7.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Prizren, shtyhet rigjykimi për tentim vrasje

Të premten, në Gjykatën Themelore në Prizren ka dështuar të mbahet seanca ndaj Rinor Xhaferit, i akuzuar për tentim vrasje, Bekim Xhaferit, i akuzuar për veprën penale pjesëmarrje në rrahje dhe Agron Sopaj, i dëmtuar, tani i akuzuar për lëndim të lehtë dhe të rëndë trupor.

Para fillimit të kësaj seance, i akuzuari Agron Sopaj kërkoj nga trupi gjykues që seanca e sotme të shtyhet, me arsyetimin se Oda e Avokatëve të Kosovës sapo i ka siguruar mbrojtësin e tij sipas detyrës zyrtare, avokatin Shaban Berisha.

I akuzuari Sopaj tha se i duhet pak kohë për konsultim me avokatin për ta informuar rreth lëndës.

Pas një pauze prej 5 minutave, mbrojtësi i të akuzuarit Sopaj, avokati Shaban Berisha i caktuar nga gjykata sipas detyrës zyrtare, deklaroi se nuk është në gjendje që të marrë pjesë në këtë lëndë penale, duke kërkuar nga gjykata që t’a liroj dhe ta njofton Odën e Avokatëve të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Për shkak të gjëndjes time shëndetësore dhe moshës, konsideroj se nuk jam në gjendje që të marr pjesë në këtë lëndë në mbrojtjen e të akuzuarit Agron Sopaj, andaj e lus gjykatën që të më lirojë dhe ta lajmërojë Odën”, ka deklaruar avokati Berisha.

Më pas, i akuzuari Sopaj i propozoi gjykatës që në shqyrtimin e ardhshëm të ftohet eksperti dr.Flamur Dylhasi.

Duke pas parasysh kërkesat në fjalë, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Ajser Skenderi mori aktvendim për aprovimin e propozimit nga ana e të akuzuarit që shqyrtimi i sotëm nuk do të mbahet, e njëjta u caktua për 11 dhe 12 shkurt 2021, në ora 10:00.

Po ashtu, gjykatësja Skenderi tha se përveç dëshmitarëve, me ftesë të rregullt do të ftohet edhe eksperti dr. Flamur Dylhasi, si dhe do të njoftohet Oda që të akuzuarit Sopaj t’i sigurohet një mbrojtës tjetër sipas detyrës zyrtare.

Ndryshe, për këtë rast Gjykata Themelore në Prizren në tetor të vitit 2018, kishte shpallur aktgjykimin, me të cilin Rinor Xhaferin e kishte shpallur fajtor për veprën penale “lëndim i rëndë trupor” dhe e kishte dënuar me 15 muaj burgim.

Bekim Xhaferin e kishte dënuar për veprën penale “ pjesëmarrje në rrahje” me tre muaj burgim.

Ndërsa Agron Spën, për veprën penale “lëndim i rëndë trupor” e kishte dënuar me 6 muaj burgim, kurse për veprën penale “lëndi i lehtë trupor” me tre muaj burgim, duke i shqiptuar dënimin unik prej 8 muaj burgim efektiv.

Për këtë, Gjykata e Apelit e Kosovës kishte marrë aktvendim për prishjen e aktgjykimit dhe rastin e kishte dërguar në rigjykim.

Vlen të theksohet se këtë lëndë penale e kishte në gjykim dhe rigjykim gjykatësi Xheladin Osmani, mirëpo sipas ankesës së palës së dëmtuar, tani të akuzuarit Agron Sopaj, gjykatësi Osmani me vendim të Gjykatës Supreme të Kosovës ishte përjashtuar dhe lëndën e ka pranuar gjykatësja Ajser Skenderi.

Ndryshe sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, i përpiluar më 16 gusht 2018, Rinor Xhaferi akuzohet se me dashje ndërmerr veprime për vrasje të personit tjetër, po vepra nuk është realizuar, në atë mënyrë që në rrugën e shtëpisë së tij, në fshatin Korishë, për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme lidhur me rrugën dhe largimit të cungave prej rrugës nga ana e të dëmtuarit Agron Sopaj, së bashku me babain e tij, shkon në drejtim të të dëmtuarit Agron Sopaj, ku fillimisht përleshen me grushta, e pastaj në një moment me thikë dy herë e godet të dëmtuarin Agron Sopaj në regjionin e kafazit të majtë të kraharorit afër zemrës dhe një herë në regjionin e abdomenit.

Me këto veprime Rinor Xhaferi ka kryer veprën penale vrasje në tentativë.

Ndërsa, Bekim Xhaferi akuzohet se merr pjesë në rrahje, e cila rezulton me lëndime të rënda trupore për personin tjetër, së bashku me të birin e tij, të akuzuarin Rinor Xhaferin me grushte e pastaj me një shkop e godet nëpër pjesë të ndryshme të trupit të dëmtuarin Agron Sopaj.

Me këto veprime, Bekim Xhaferi akuzohet se ka kryer veprën penale pjesëmarrja në rrahje.

Kurse, Agron Sopaj akuzohet se i shkakton lëndim të rëndë trupor përsonit tjetër, deri në masën e tillë sa që mund të rezultojë me dëmtimin e përkohshëm të shëndetit, në atë mënyrë që gjatë përleshjes, me grushte e godet të dëmtuarin Bekim Xhaferin, të cilit i shkakton lëndime të buta të hundës, nën gjurit të majtë dhe lëndime të tjera.

Po ashtu, ai akuzohet se gjatë përleshjes të dëmtuarin Rinor Xhaferin e godet me grushte nëpër trup dhe fytyrë, duke i shkaktuar lëndime të lehta në kokë dhe në pjesën e majtë të fytyrës.

Me këto veprime ai akuzohet se ka kryer veprat penale lëndim i rëndë trupor si dhe lëndim i lehtë trupor./BetimipërDrejtësi

Më Shumë

143 vjet nga beteja më e rëndësishme e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Muzeu Historik Kombëtar kujtoi sot 143-vjetorin e Betejës së Shtimes dhe Slivovës. Kjo konsiderohet si beteja më e rëndësishme që zhvilloi ushtria e Lidhjes Shqiptare...

Djali i Ancelottit nuk i fsheh ambiciet: Dua të bëhem trajner i Realit

Nga Carlo Ancelotti te Davide Ancelotti, te Reali mund të ketë një rokadë baba-bir për sa i përket stolit të ekipit të bardhë. Por...

Lajmet e Fundit