9.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Viti 2017, vit i zgjedhjeve, por jo i zgjidhjeve

Shkruan: BLERIM BURJANI

Qytetarët e pashpresë

Alternativa më e mirë për shtetin është të themelohet një lloj lëvizje e re politike, që do të heqë këta njerëz nga pushteti dhe opozita. Të dyja palët janë përgjegjëse për këtë situatë. S’ka rend e ligj, s’ka barazi, e as zhvillim me këta njerëz të pangopur për pushtet. Nëse qytetari do ndryshime, duhet të riorganizohet

Vitin që po e lëmë pas ishte një vit i sfidave për shtetin, zgjedhje në dy nivelet, por pa ndonjë përparim, madje as edhe një hap premtues se në të ardhmen, apo në ketë mandat që morën, këto parti do të ofrojnë zgjidhje ekonomike, së pari mirëqenie shëndetësore dhe një siguri sociale. Të tri këto prioritete që ka shteti, asnjëra prej tyre, nuk u shikua si realitet dhe domosdoshmëri, por si retorikë fjalësh dhe dhënie të premtimeve për ndërtim të asfaltit, shkollave, rrugëve. Këto parti kanë humbur në paaftësinë e tyre dhe shtetin e shohin si kompani ndërtuese, por jo zhvilluese dhe jo nxitëse të zhvillimit ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Pas zgjedhjeve nacionale doli një koalicion i shumë partive dhe formuan qeveri, duke i dhënë mandat një partie të vogël dhe një njeriu të pasionuar për këtë mandat, pa marrë parasysh kapacitetet që nuk janë kurrfare për asnjë fushë, në fjalën popullore thuhet: “Ky njeri s’ka as marifet”, por ka pleqëri të problemeve dhe bën negociata të odave me faktorë të ndryshëm lokalë, ndërkombëtarë. Politikën e sheh si me qenë “zot shpie”, s’ka dert “sa është i zoti i shpisë”. Shtetit po përjeton një luftë për pushtet të ashpër, që ka të bëjë me atë se kush qeveris me të mirat publike, por jo për qytetarin. Në të dyja palë zgjedhjet, pra në dy nivele, ishin zgjedhje ekspres, pa përgatitje të këtyre partive për pushtet, por të përgatitura për të “ndarë kulaçin e pites”. Edhe ashtu një numër i madh i këtyre njerëzve janë rritur me pite”, por lëngun dhe lakrorin e kanë harruar se kanë dalë në kaviar dhe luks marramendës.

Hutimi i popullit

Qytetarët janë të hutuar, ka alternativa të këqija, por ka edhe më keq, njëherë s’do të ketë një alternativë pasi votuan të njëjtit, të cilët i sprovuan disa herë dhe morën të njëjtën përgjigje, s’ka zhvillim dhe s’ka ndryshim në jetën e tyre, por ka stagnim dhe izolim. U votua çuditshëm, në nivel qendror votuan njerëz plotësisht të papërgatitur edhe për jetën e tyre personale e lëre më për shtetin dhe doli një fotografi nga zgjedhjet më komike. U votua për parti që shajnë gjithçka dhe pa asnjë alternative të ofruar, përderisa partitë tradicionale kaherë kanë humbur objektivin e tyre të reformohen. PDK-ja gjendet në një kolaps, duke ndjekur reformën me njerëz të dëgjueshëm dhe jo të dijshëm, ashtu duke shkuar me vrap teposhtë dhe pa u ndalë kund. Politika e të dëgjueshmit dhe servilit është dështim total. Kadriu ka dy rrugë, nëse merr mandatin sërish të kryetarit, as ai sakët s’e di çka duhet të bëjë në këtë gjendje që gjendet PDK-ja. Ka provuar me reformë gjinore, nuk po ec, provoi edhe me reformë, duke u dhënë hapësire disa të rinjve që janë shokë ndërmjet veti, e kjo prapë është formulë dështuese. Nga t’ia mbajë Kadriu, në mes të vjetrës dhe të resë që ka ofruar s’po gjen rrugën e duhur të reformës. Të gjithë e dimë se nuk mund të bëhet parti me miq, por me njerëz të përgatitur mirë.

Fatkeqësisht nuk ka mundur të gjejë asgjë, madje edhe idetë që i ka janë konfuze. Duket se ky subjekt politik përkundër një numri të madh të përfituesve që ka s’po gjen njerëz adekuatë të qeverisin shtetin dhe të lënë anash zhvatjen e buxhetit, nepotizmin. Pastaj i kanë keq punët me gjykata, si ato vendore edhe ato ndërkombëtare, në njërën anë të ndjekur nga gjykatat vendore e në anën tjetër të përndjekur nga Gjykata Speciale. Sugjerimet do të ishin që ky subjekt duhet të reformohet përmes zëvendësimit me njerëz profesionalë dhe biznesmenë që kanë autoritet publik dhe janë të njohur për publikun për ndonjë punë të mirë dhe të dobishme për shtetin. Sot patriotizmi duhet të zëvendësohet me njerëz që ofrojnë zhvillim ekonomik dhe mirëqenie. LDK-ja duket të jetë në rrugë drejt reformës dhe duket të ketë shpresë, edhe pse me disa njerëz të shoqërisë civile që janë individë që dinë veç të kritikojnë, por nuk kanë asnjë kapacitet për ndonjë fushë për të ofruar. Ata duket se ofrojnë vetëm kritikën e kritika pa zotësi në politikë nuk vlen, se nuk ia sheh hairin kush kritikës boshe pa kontribut. Përmes kritikës dhe jo punës më shumë bëhet dëm sesa fitim. Prandaj, kështu nuk ec përpara. LDKja arriti në zgjedhjet lokale të gjendet mirë në krahasim me PDK-në dhe kjo rrit shpresat për një reformë më të madhe, tashmë nuk janë deputetë të LDK-së disa pensionistë që kanë ndenjur kot 16 vjet në Kuvend pa hair. VV-ja ka filluar përçarjen, edhe pse edhe ashtu brenda ishte e përçarë, sidoqoftë këtë subjekt politik askush s’e merr në botën intelektuale serioze, por vetëm si negacion i së keqes. Ky subjekt përbëhet prej tipave që ia mësyjnë me sharje dhe kritika që vijnë në pushtet pa asnjë ndryshim të vetëm.

