19.8 C
Prizren
E martë, 16 Prill, 2024

Rrëfimi nga Elinda Musliu, idhulli i fëmijërisë, ndeshja e paharrueshme dhe trofeu më i veçantë

Një nga lojtaret më të dalluara në basketbollin e femrave ishte Elinda Musliu. Ish-basketbollistja e Bashkimit në një intervistë për faqen zyrtare të FBK-së, ka folur si filloi me basketbollin, idhullin e fëmijërisë, ndeshjen e paharrueshme, kundërshtaren më të vështirë, nostalgjinë për basketboll dhe mesazhin për vashat e reja.

Si vendose të luaje basketboll?
Me basketboll fillova të luaj në shkollë fillore, konkretisht në garat e sportit shkollor dhe prej atëherë basketbolli ka qenë sporti të cilin vendosa të vazhdoj e të merrem me shumë dëshirë.

Cili ka qenë idhulli yt në fëmijëri?
Idhulli im që në fëmijëri ka qenë Allen Iverson pasi që luante në pozitën e organizatorit, pozitë kjo që edhe unë e kam luajtur në lojën e basketbollit.

Cili ka qenë trofeu më i rëndësishëm për ty dhe pse?
Trofeu më i rëndësishëm ka qenë në Karagaç të Pejës. Ishte një finale e paharrueshme. E veçoj këtë finale pasiqë titulli i dedikohej në atë kohë të ndjerit, Isuf Lumit. Nuk i përjashtoj edhe trofetë e tjerë sepse secili në vete ngërthen një kuptim të bukur dhe plot emocione.

Cilën ndeshje nuk mund ta harrosh asnjëherë?
Finalja në vitin 2005 e mbajtur në Therandë, ku jemi ballafaquar me Ish-Universitetin atë kohë dhe pas shumë viteve arritëm ta kthejmë titullin e kampionit në Prizren.

Cila ka qenë kundërshtarja më e vështirë që je ballafaquar?
Kundërshtarë të përhershëm e kemi pasur Universitetin. Ndërsa në aspektin individual nuk kam pasur asnjëherë kundërshtare të vështirë sepse kam besuar në lojën time dhe vetëbesimi im ka qenë i plotë, gjë që shumë herë ka bërë të tregoj rezultate të larta të vlerësuara nga profesionistët e basketbollit.

Sa të mungon basketbolli dhe atmosfera nga koha kur ke luajtur?
Basketbolli më mungon shumë nga ajo kohë sepse ishim gjeneratë e artë përveç që ishim basketbolliste, bashkëlojtare apo kundërshtare në mes vete kishim edhe miqësi që e veçonim shumë. Mendoj që loja e basketbollit atë kohë kishte kuptim tjetër karshi kësaj që sot e shohim sepse neve kishim dëshirë dhe dashuri pa interes për basketbollin. Asnjëherë nuk e kemi pasur prioritet interesin material për dallim nga sot, që shoh më shumë interes material se sa profesionalizëm apo dëshirë dhe dashuri të pastër ndaj basketbollit.

Cili është mesazhi për lojtaret e reja që duan të merren me basketboll?
Mesazhi për basketbollistet e reja është që të punojnë shumë për të arritur ndoshta pak. Asnjëherë mos të dorëzohen para sfidave që iu dalin përpara, por ta duan lojën e basketbollit dhe të shkojnë drejt synimeve që kanë.

Më Shumë

Nagavci: Projektligji për tekstet shkollore përmirëson cilësinë e arsimit

Të premten në Komisionin për Arsim të Kuvendit të Kosovës është diskutuar për Projektligjin për tekste shkollore, të cilin është duke e kundërshtuar opozita. Madje,...

Kalon në Komisionin për Arsim Projektligji për Provimin e Maturës, Nagavci: Evidentohet mundësia për të kopjuar

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se nxënësit të së njëjtës klasë do të shpërndahen në Provimin e Maturës,...

Lajmet e Fundit