11.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Zgjedhjet -festival apo shfaqje teatrale?

 

Ditar Kabashi

Krahas gjallërisë që ofrojnë, muajt e verës njihen edhe për organizimet e festivaleve. Gjithandej lulëzojnë koncertet muzikore, ekspozitat e artit pamor dhe panairet e ndryshme. Bën vaki që në këta muaj të organizohen edhe zgjedhjet politike. Edhe këto janë festivale.

Po, pra, zgjedhjet janë garë e lirë, e pavarur, me mundësi të barabarta ku secili garues do t’i nënshtrohet vlerësimit të jurisë: votuesit. Gjersa të tjerat janë të natyrës artistike, sakaq del se zgjedhjet janë festival i demokracisë. E demokracia fuqizohet kur gjithçka në këtë organizim shkon për së mbari.

Megjithatë, fletëvotimi dhe kutia e votimit nuk janë tregues i mjaftueshëm për zgjedhjet. Pa mundësitë e barabarta në zgjedhje dhe pa garancitë e nevojshme se procesi do të kalojë i zhveshur nga ndërhyrjet dhe trysnitë, nuk mund të flitet për standarde të zgjedhjeve demokratike. Fundja, në kuptimin formal, zgjedhje ka pasur edhe në regjimet e mëparshme komuniste, ashtu siç ka edhe në regjimet autokratike të botës bashkëkohore.

Kujtojmë veprën monumentale “Ferma e Kafshëve” të George Orwell-it, ku Skulieri propagandonte zgjedhjen e Napolonit pa kundër kandidat në krye të Fermës: “Shokë, mos t’ju gënjejë mendja se të udhëheqësh është kënaqësi. Përkundrazi, është një përgjegjësi e madhe dhe e rëndë. Më shumë se kushdo tjetër, shoku Napolon e ka të tijën moton: të gjitha kafshët janë të barabarta. Me kënaqësi ai do t’ua kishte lënë barrën e marrjes së vendimeve. Por, shokë, mund të ndodhë që ju të merrni vendime të gabuara. Ç’u kuptuam pastaj?!”
***
Më 30 qershor 2019, Shqipëria votoi. Apo më saktë: votoi një pjesë e shtetasve shqiptarë.

Dalja e ulët në votime është një tipar faktik i disa vendeve të Ballkanit. Zgjedhje parlamentare, presidenciale, lokale, referendumet… Të gjitha format e mundshme të votimeve karakterizohen me numër relativisht të ulët të zgjedhësve.
Kësisoj, ndoshta për shkak që vetë demokracia në këto vende është në shkallë të ulët, që në frymëmarrjet e para ajo ka lindur e gjymtë: hapin historik të krijimit të pluralizmit duhej ta hidhnin protagonistët që një pjesë bukur të mirë të jetës së tyre e kanë çuar në shërbim të sistemit monist. Kur kësaj i shtohet edhe mungesa e edukimit të duhur mbi konceptet demokratike në shkolla e deri tek forumet partiake dhe organizatat joqeveritare, afërmendsh, qytetari nuk e fiton ndjesinë dhe as vetëdijen se ai është alfa e zhvillimit të demokracisë. Kështu, demokracia merr trajtën e një nocioni abstrakt, i përdorur në punime shkencore, analiza socio-politike, akte juridike dhe aq më shpesh në diskursin e përditshëm politik – fatkeqësisht – si i zhvlerësuar sa më s’ka.

Duke parë modelin e çoroditur të Shqipërisë, mund të ngrihet një paralele për Kosovën, e mbase edhe për vendet e tjera të rajonit. Ta zëmë, nëse ndonjëra apo disa nga partitë e mëdha do të bojkotonin zgjedhjet, siç ngjau në zgjedhjet e fundit në Shqipëri, me çfarë ngjyrash do pikturohej tabloja politike? Forcat politike që s’arrijnë ujdinë brenda mureve të Kuvendit, ku dhe si do të gjenin kurajën e konsensusit për çështjet vitale shtetërore? Mirë, mospjesëmarrja në organin ligjvënës nuk është fundi i botës, por si do të gjendej rrugëdalja e përfaqësimit të shtresës së popullsisë që mbështet programin e një subjekti të caktuar?

