16.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Shkrim antologjik mbi Bekim Fehmiun: Një letër pa adresë

Nga Hysë Shkreli

/Shkrim antologjik mbi Bekim Fehmiun. Shkrimi gjendet në monografinë “BEKIM FEHMIU-Odiseu i Kosovës” (2015)./ 

I nderuar dhe i dashur Bekim Fehmiu,

Na thanë se ke vrarë veten. E pabesueshme! Ti Bekim nuk mund ta vrisje Bekim Fehmiun. Ai ishte i madh për tu vrarë. E deshe ti atë apo nuk e deshe, ai nuk ishte vetëm yti. Ishte edhe yni. Ti linde në një qytet tragjik, ku filloi një luftë botërore e disa të tjera ballkanike. Ti linde në një kohë të pakohë, kur shqiptarët nuk kishin film, as ekran e as shtet të konsoliduar. Linde me shumë lindje shqiptare.

Ato ishin lindje plotë dhembje, disa edhe të përgjakshme. Ndaj u detyrove, njësoj si Uliksi, të rrugëtoje e shpërnguleshe nga njëri qytet në tjetrin: nga Sarajeva, Shkodra, Prizreni, Prishtina… Udhëtove nga njëra kulturë në tjetrën, nga njëri front në tjetrin. Fole në shumë gjuhë, e megjithatë disa nuk të kuptuan. Ti zgjodhe të jetosh në një skenë e vend të turbullt. Kjo ishte beteja jote, në të cilën ishe i gatshëm për sulme e plagë. Ti nuk zgjodhe skenarin e jetës sate. Atë ta shkroi e imponoi koha e gjeneratës sate. Jeta jote ishte plotë shkëlqim e dallgë, guxim e frikë, sfida e fitore.

I ngjan fatit të shqiptarit. I ngjan historisë sonë. Si komb, ne përherë ishim në luftë mbrojtëse, ashtu siç ishe ti. Gjatë historisë, ndonjëherë në lidhëm edhe aleanca të gabuara, mirëpo arritëm edhe shkëlqime në civilizimin evropian. Megjithëkëtë, shpesh na bënë fajtor. Ishim të akuzuar, ishim të abuzuar. Jo rrallë e zgjodhëm tkurrjen si mbrojtje.
Ti jetove në Beograd, në kryeqytetin e vuajtjeve shqiptare. Aty ku shqiptarët i quajtën “sharrëxhinj”, “njerëz me bisht”, “primitivë”… Në qytetin ku shqiptarët përherë ishin të përbuzur e nënçmuar. Aty ku shpesh u morën vendime të kobshme për shqiptarët. Mirëpo, ti dëshmove se ne nuk ishim njerëz me bisht, por njerëz me njëqind shpirtra. Nuk ishim sharrëxhinj, por vetë sharra: ajo që hapë udhë edhe aty ku nuk ka.

U ngrite mbi urrejtjen e përbuzjen në një yll hollivudian. Na bëre të ndihemi krenarë edhe atje ku s’na njihnin ose ku s’na donin. I munde përçmimet që iu bënë kombit tënd. U tregove edhe armiqve të kulturës sonë se shqiptarët kanë talent dhe mund të ngrihen edhe mbi kulturën e tyre. U dëshmove atyre se ne kemi kulturë edhe për kulturën e tyre. U bëre idol i tyre dhe yni.

Kritikët e tu të qortuan pse zgjodhe Beogradin si qytet tëndin akademik. Po ç’ zgjidhje tjetër kishe? Ta studioje filmin në Prishtinë, Gjakovë, Ferizaj?!… Kosova asokohe nuk kishte shkollë për ty. Ndoshta mund të zgjidhje Tiranën. Po të zgjidhje Tiranën, s’ka dyshim se rruga jote jetësore do të ishte tjetër. Mirëpo, asokohe Tirana ishte e ndaluar për ty e për ne. Madje, edhe kineastët më të njohur të Shqipërisë në ato vite shkolloheshin në Rusi. Ndaj mbase Beogradin e pate një udhë të imponuar nga rrethanat, në të cilat jetove. Disa shtruan pyetjen e kundërt: pse jo Beogradin?

