13.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Shkrimtari që ngriti zërin kundër regjimit

enderra per dashurin dhe vdekjenFilip David, shkrimtari i njohur serb, thotë se në Kosovë nuk ka ardhur asnjëherë për shkak të politikës së kohës. Pesëmbëdhjetë vjet pas luftës së fundit në Kosovë, ai vjen për ta promovuar librin “Ëndrra për dashurinë dhe vdekjen”, në kuadër të Festivalit të Letërsisë POLIP. David njihet edhe si kundërshtar i regjimit të Millosheviqit.

“Jam nga ata që, nga fillimi e kam kundërshtuar politikën e Millosheviqit. Në ato kushte çfarë ishin atëherë, nuk kisha dëshirë dhe vullnet të vij, derisa ai sistem ishte prezent në mënyrë direke apo indirekte”, ka thënë shkrimtari me prejardhje hebreje. “Dëshira ime sot është, ndonëse disa shkrimtarë janë të pafuqishëm t’i rregullojnë disa gjëra që i prishin politikanët, unë po i kërkoj edhe më tutje asaj pjese intelektuale serbe: të vendosim lidhje sa më të mira në raportin në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ashtu si dikur ngjarjet në kulturë kanë paralajmëruar disa gjëra të këqija, manifestimet e tilla pas të cilës qëndron Jetoni, jam shumë i bindur se paralajmërojnë ditë më të mira”, thotë David, duke treguar njohjen e tij në Beograd me poetë nga Kosova dhe Shqipëria, dhe këmbimet kulturore përtej kufijve politikë e historikë.

Filip David tregon për ndjenjën e përgjegjësisë që ka pasur kur kishte shkuar për vizitë në Sarajevë, pas luftës së tmerrshme që ndodhi atje. “Sikur po vij këtu me një ndjenjë të fajësisë dhe përgjegjësisë”, thotë ai. “Fajësia konsiston në faktin se jam i bindur se kemi mundur dhe se është dashur të bëjmë më shumë që të pengojmë budallallëkun që ka ndodhur”.

Aq sa paraqiten dhe aq lexon në mjedisin ku jeton, Filip David thotë se ka arritur t’i shohë disa nga përkthimet e letërsisë nga Kosova, si librin me poezi të Arben Idrizit “Kafshët e duan atdheun”, në Beograd është takuar me Fahredin Shehun, ka lexuar librat e Kadaresë, ndërsa shprehet se krejt kjo është e pamjaftueshme dhe ka nevojë për bashkëpunim në mënyrë më sistematike, të rregullt. “Në kohën e terrorit më të egër të Milloshoviqit, jemi përpjekur të ngremë zërin kundër regjimit. Ne nuk kemi armë dhe e kemi pasur të vështirë t’u kundërvihemi armëve”, thotë David, në diskutimin mbi librin që është moderuar nga shkrimtari dhe studiuesi, Adil Olluri.

Libri “Ëndrra për dashurinë dhe vdekjen” brenda vetes ka: “Romanin e shkurtër për dashurinë” dhe “Romanin e shkurtër për vdekjen”, që janë dy romane të cilët përbëjnë një tërësi kushtuar vuajtjes dhe urrejtjes njerëzore – vorbullave të errëta të historisë kundër të cilave dashuria është ngushëllimi i vetëm.

Përkthyesi i këtij libri, Smajl Smaka, thotë se veprën e autorit për përkthim në radhë të parë e kishte zgjedhur për arsye dhe motive artistike të saj. “Përveç kësaj, autori Filip Davidi ka mbajtur një qëndrim të dinijitetshëm, ashtu siç i ka hije një shkrimtari intelektual, duke bërë përjashtim nga numri i madh i shkrimtarëve të këtij vendi nga i cili vjen, që ishin bërë zë i një politike kriminale”, ka thënë Smaka, duke shtuar se përveç përkthimit është përpjekur që ta ruajë frymën e librit, atmosferën, mentalitetin të gërshetuar me besime fetare hebraike, mitologji, misticizëm, legjenda, ëndrra e kryqëzime realitetesh.

Poeti Visar Zhiti, në promovimin e librit, ka thënë se përkthimet tregojnë gjendjen normale të lexuesit shqiptar, emancipim dhe dëshirë për komunikim. “Veprën dhe autorët kështu bëhen ura më të besuara të gjalla, lidhje dhe marrëdhënie mes popujve që së pari nisin me fqinjët, duke pakësuar sa më shumë urrejtje të trashëguar, se vjen një kohë madje dhe ka ardhur që ajo bëhet absurde, pa kuptim fare dhe pengesë serioze dhe për ata që e ushtrojnë për të jetuar të lirë”, u shpreh Zhiti.

Jeton Neziraj, drejtor i POLIP-it, ka treguar se përveç promovimit të këtij libri, do të ketë edhe shumë aktivitete të tjera që do ta veçojnë edicionin e katërt të festivalit të letërsisë, ku pjesëmarrës janë rreth 40 mysafirë të profileve dhe vendeve të ndryshme.

“Njëri nga panelet më të rëndësishëm është ai që do të mbahet të dielën që do të vërë në dukje bashkëpunimin kulturor Kosovë-Serbi, prej 25 vitet e fundit”, është shprehur Neziraj.

Vladimir Arsenijevi?, udhëheqës i shoqatës “Krokodill”, i cili ka tre libra në përkthyer në gjuhën shqipe ka thënë se do të duhej të kishte sa më shumë komunikim në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Është shumë e nevojshme që të ketë kontakte të kësaj natyre, që krijojnë lidhje ose ura të komunikimit të mes të Prishtinës dhe Beogradit”, ka thënë Arsenijevi?, derisa ka treguar se qëndrimi institucional serb për Kosovën është tërësisht negativ.

“Nëse flasim për institucionet publike kulturore, atëherë ata nuk kanë kurrfarë vullneti që të bëjnë diçka në këtë drejtim, por gjithmonë ka pasur dhe një skenë alternative, dhe në këtë aspekt gjërat janë ndryshe”, është shprehur Arsenijevi?. Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë, POLIP, do të përfundojë më 18 maj./Zëri/

Më Shumë

MKRS-ja shpall thirrjen për art, kulturë dhe trashëgimi kulturore

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka njoftuar se ka shpallur thirrjen publike për projekt-propozimet në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore...

‘O do të flasësh, o do të vdesësh’- Dëshmia tronditëse e ish-partizanit: Kapiteni dhe nëntogeri më torturonin

Antifashistët që ishin burgosur në Itali në rrethana të ndryshme, por që u liruan nga anglo-amerikanët në vitin 1943, pas largimit të misionit amerikan...

Lajmet e Fundit