërshtojë, dikush mund ta ndalojë. Sepse ai sundon vilajetin, si në kohën e otomanëve, ai sundon Kosovën.

Mbase ka dëshirë të bëhet si Erdogani, andaj i shërben verbërisht, duke ia kidnapuar dhe dorëzuar ata që ai i konsideron armiq. Mbase ka dëshirë të ketë fuqinë e Vuçiqit, me të cilin bëjnë skenarë e plane të rrezikshme.

* * *

Ata që kanë kidnapuar shtetasit turq, duke shkelur Konvetntën për të Drejtat e Njeriut, duhet të japin përgjegjësi politike e institucionale. Bashkë me urdhërdhënësit e tyre. Policia ka vepruar pa urdhër gjykate, ashtu siç ndodh veç në shtetet policore, shtete diktatoriale. Partitë politike, shoqëria në përgjithësi duhet të reagojnë dhe veprojnë ndaj Hashim Thaçit dhe aventurave të tij sa nuk është bërë vonë. Ky njeri është i rrezikshëm. Ky njeri duhet të ndalet.

Lexo më shumë në: http://m.gazetaexpress.com/oped/vilajeti-i-hashimit-517862/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

Më Shumë

Në Prizren janë regjistruar 33,756 qytetarë

Në Prizren, procesi i regjistrimit të popullsisë është në rrugën e duhur, me 33,756 qytetarë të regjistruar deri më tani. Koordinatori i komisionit komunal, Haxhi...

Totaj inspekton ndërtimin e obeliskut të UÇK-së

Në vazhdën e punimeve, në projektin “Ndërtimi i infrastrukturës (rrugëve dhe ambientit), turizmit kulturor në Leskovec”, sot, kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, së bashku...

Lajmet e Fundit