11.8 C
Prizren
E martë, 23 Prill, 2024

Reportazh nga pikëkalimi kufitar Morin-Vërmicë: Ra kjo pandemi e u ndamë

“Ra kjo pandemi e u ndamë”. Kjo shprehje është lajtmotivi i dramës së koronavirusit që pos të tjerash, pas 21 vjetësh, ka “ndarë” shqiptarët në të dy anët e kufirit. 21 vjet më parë, vetëm tre ditë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, filloi spastrimi i madh i Kosovës.

Disa fshatra të rajonit të Rahovecit qenë boshatisur plotësisht atë ditë dhe deri në orët e vona të mbrëmjes në qytetin e Kukësit kishin arritur rreth 30 mijë veta, duke e shndërruar atë në një kamp gjigant refugjatësh. Ishin vetë ushtarët serbë që bënë transportimin e tyre me kamionë e autobusë, duke i sjellë në Shqipëri, shkruan KOHA.

“Ikni nga toka serbe, shkoni në Shqipëri”, me këtë moto banda kriminelësh e skuadra ushtarësh e policësh serbë patën nisur spastrimin e madh të Kosovës. Në Shqipëri, gjatë krizës së Kosovës, janë strehuar rreth 700 mijë të dëbuar nga regjimi i Milosheviqit, pas zbatimit në praktikë të operacionit famëkeq “Patkoi”.

Përmes vendkalimit Morin-Vërmicë u deportuan rreth 500 mijë refugjatë të luftës nga Kosova. Një vit më vonë, shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare, botoi romanin: “Ra ky mort e u pamë” i shkruar në formën e ditarit. Romani doli në botim në vitin 2000 dhe bën fjalë për luftën e Kosovës, ndërkohë që në antitezë të titullit mjaft të goditur të Kadaresë, marrë nga një shprehje popullore e zonës së Lekbibajve të Tropojës, tashmë gjen vend shprehja: “Ra kjo pandemi e u ndamë”.

Komandanti i UÇK-së, Sami Lushtaku, udhëton me “vizë” për në Shqipëri

Ishte 12 qershori i vitit 1999, ku trupat gjermane të Bundesverit në kuadër të KFOR-it, të prirë nga gjenerali Fritz von Korff, hynë në qytetin e Prizrenit. Bashkë me trupat gjermane drejt këtij qyteti vërshuan me mijëra banorë të Kukësit e të fshatrave përreth, duke festuar kështu prishjen e “Bradenburgut të shqiptarëve” pas 52 vjetësh.

Por 21 vjet më pas për të shkuar në Kosovë, apo për të ardhur në Shqipëri kërkohet “vizë” në ambasadat respektive. Në vend të fjalës vizë tashmë përdoret fjala e-mail, apo autorizim.

Ndërkohë që autorizimi për të qarkulluar jepet vetëm në raste shumë të rralla, për arsye shumë të forta. Që nga 11 marsi, kufiri Shqipëri-Kosovë është i bllokuar për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe afati i mbylljes është i pacaktuar. Pikëkalimi kufitar Morin-Vërmicë tashmë është thuajse i shkretë.

11 korsive të qarkullimit tashmë i është vënë trau, ndërsa lart tyre tabelat elektronike shkruajnë “Close”. Qetësia është prishur rreth orës 10:00 të së mërkurës së kaluar, kur në këtë pikëkalim ka mbërritur një autoveturë luksoze e markës së njohur “Range Rover”. Në vendin e parë të kësaj fuoristrade të markës së fundit ishte gjeneral Sami Lushtaku, i cili po udhëtonte për në Shqipëri, ndërkohë që pas një ore bashkëpartiakët e tij do të mblidheshin për ta rrëzuar Albin Kurtin. Si për ironi, gjenerali i UÇK-së ishte pajisur me “vizë” në Ambasadën e Shqipërisë në Prishtinë.

Më Shumë

Sonte El Clasico — mund të përcaktohet titulli i kampionit

La Liga, një nga ligat më atraktive në futbollin evropian, vjen sonte me ndeshjen më të madh të këtij sezoni. Dy rivalët e përbetuar, Real...

Ish-gazetari Ramadan Baraliu aderon në Vetëvendosje

Ish-gazetari dhe politikologu, MSc. Ramadan Baraliut ka aderuar sot në Lëvizjen Vetëvendosje. Ai ëshvë mirëpritur nga kryetari i Qendrës së LVV-së në Prizren, Artan Abrashi...

Lajmet e Fundit