11.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Panair i artizanateve në shenjë të 28 Nëntorit

Panair i artizanateve-28 NëntoriPunime prej drurit, argjendit, punëdore, ushqime të ndryshme të konzervuara janë disa prej karakteristikave të panairit që është hapur në Prishtinë, e që po mbahet për nder të flamurit shqiptar

Organizata joqeveritare e grave “Dera e hapur”, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, kanë organizuar sot, për nder të 101-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, panairin tradicional me ushqime të prodhimit vendor dhe veshje tradicionale, në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë.

Punime prej drurit, argjendit, punëdore, ushqime të ndryshme të konzervuara janë disa prej karakteristikave të këtij panairi që po mbahet për nder të flamurit shqiptar.

Arta Shushka, nga OJQ “Dera e hapur”, në cilësinë e organizatores ka theksuar për “KultPlus” se në këtë panair marrin pjesë organizata të ndryshme të cilat janë prodhuese dhe fabrikuese të veshjeve kombëtare.

“Në këtë panair po marrin pjesë vetëm organizata joqeveritare të grave të cilat veprimtarinë e tyre e shfaqin në Kosovë, ku po prezantojnë ushqimin dhe artizanatet e tyre. Të gjitha ushqimet janë sipas standardit ISO”, ka thënë ajo.

Ndërkohë, Emine Tahiri nga organizata e gruas “Gruaja e Minatorit”, ka deklaruar se në këtë panair kjo organizatë është duke prezantuar veshje me motive kombëtare të trevave shqiptare të Kosovës.

“Ne prodhojmë dhe promovojmë punime dore prej çorapëve deri te qilimat. Posedojmë garniturë të veshjeve kombëtare si kapela, këmisha, pantallona e shumë punime tjera”, ka thënë Tahiri duke shtuar më pas se punimi i një flamuri të një madhësie të vogël me shqiponjën kuq e zi iu merr kohë atyre dy ditë për ta qëndisur atë.

Kurse, Kadri Bunjaku nga biznesi i çajit “99 lule”, ka thënë se në këtë panair kushtuar festës kombëtare të 28 nëntorit, po prezantojnë edhe lloje të çajit që kanë efekt mjekues.

“Kemi afro 20 lloje të çajit të cilat janë kryesisht nga malet e trevës së Kamenicës. Janë tejet ekologjike dhe pa herdicite”, ka thënë shkurt Bunjaku.

Ky panair i cili do të jetë i hapur gjatë tërë ditës së sotme, njëkohësisht ka hapur edhe aktivitete kulturore të organizuara nga Drejtoria për Kulturë e Komunës së Prishtinës, ku për nder të festës kombëtare gjatë kësaj dite në kryeqytet do të ketë organizime argëtuese për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Më Shumë

Lajmet e Fundit