Ne kishim intelektualë të shquar në të gjitha qendrat e Ballkanit. Nëse kishim një Moisi në Vjenë, një Gjika në Bukuresht, një Luaras në Sofje, një Frashër në Selanik, pse të mos kishim edhe një Bekim në Beograd? Në atë qytet jetuan dikur, e jetojnë edhe sot, më dhjetëra mijë shqiptarë. Në Beograd u shkolluan edhe intelektualë të shquar shqiptarë, si Anton Çeta, Idriz Ajeti e deri të Mark Krasniqi… Beogradi gjendet në Ballkan, e ky Ballkan u takon edhe shqiptarëve.

Të kritikuan pse nuk u shpërngule. Pse nuk e lëshove Beogradin, atëherë kur edhe intelektualë serbë u larguan në shenjë proteste për politikën e luftën që u udhëhoq e u drejtua nga ky qytet. Vendimi yt mbase ishte protesta jote. Apo lufta jote kundër tkurrjes shqiptare. Në të kaluarën ne u shpërngulëm me mijëra nga Bujanoci, Nishi, Beogradi. Mjaft na shpërngulën! Ndoshta është koha të rrimë e mbijmë aty ku duam për të dëshmuar praninë tonë në të katër anët e Ballkanit.

Gjithnjë dëshiruam te të shihnim në një film shqiptar, mirëpo kjo nuk ndodhi. Sigurisht që nuk ishe kundër filmit shqiptar, mirëpo ishe kundër provincializmit primitiv shqiptar, i cili nganjëherë preku kulturën tonë. Ne kishim heronj e role për ty, mirëpo nuk kishim filma për ty. Sepse ti ishe më i madh se filmat që bënim. Kosova nuk mundte të ofronte atë që nuk e kishte. Ndaj na kritikove e të kritikuam. Donim te të shihnim të përsosur, doje të na shihje më të mirë. Kritikat, ngado që erdhën, nuk ta humbën madhështinë.

Ti mbete vigan në artin tënd e kulturën tonë. Kosova nuk ka intelektualë për të gjykuar apo hedhur.

Jeta jote ishte një rrjetë sfidash. Ti rrënove ose kapërceve shumë mure. Vizitove Shqipërinë në një kohë të turbullt, kur të tjerët e kishin të ndaluar. E theve kështu murin shqiptaro-shqiptar për të dëshmuar burimin e gjakut tënd. Shkove në Francë dhe me suksesin tënd në Kanë theve murin filmik midis Evropës Komuniste dhe Evropës Perëndimore, të cilat i kishte ndarë lufta e po i bashkonte arti. Më vonë, me filmat tu theve edhe murin kulturor midis Evropës Lindore dhe Hollivudit. Edhe atje ishe shqiptar.
Deshën të ta ndryshojnë emrin për shqiptim më të lehtë, ose qëllime komerciale, mirëpo ti nuk pranove.

Emri yt kishte kuptim vetëm në gjuhën tënde. Mbete Bekim Fehmiu në çdo ekran ku zure jetë. Ti hyre në Hollivudin e Xhon Belushit, në kohën kur akoma nuk dihej se edhe ai ishte shqiptar. Pas Elena Qiriqit ti ishe i pari emër shqiptar në dyert e Hollivudit.
Bekim, ti nuk e vrave Bekim Fehmiun. Nuk mund ta vrisje. Nuk kishe fuqi vrasësi për të vrarë Bekim Fehmiun. Dikush apo diçka vetëm u dha fund dhembjeve e vuajtjeve të trupit tënd. Shpirti yt gjallëron e inspiron.

Ty, apo trupin tënd, e vrau koha e ligë, koha e dhunës, koha e kobit, të cilën e sollën ata që deshën një Ballkan tjetër. Ty të vrau dëshpërimi, vetmia, zhgënjimi, politika… Ty të vranë ata që plagosën Evropën, ata që ngulfatën Ballkanin, ata që dogjën Kosovën, ata që shpërndanë vdekje nga Kroacia deri në Kosovë. Ty të vrau shovinizmi serb, primitivizmi Ballkanik, dhuna mbi humanizmin, urrejtja midis njerëzve. Ty të vranë armiqtë e artit tënd. Ata të gjithë së bashku nuk mund te të vrisnin me një plumb, ndaj të vranë me zymtësinë, me errësirën e tmerrin që krijuan rreth teje.

