14.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Prindërit dhe mësuesit heronj të pandemisë

Lumnije Rakaj

Erdhi dhe përfundoi pranvera, por jo si herave të tjera me atë bukurinë e gjallërinë e saj, ngase tërë botën e kaploi situata e rëndë e krijuar nga pandemia COVID 19.

Kjo periudhë tremujore na përcolli me shumë sfida e vështirësi, por puna e palodhshme e mësimdhënësve dhe reagimi pozitiv i prindërve, bashkëpunimi e mirëkuptimi i tyre, duke na mbështetur maksimalisht me mundësitë e tyre bënë që mësimin në distancë të lehtësohet sado pak.

Mësuesit ndikojnë në çdo kohë, prandaj duke parë situatën dhe mjetet teknologjike në dispozicion, pritshmëritë e nxënësve, bashkëpunimin e prindërve menjëherë filluam komunikimin përmes platformave të ndryshme elektronike që të jemi sa më afër nxënësve.

Gjatë kësaj periudhe mësimdhënësit janë përpjekur që përveç mësimit të realizojnë aktivitete të ndryshme që fëmijëve për asnjë çast të mos u mungojë shkolla, shokët dhe shoqet edhe pse ishin të izoluar, sepse edhe neve na munguan ata, buzëqeshjet dhe energjia e tyre pozitive, e cila na ka motivuar që të përpiqemi edhe më shumë, mirëpo as fëmijët nuk e patën të lehtë, ata janë lulet më të bukura të pranverës dhe nuk e kanë merituar këtë izolim.

Fëmijët u munduan aq shumë, saqë dashuria e tyre për shkollën, dijen dhe diturinë u përcoll edhe gjatë mësimit në distancë. Ata edhe pse janë të vegjël e kuptuan shumë shpejt që duhet ta kemi parasysh shëndetin dhe sigurinë dhe u përshtatën me mënyrën e mësimit që e zhvilluam, por përsëri pas çdo mësimi pyetja e tyre ishte: “Kur do të kthehemi në shkollë? Po nëse fillon mësimi a duhet të vijmë në shkollë me maska dhe dorëza?”

Secili profesion ka sfidat e veta, e sfida më e madhe për ne si mësimdhënës në këtë periudhë ka qenë vlerësimi, por falë MASHT-it, DKA-ve dhe drejtorëve të shkollave, që na kanë informuar në çdo kohë, jemi munduar që të bëjmë një vlerësim më motivues që nxënësit të mos demoralizohen nëse nuk i arrijnë rezultatet e dëshiruara.

Pas tre muaj e gjysmë mësimi në distancë, aktivitete, nxënie diturish, etj., erdhëm në përfundim të një etape shumë të rëndësishme, në fund të vitit shkollor 2019/20, një përfundim që do të mbahet gjatë në kujtesën e secilit…

Ne shpresojmë që pushimet verore të jenë të përcjellura me dashurinë prindërore, me dashurinë Tuaj ndaj librit dhe lojërave me bashkëmoshatarët tuaj, në mënyrë që në shtator fillimi i vitit të ri të na gjej të gatshëm në rrugëtimin drejt sukseseve të reja, të cilat i dëshirojmë të gjithë.

Ne që Ju duam pa masë urojmë që të keni vetëm suksese të njëpasnjëshme sepse sukseset janë krenaria jonë dhe e familjes. Dhe krejt në fund ju dëshirojmë: Pushime të mbara e ditë të këndshme verore! Shumë urime për sukseset e arritura në mësime në këtë periudhë sa të gjatë dhe mëse të vështirë për të gjithë!

Uroj që ditët e bardha të vijnë sa më shpejt dhe këtë periudhë të vështirë le ta mbulojë pluhuri i harresës dhe të mos përsëritet kurrë, duke shpresuar që situata të normalizohet dhe në shtator t’i kthehemi jetës e punës në shkollë, ta ndjejmë sa më parë atë zhurmën e këndshme të nxënësve në oborrin e shkollës, zërin e ëmbël të fëmijëve si cicërima e zogjve.

Fëmijët janë yje që natën e bëjnë ditë,
Janë mëngjese që agojnë me plot dritë,
Janë lule shumëngjyrëshe me plot erë
Janë dallëndyshe që sjellin veç pranverë.

26 qershor 2020

Më Shumë

Lirohen katër policët e ndaluar nga Serbia, jo edhe Jankoviq

Katër policët e Kosovës, të cilët janë ndaluar që nga dje nga autoritetet e Serbisë, janë liruar. Një gjë të tillë e bëri të...

Kupa e Kosovës, nesër zhvillohen ndeshjet kthyese të gjysmëfinaleve

Nesër zhvillohen ndeshjet kthyese të gjysmëfinaleve të Kupës së Kosovës. Në fakt, ndeshjet ishin planifikuar të luhen në javën e kaluar, por Federata e Futbollit...

Lajmet e Fundit