10.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Prokuroria kërkon dënimin e drejtorit të shkollës në Malishevë

Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka kërkuar që drejtori i shkollës së mesme në Malishevë “Hamdi Berisha”, Izet Hoti, të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Një propozim të tillë, e ka bërë prokurori i rastit Ali Uka, në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Gjakovë, ku është dhënë fjala përfundimtare në rastin ku Hoti akuzohet se ka kërkuar ryshfet nga menaxheri i restorantit “BIMI2”, Gëzim Kastrati, lidhur me organizimin e mbrëmjes së maturës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurori Ali Uka, në fjalën e tij përfundimtare ka thënë se pas administrimit të provave është vërtetuar se i akuzuari ka kryer veprën penale të marrjes së ryshfeti.

“Pas administrimit të provave që kanë qenë të propozuara nga prokuroria dhe atë nga raporti i hetuesit policor i Njësitit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Gjakovë, Vjollca Vorfaj, raporti i oficerit policor Gëzim Kastrati nga informimi për fillimin e zbatimit të masave të fshehta teknike të vëzhgimit dhe hetimit si dhe nga dëshmia e dëshmitarit-të dëmtuarit Lulzim Kastrati, në tërësi është arritur të provohet se këtu i akuzuari Izet Hoti ka kryer veprën penale të marrjes së ryshfetit”, ka thënë prokurori Uka.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Izet Hoti, avokati Emrush Kastrati në fjalën e tij përfundimtare ka kërkuar që klienti i tij të lirohet nga akuza.

“Konsiderojmë se aktakuza që nga fillimi i shqyrtimit kryesor ishte dhe është edhe tani në kundërshtim me vetveten, kjo për faktin se veprimet e të mbrojturit tim nuk përbëjnë vepër penale, ashtu si e interpreton organi i akuzës në fjalën përfundimtare. Mbrojtja konsideron se dispozitivi i aktakuzës ishte dhe është i pa qartë dhe mjaft konfuz. Ku vijmë në përfundim se aktakuza nuk është hartuar në pajtim me nenin 241 par.1 i nënpar.1.7 të KPRK-së, meqenëse aktakuza mbështetet vetëm në një provë-dëshminë e dëshmitarit Gëzim Kastrati, dëshmi kjo mjaft kontradiktore dhe jo bindëse”, ka thënë avokati Emrush Kastrati, i cili ka propozuar që të mbrojturi i tij të lirohet nga akuza, në mungesë të provave.

Ai ka shtuar se i dëmtuari ndaj të mbrojturit të tij nuk ka parashtruar kërkesë pasurore juridike dhe nuk i është bashkëngjitur ndjekjes penale.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Shaqir Zika, shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar për 26 prill 2019, nga ora 09:00.

Ndryshe, në shqyrtimin fillestar të mbajtur me 19 tetor 2018, i akuzuari Hoti ishte deklaruar i pafajshëm.

I akuzuari Izet Hoti në shqyrtimin e dytë të mbajtur më 3 dhjetor 2018, kishte paraqitur kërkesë  lidhur me hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, por që ajo është hudhur poshtë nga kjo gjykatë.

Ndërsa, Gjykata e Apelit e ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë dhe e ka refuzuar ankesën e mbrojtësit së të akuzuarit Izet Hoti, avokatit Emrush Kastrati, si të pabazuar.

Sipas aktakuzës së ngritur më 24 shtator 2018, nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, Izet Hoti, akuzohet se më 2 maj 2018, si drejtor i shkollës së mesme të lartë “Hamdi Berisha” në Malishevë, ka kërkuar ryshfet në shumë prej 1.500 euro nga menaxheri i restorant “BIMI-2”, Gëzim Kastrati, për organizimin e mbrëmjes së maturës në po këtë restorant.

Në aktakuzë thuhet se oferta reale për karrige ka qenë 11 euro, mirëpo i pandehuri ka kërkuar nga menaxheri që ta ngritë shumën në 13 euro, ashtu që shumën e mbetur ta merr për vete, e që një gjë e tillë është provuar në bazë të dëgjimeve telefonike të kryera nga ana e policisë, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë. /Betimipërdrejtësi

Më Shumë

Lajmet e Fundit