Ti besove se kultura është mbi politikën, mirëpo politika shpesh e dhunoi kulturën. Ti besove se arti është mbi ndasitë midis njerëzve, mirëpo njerëzit krijuan kufi gjaku. Ty të vrau rrënimi i kalasë sate të paqes. Ty të vrau lufta pa luftëtarë. Të vrau paqja që nuk ishte. Të vrau koha e pakohë. Të vranë… apo besojnë se të kanë vrarë!

Ti jetove në dy brigje që nuk takoheshin dot, sepse urat rrënoheshin çdo ditë. I besove kohës në të cilën jetove, mirëpo ajo të zhgënjeu ty dhe ne. Zgjodhe heshtjen si armë kundër armiqve të tu, zgjodhe izolimin si protestë, mbylljen si mburojë. Ishin këto armë shumë njerëzore e të civilizuara për armiqtë e tu primitivë.

Ti vendose ta bëje këtë luftë i vetmuar. Megjithëkëtë ne ndihemi fajtorë: të lamë të vetmuar atëherë kur më së tepërmi kishe nevojë për miq. Ne të kishim ty në ekran, mirëpo ti nuk na kishe pranë.

Të kërkojmë ndjesë.

Ti e le Kosovën si Uliksi Penelopën për të luftuar për artin tënd. Kosova të priti me vite. Po kthehesh nga Troja jote në Kosovë hi e shpirt, yll e famë. Vdekja jote na kujton kohën kur kolosë të kulturës sonë vinin në arkivole nga dheu i huaj.

Ti le porosi të kremohesh. Ndoshta pse trupi yt ishte në flakë prej vitesh. Ndaj varri yt nuk do të jetë në Beograd, as në Prishtinë, në Tiranë, as në Holivud. Varri yt do të jetë në qiell, atje ku pushojnë yjet. Sepse ti ishe një yll. Atje të pret Aleksandër Moisiu e emra të tjerë shqiptarësh të bekuar. Në historinë tonë nuk është hera e parë që yjet shqiptarë lindin ose vdesin në dhe të huaj. E rëndësishme është që ata shkëlqejnë mbi tokën e tyre. Ne, jo rrallë u kemi dhënë krijues e heronj edhe kulturave të tjera, ashtu siç bën bota e civilizuar.
Ti ishe një shkollë e Moisive të rinj. Familja jote ishte një universitet shqiptar: tempulli i Ibrahim Fehmiut. Sot familja jote, jemi të gjithë adhuruesit e filmit tënd.

Thanë se jetove 74 vjet. Themi se jetove më mijëra vjet e do të bësh edhe shumë jetë të tjera në të katër anët e botës, kudo që do të arrijnë filmat e tu.
Prizreni të dha djalërinë, ti po i jep emrin: Bekimin.

Ti nuk po i kthehesh tokës së Kosovës, ajo ka varre tepër. Po i kthehesh qiellit të Kosovës. Engjëjt dhe artistët jetojnë në qiell. Prej sot ai qiell ka një yll më tepër. Të gjithë ata që ëndërrojnë Olimpin tënd le të shikojnë kah ai yll.

Të qoftë i kaltër qielli i Kosovës!
Qoftë e pafund bota e artit tënd!
Qoftë i ndritshëm ylli yt në atë qiell!

(22 Qershor, 2010)
Nju Jork)

Më Shumë

Nga 1 prilli nëse nuk e pastron baltën nga mjeti, gjoba do të jetë 1 mijë euro

Në fillim të prillit pritet të fuqizohet Ligji i ri për rregullat në trafik. Kështu, parashihen gjoba të ashpra ndaj shkelësve. Iniciuesit e këtij ligji...

Suharekë: Kontrollohen dy shtëpi, sekuestrohet arma

Në fshatin Nishor të Suharekës janë kontrolluar dy shtëpi të dy të dyshuarve, ku janë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë, 16 fishekë me gaz...

Lajmet e Fundit