11.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Votën s’e ke borxh

IMER MUSHKOLAJ

Vota është e vlefshme dhe secili duhet ta shfrytëzojë ashtu siç beson se është më së miri. Vetëm #MeVotë mund t’i ndëshkojmë ata që nuk kanë punuar sa duhet dhe t’iu japim shansin atyre që na kanë bindur se e meritojnë. Vota, e jo abstenimi është fuqia e secilit prej nesh. Andaj, voto në mënyrë të drejtë. Mos e ço mundin kot. Nuk kemi vota me na shku dëm!

Kur iu ankova kryetarit të komunës se nuk e kishte kryer punën si duhet, pasi që më kishte dëmtuar pronën time dhe nuk e kishte sjellë në gjendjen që duhej me rastin e shtrimit të rrugës, përgjigjja e tij ishte ajo që edhe e prisja: ”Mos u anko, ta kemi shtru rrugën”. M’u desh t’ia sillja ndërmend një fakt që ai e di mirë – se rrugën nuk ma kishte shtruar ai, aq më pak mua, por rruga ishte rregulluar me para të taksave tona, për të gjithë qytetarët që e shfrytëzojnë atë, e jo vetëm për ne, banorët e lagjes.

Ky diskurs dominon ende në qasjen e shumicës së kryetarëve të komunave, karshi përgjegjësisë ndaj qytetarëve që i qeverisin. Mënyra se si ata përpiqen t’i personalizojnë punët që i kryejnë është aq banale, sa që krijohet përshtypja se qytetarët ua kanë votën borxh.

Asnjë kryetar komune nuk kryen asnjë punë me para të veta. Madje, përveç pagës të cilën e marrin për punën që bëjnë, ata përfitojnë edhe të tjera privilegje nga taksat e qytetarëve. Andaj, rrugët që i shtrojnë, kanalizimet e parqet që i rregullojnë, shkollat e ambulantat që i ndërtojnë, ata i realizojnë me paratë e qytetarëve. Të zgjedhurit e kanë përgjegjësinë për t’ua bërë qytetarëve jetën më të mirë, andaj asnjë investim nuk duhet konsideruar si dhuratë që ka bërë kryetari ose komuna.

Secili kryetar komune përballet me ankesa të shumta, ngase problemet në gjithë vendin janë të panumërta. Por, nëse qytetarët nuk e shfrytëzojnë të drejtën e votimit, nuk kanë arsye as të ankohen. Me votën e tyre ata të zgjedhurit i bëjnë përgjegjës për t’ua zgjidhur problemet – që nga ato infrastrukturore, e deri te ato sociale dhe ekonomike.

* * *

Shumë të rinj do ta kenë rastin që për herë të parë të votojnë në zgjedhjet e 22 tetorit. Ata kanë lindur dhe janë rritur në një vend të lirë, por me shumë probleme. Në një vend “me perspektivë”, por që nuk ofron shumë për ta.

Shumë nga ta sivjet kanë përfunduar shkollën e mesme dhe janë regjistruar në fakultet. Gjatë gjithë jetës së tyre kanë parë politikanë që kanë ardhur e ikur nga pushteti, që kanë premtuar e pak nga ato që kanë thënë i kanë realizuar.

Shumë nga ta mund të jenë të zhgënjyer me atë që iu ofron atdheu, por është radha e tyre që të jenë pjesë e vendimmmarrjes për të ardhmen.

Ata do të hedhin votën për herë të parë në kutinë e votimit dhe vota e tyre ka vlerë. Por, përpara se ta bëjnë një gjë të tillë, e rëndësishme është që ta dinë saktësisht se si dhe për kë po votojnë.

Të dinë se si praktikisht duhet plotësuar fletëvotimet, duke u siguruar se vota nuk do t’iu shkojë huq. Të dinë se vota e tyre ka peshë dhe nuk duhet neglizhuar. Të dinë se ndryshimet mund të arrihen vetëm duke e shfrytëzuar të drejtën e votës.

Me votën e vet, ata vendosin se në çfarë mjedisi do të jetojnë, çfarë shërbimesh shëndetësore do të marrin, çfarë shërbimesh publike do t’iu ofrohen, në çfarë kushtesh mund të bëjnë biznes, çfarë infrastrukture do të ndërtohet e çfarë taksash do të paguajnë.

Me votën e vet, ata vendosin se cila do të jetë rruga drejt një të ardhmeje më të mirë.

* * *

Përtej përzgjedhjes së kandidatëve që bindin se janë më të mirët, më e rëndësishmja më 22 tetor është që të gjithë të dalin dhe ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar. Për të votuar qartë dhe drejt.

Abstenimi nuk është zgjidhje. Vota për kandidatë të caktuar mund të jetë edhe votë ndëshkimi për të tjerët, për ata që konsideroni se nuk kanë punuar si duhet. Pra, ata mund të ndëshkohen vetëm me votë. Siç mund t’ua jepni shansin, po me votë, që të qeverisin ata që konsideroni se e meritojnë.

E të tillët duhet të jenë ata që shërbimin ndaj qytetarit e kanë prioritet. Ata që paranë publike nuk e keqpërdorin, por e kthejnë në investime për një jetë më të mirë.

Të tillët duhet të jenë ata që votën tënde e konsiderojnë besim e përgjegjësi, e jo diçka që ua ke borxh.

Vota është e vlefshme dhe secili duhet ta shfrytëzojë ashtu siç beson se është më së miri. Vota, e jo abstenimi është fuqia e secilit prej nesh. Andaj, voto në mënyrë të drejtë. Mos e ço mundin kot. Nuk kemi vota me na shku dëm!

Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/oped/voten-s-e-ke-borxh-445976/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

Më Shumë

Lajmet e Fundit