Përtej bojkotimit të planifikuar të zgjedhjeve nga një mori partish, klasa politike në Shqipëri duhet ta ketë parë (dhe ajo e Kosovës duhet të ketë nxjerrë mësim) se me politika të gabuara qytetarët braktisin atdheun dhe vendi zbrazet dukshëm duke u vërejtur mungesa e theksuar fizike e votuesve. Megjithëkëtë, ka edhe nga ata që s’lëvizin gjëkundi por janë të zhgënjyer aq sa nuk duan të dëgjojnë për zgjedhje. Të tillët kanë humbur besimin se mund të vijë një ndryshim i mirëfilltë nga kasta e politikanëve, pavarësisht taborit ideologjik. Kjo shtresë shpreh vullnetin e vet qytetar nëpërmjet rrezatimit të indiferencës ndaj çdo gjëje që iniciohet nga ana e pushtetarëve. Në sytë e tyre, gjithçka e nisur nga politikanët aktualë është një farsë që përditëson realitetin e hidhur të jetuar më parë.
***
Legjitimiteti i pushtetit në demokraci nuk mund të jetë i shkëputur nga dy komponentë bazikë: zgjedhjet e lira, demokratike, të barabarta, konkurruese e transparente si dhe garantimi i lirive dhe të drejtave të themelore.
Cenimi i procesit zgjedhor nuk ka të bëjë vetëm me problemin e përcaktimit të mazhorancës. Drejtpërsëdrejti ndërlidhet edhe me kategoritë moderne kushtetuese të të drejtave të njeriut si: liria e shprehjes, liria e asociimit, liria e lëvizjes, etj.

Zgjedhjet duhet të sjellin stabilitet social, siguri për të gjitha shtresat dhe respektim të vullnetit popullor të dalë nga kutitë e votimit. Rregullat e lojës duhen respektuar dhe nuk mund të ndryshohen në çdo moment. Të sfiduarit e njëri-tjetrit duhet bërë në suaza të kufijve të zgjedhjeve demokratike, të cilat janë garanci se nuk plas anarkia dhe nuk dëmtohet legjitimiteti. E kundërta sjell kaos dhe dhunë.

Shteti i së drejtës përcakton rregullat për mbarëvajtjen e ardhjes dhe largimit nga pushteti. Kur veprimet realizohen sipas rregullave, pavarësisht rezultatit zgjedhor, fituesit dhe humbësit kontribuojnë për demokracinë. Për këtë arsye, organizimi i zgjedhjeve duhet bërë në një konsensus paraprak, i cili nuk do të lejonte prodhimin e kontestimit të më pastajmë të tyre.

Se zgjedhjet mund të shpallen legale, është punë që kryhet fare lehtë kur kontrollon aparatin shtetëror. Me një vendim të institucionit kompetent mund të përligjen apo të shpallen të pavlefshme juridikisht zgjedhjet e organizuara në mënyrë të tillë. Bile, si akt i menderosur, ndodh të manipulohet numri i zgjedhësve ose “të votojnë” edhe ata që tashmë nuk janë të gjallë. Këso marifetesh nuk janë të huaja veçmas për opinionin e vendeve ballkanike. Pikërisht të tilla veprime i shndërrojnë zgjedhjet në një teatër me artistë plot.

Pushteti nuk është pronë e asnjë subjekti politik. Në thelbin e zhvillimeve politike dhe në frymën e demokracisë gjendet parimi i pashkruar që ardhja në pushtet ndërron dorë. Duhet lexuar mjaft me kujdes secilën risi të jetës publike. Po, zgjedhjet janë festival. Por, jo edhe shfaqje teatrale.

Më Shumë

Sindikata e Arsimit paralajmëron protestë më 1 maj

Sindikata e Arsimit ka paralajmëruar se nëse qeveria nuk shqyrton kërkesat dhe shqetësimet e paraqitura nga kjo sindikatë, do ndërmerren veprime sindikale. Drejtues të kësaj...

Mjekët shpjegojnë se çfarë ka ndodhur me Evan Ndicka

Deklarata e Roma-s ka bërë të qartë se Evan Ndicka nuk kishte ndonjë patologji kardiake, ndaj dhimbjet e gjoksit dhe vështirësitë në frymëmarrje i...

Lajmet e Fundit