13.8 C
Prizren
E mërkurë, 17 Prill, 2024

E dua, më do, por nuk puthemi!

Jam magjepsur pas një burri të cilin e kam njohur në vendin e gabuar dhe në momentin e gabuar (në punë). Unë jam 26 vjeçe, ndërsa ai ka më shumë se 40. Filluam të punonim bashkë dhe nuk njiheshim. Pak kohë më vonë ai filloi t’më drejtohej mua për çdo gjë. Ai dukej sikur bënte të pamundurën që të qëndronte me mua. Por, unë nuk i kisha shumë dëshirë që t’i përgjigjesha dhe aq më pak të qëndroja me të. Mirëpo, shumë shpejt gjërat ndryshuan”, shkruan për Portalin tonë “Kosovarja”, lexuesja D. H.

Një ditë ai më kërkoi që ta ndihmoja në kompjuter, t’ia mësoja disa gjëra pas punës, por unë iu përgjigja me një batutë, që lija të nënkuptohej jo. Ai më pëlqente, por problemi qëndronte se edhe unë edhe ai ishim në lidhje dashurie. Kolegët tanë e kishin kuptuar se sjellja e tij kundrejt meje nuk ishte normale dhe e pyesnin nëse ishte dashuruar me mua, por ai nuk përgjigjej dhe skuqej në fytyrë. Një ditë kolegët e pyetën, ndërkohë që isha edhe unë prezent dhe atij i ranë fletët nga duart dhe u përgjigj duke murmuritur: “Kjo që po thoni mos të dalë nga kjo zyrë, ndryshe jam i vdekur!”. Ishte shumë i sjellshëm me mua dhe gjithmonë përpiqej që të kishim kofidencë bashkë. Nëse unë nuk shkoja në punë në orën e zakonshme ai telefononte shoqen time për ta pyetur se çfarë më kishte ndodhur. Ndërkohë, nëse unë ikja më herët nga puna, ai priste që të ishim larg kolegëve të tjerë dhe më pyeste nëse isha mirë.

Një ditë i thash se duhet të shkoja të bëja një vizitë te mjeku dhe të nesërmen që në mëngjes më telefonoi për të ditur nëse vizita te mjeku kishte shkuar mirë. Ai më bënte shpesh batuta dhe më thoshte se nuk duhet t’u flisja keq familjareve të mi për të, pasi ndoshta një ditë mund të bëhej edhe ai i familjes. Veç të tjerave, ai fliste me shoqen time për mua dhe i kishte thënë se mes nesh kishte një simpati të ndërsjellë. Ai i kishte treguar shoqes sime se ishte i fejuar, por do të ndahej, pasi nuk po e duronte më të fejuarën e tij.

Ika prej tij pa e përshëndetur fare!

Kaluan kështu disa muaj dhe mua më mbaroi kontrata. Ata të punës nuk ma vazhduan kontratën dhe unë ika pa u përshëndetur me askënd. Të nesërmen iu dërgova nga një e-mail të gjithë kolegëve të mi për t’i përshëndetur dhe në atë listë ishte edhe ai. Një javë më vonë shkova në zyrë për të tërhequr disa dokumente, e pash që ai po më shikonte dhe po më buzëqeshte, por nuk e di pse u tregova aq budallaqe dhe as që e përshëndeta. Pak kohë më vonë unë fillova punë në një filial të firmës ku kisha punuar më parë dhe një ditë erdhi dhe ai te puna ime e re, për të tërhequr disa porosi. Një koleg yni i përbashkët i kishte thënë që të vinte t’më përshëndeste, por ai i kishte thënë se nuk mundej dhe kishte ikur. E kisha kuptuar arsyen, por gjithsesi ndihesha keq. Përpiqesha gjithmonë ta shmangia, por ishte e pamundur, pasi ai vinte shpesh për të sjellë dhe për të marrë porosi, meqenëse ishim punonjës të së njëjtës kompani, por në filiale të ndryshme.
Pak muaj më vonë unë u riktheva te puna e mëparshme, ku ishte edhe ai, por këtë herë me zor përshëndeteshim. Gjërat nuk shkuan aq mirë me rikthimin tim në punë, sepse brenda pak javësh më transferuan në të njëjtën zyrë me të, do të punonim bashkë. Ishte pak e rëndë situata, pasi ai më përshëndeste me zor dhe thuajse nuk flisnim gjatë orarit të punës, më fliste vetëm kur ishte e domosdoshme. Por, kur flet me mua dhe kur qëllon rasti ai është shumë i sjellshëm me mua. Ndërkohë që herë të tjera më shmang dhe nuk më përshëndet fare.

Mesazhi për ditëlindje

Ai e kishte ditëlindjen dhe unë i bëra një e-mail, ku e uroja, por ai nuk m’u përgjigj fare. Unë nuk arrij ta kuptoj sjelljen e tij, herë të afërt dhe herë të largët. Ka shprehur më shumë se një herë simpati për mua, por nuk bën asgjë për t’i çuar gjërat më tej. Ndoshta edhe unë kam gabuar, por ai më pëlqen shumë, aq sa jam fiksuar keq pas tij. Nuk di çfarë të bëj, jemi në të njëjtën zyrë dhe herë flasim e herë jo… Ai më flet vetëm për punë…

Nuk di se si duhet të veproj që t’i tregoj se jam e interesuar për të. Ka pak kohë që jam ndarë nga i dashuri, pasi nuk mund të vazhdoja me të, por nuk jam e sigurt nëse ai është ndarë nga e fejuara e tij. Ai nuk më ka thënë gjë, por as shoqes sime nuk i thotë më gjë për mua.

Kam mbet keq, a? /D. H.“Kosovarja”/

Më Shumë

Sot moti me diell, temperaturat deri në 26 gradë Celsius

Moti sot në Kosovë parashikohet të jetë me diell dhe po ashtu edhe me vranësira. Siç bën të ditur Meteo Kosova, era do fryjë kryesisht...

Fqinji i theu hundën 4-vjeçarit në Prizren, flet prindi i tij: E mori nga duart e nënës sime dhe e goditi

Një akt brutal ka ndodhur në Prizren pasi një katërvjeçar është sulmuar nga fqinji i tij. Në një intervistë për Kosova Today të Klan Kosovës,...

Lajmet e Fundit