Kuvendi dhe kjo qeveri janë shumë të dobët

Të dy këto institucione të dobëta për kah përbërja kanë grumbulluar kryesisht njerëz të papunë dhe anonimë, edhe pse një pjesë e tyre janë strukturë e vjetër e punës së Kuvendit. Asnjë deputet nuk ofron asnjë iniciativë zhvillimore. Opozita sillet se s’ka përgjegjësi dhe me inat, pozita shumë e dobët dhe pa njerëz të mirëfilltë. Qeveria duket si në filmat komedi me përplot hajgarexhinj në poste publike, zëvendësministra pa lidhje dhe të paaftë, të punësuar me mandat. Pra, kemi një pasqyrë cirku dhe jo serioziteti. Kosova pa liberalizim të vizave është e izoluar plotë- sisht, tash janë edhe kushte tjera si demarkacioni, asociacioni i komunave, lufta kundër korrupsionit. Kjo e fundit edhe më e rëndë se të gjitha, përderisa Ministria e Drejtësisë merret me ligje dhe analiza e hulumtime që është blerje kohe dhe kotësi e plotë se s’ka asnjë rezultat. Pra, BE-ja kërkon fakte juridike të dhëna dhe aktgjykime e jo pallavra për ndryshim të ligjeve dhe nxjerrje të ligjeve të rejave. S’ka luftë konkrete kundër korrupsionit, nepotizmit, zhvatjes së buxhetit? Këto dhe shumë tema tjera e presin shtetin në vitin 2018. Asnjëra nuk është në rend të zgjidhet, por vetëm të sillen vërdallë si tema, përderisa kjo qeveri me e dobëta e mundshme flet për liberalizim të vizave. Kuvendi përbëhet nga njerëz anonimë, herë shkojnë në seanca e herë jo. Kështu si janë as që ka nevojë të shkojnë se nuk ka hair prej tyre.

Viti 2018

Njëherë stagnim e me vonë mund të ndodh të bjerë qeveria, po qe se nuk zgjidhet çështja e demarkacionit. Pra, shteti mund të shkojë në zgjedhje më së largu deri në maj. Kjo qeveri është humbje kohe dhe pa shpresë për zhvillim ekonomik dhe pa shëndetësi efikase të përgjegjshme. Problemet e mëdha e kanë katandisur qytetarin e rëndomtë të shtetit, përderisa njerëzit punësohen përmes politikës, shumica të papunë dhe të pashpresë, e i shikojnë të gëzuar ata të punësuar e tjerët, pjesa dërmuese e shikojnë hartën e Evropës ku të ndalen. Prandaj vështirësi të mëdha e presin shtetin dhe qytetarin, derisa këto parti luftojnë për pushtet. Ecuria pritet të jetë e njëjtë, midis stagnimit dhe zhvillimit, në mes të prosperitetit dhe varfërisë ekstreme.

Vetëdijesimi i qytetarit, rol kryesor për ndryshime

Pa vetëdijesim të qytetarit s’ka zhvillim, e Kosova duket se është larg nga ky vetëdijesim dhe për këtë arsye çmimin e paguajnë fëmijët, të sëmurët. Përderisa politika zhvillohet për partitë , qytetari mbetet i vetmuar.

Për një klasë të re politike

Më e mira alternativë për shtetin është të themelohet një lloj lëvizje e re politike që do të heqë këta njerëz nga pushteti dhe opozita. Të dy palët janë përgjegjës për këtë situatë. S’ka rend e ligj, s’ka barazi e as zhvillim me këta njerëz të pangopur për pushtet. Nëse qytetari do ndryshime, duhet të riorganizohet. Populli e ka në dorë këtë. Detyra kryesore e intelektualëve dhe klasës se biznesit është të themelojnë një iniciativë të gjithmbarshme politike që shteti të integrohet më shpejt në BE dhe struktura auroatlantike.

Më Shumë

Pas 26 vjetësh zbuluan se nuk kishte vdekur, stërnipi i Isa Boletinit tregon si i shpëtoi ekzekutimit nipi 19 vjeçar

Gazmend Boletini, stërnipi i Isa Boletinit, foli në detaje rreth historisë së familjes së tij, kryesisht për pasardhësit e kësaj familje. Ai zbuloi në ndër...

Nga 1 prilli nëse nuk e pastron baltën nga mjeti, gjoba do të jetë 1 mijë euro

Në fillim të prillit pritet të fuqizohet Ligji i ri për rregullat në trafik. Kështu, parashihen gjoba të ashpra ndaj shkelësve. Iniciuesit e këtij ligji...

Lajmet e Fundit