6.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Mos e përjetoftë kush atë që përjetova unë!

Erdhi edhe një ditë e re. Çdo ditë lindë diçka e re, e unë çdo ditë e më shumë po plakem në shoqërinë e kujtimeve të vjetra. Çdo ditë lexoj diçka dhe në çdo libër gjej diçka që m’i ngacmon plagët, e që mbesin me vite të hapura. Dje lexova një libër interesant, por që i vetmi deri tash shtjelloi të njëjtën histori me atë që përjetova dikur. Për këtë arsye vendosa të publikoj rrëfimin tim, me të vetmin qëllim që edhe një njeri pas meje mos ta përjetojë atë që përjetova unë dikur, shkruan për Portalin tonë, “Kosovarja”, V, nga Prishtina.

Po filloj…

Isha vetëm 17 vjeçe kur për herë të parë përjetova ndjenjat e dashurisë, e kur për herë të parë më rrahu zemra tingëllueshëm, si kurrë më parë. Gjithherë tallesha me vajzat që vuanin për dikë, që qanin pareshtur për dashuri. Por, jo kot thonë se “kush qesh edhe e veshë”.

Me Luanin u takuam në një dasmë, te dajallarët e mi. Ai ishte shok i djalit të dajës. Atë mbrëmje nuk isha mirë me shëndet dhe isha në dilemë të shkoja apo jo. Por, fati qe ashtu i shkruar dhe unë atë natë kalova natën më të paharrueshme në 17 vitet e mia.

Ai që nga fillimi më kishte përcjellë, por nuk e kisha vërejtur. Dikur, teksa vallëzonim, ma kapi dorën. Atëherë, për një çast më rrahu fort zemra. Ishte diçka që s’e kisha përjetuar më parë, por edhe diç që s’dija si t’ia vë emrin. Më shikonte vjedhurazi, e unë kokulur vazhdoja të vallëzoja.

Luani ishte shumë pashëm, i gjatë, syzi e vetulla të trasha, sharmant. E unë, në krahasim me të, dukesha si një vajzë e gjorë. Thënë të drejtën, nuk i kishim mirë punët financiarisht, gjë që shihej edhe nga dukja ime. Por, pavarësisht kësaj, unë atëherë isha shumë e pastër shpirtërisht dhe moralisht, por edhe e sinqertë.

Kisha frikë ta shikoja Luanin, ngase kisha përshtypjen se do më shikojë me dhembshuri. Në fakt, ishte më ndryshe.

Por, edhe te ai ishte zhvilluar një ndjenjë e veçantë në momentin kur më kishte parë. Këtë ma tha djali i dajës derisa po ktheheshim në shtëpi. U entuziazmova edhe më shumë. Atë natë nuk fjeta fare…
Në anën tjetër, gjërat kishin rrjedhur shumë shpejt. Luani ishte interesuar shumë për mua dhe e kishte siguruar numrin e telefonit të shoqes sime, Arditës, meqë unë në atë kohë ende nuk kisha telefon.

Takimi i paharruar

Të nesërmen, derisa ishim në klasë, Ardita insistonte vazhdimisht t’më tregonte diçka. Unë as idenë më të vogël s’e kisha se për çfarë po bëhej fjalë. Kur më tha se më ka kërkuar një djalë me emrin Luan, unë humba, u stepa dhe nuk dija as ku jam. Ajo më tregoi ngadalë se çfarë e si kishte ndodhur. Më vonë Luani e thirri përsëri Arditën dhe çdo gjë ishte spontane. Por, edhe unë vendosa t’i lë gjërat të rrjedhin ashtu siç ishte e shkruar… Në takimin e parë Luani erdhi te shkolla e më mori. Shkuam në një restorant në periferi të Prishtinës, në Hajvali. Ishte hera e parë që po dilja me një djalë. Por, që herën e parë edhe më puthi. Ishte ndjenjë e papërshkrueshme. Fill pas fillova të qaja nga ajo që përjetova dhe nga mendimet e shumta që ma turbullonin kokën.

Me Luanin vazhduam të takoheshim çdo ditë. Takimet ishin të ëmbla, të këndshme, të hareshme…

Ah, sikur të kthehesha tash vetëm një moment në ato çaste! Dashuria për njëri-tjetrin shtohej çdo ditë e më shumë, kurse unë për pak kohë ndryshova me gjithçka. Nuk mësoja, kaloja shumë kohë jashtë shtëpisë, madje edhe shumë shpesh flija te Ardita, vetëm për biseduar me Luanin në telefon. Por, dikur edhe kjo u zgjidh. Luani dhuratën e parë që ma dha ishte një telefon. Atë e mbaja fshehur nga familja ime. Shumë herë më blinte edhe rroba e gjëra elementare që më duheshin, sepse Luani ishte i përkushtuar shumë pas meje.

Surprizën e parë e kujtoj edhe sot. Ishte ditëlindja ime dhe në orën 24 kishte ardhur te dritarja ku flija. Më uroi ditëlindjen dhe më solli një tortë, e cila ishte në formë zemre, e në të ishte një unazë që shkëlqente. U gëzova shumë…

Edhe sot, në sirtar të dhomës sime e mbaj unazën e veçantë dhe shumë të çmuar për mua. Ajo është diçka e paprekshme. E ruaj si sytë e mi. Nga ana tjetër, lidhja jonë kishte nevojë për rifreskime të reja, andaj edhe iu dorëzova Luanit pa menduar gjatë. Isha në gjendje të bëja gjithçka për të, pavarësisht pasojave. Dhe, me këtë lidhja jonë u forcua edhe më shumë…

As familja ime, e as ajo e Luanit nuk dinin gjë për ne të dy. Ne festuam edhe përvjetorin e parë të lidhjes sonë dhe shumë pak njerëz dinin për ne.

Një ditë të bukur dolëm në piknik, në Gërmi. Asnjëherë nuk e prisja një moment të tillë, sepse kurrë s’më kishte ndodhur as të grindesha me Luanin e lëre më për diç tjetër. Atë ditë ai kishte vënë në qafë një zinxhir me kryq. U tremba nga trishtimi dhe ethet më kapen. Në atë moment ma kujtoi se prindërit e mi ishin shumë të dhënë pas fesë myslimane. Ishte momenti më i rëndë për mua. Por, edhe për Luanin përkatësia fetare ishte preokupimi i vetëm që e kishte bërë atë gjatë gjithë kohës njeri të humbur. Luani më tregoi se ishte i besimit katolik… E, në atë moment m’u duk sikurse morën fund edhe rrahjet e zemrës sime…

Po atë ditë Luani u kishte treguar për mua familjes së tij, të cilët kishin shprehur habinë e tyre se si mund të dashurohej në një myslimane. Kjo kishte bërë që atë ta kritikonin dhe t’ia gjenin menjëherë një vajzë të besimit të tyre për fejesë. Dhe, pas një jave Luanin tim e fejuan. Ndërsa, mua m’u shtua edhe një dhimbje: po ato ditë kuptova se isha shtatzënë… U solla e u pështolla dhe pas një muaji vendosa

Të abortoja. E bëra në spital, përkundër dëshirës sime, por që nuk gjeja zgjidhje tjetër…

Dhe, tash, edhe pse ka kaluar një kohë, unë jetoj vetëm dhe pa të dashur, sepse në shpirt e kam frikën se mund të dështoj përsëri… V. /Kosovarja/

Më Shumë

143 vjet nga beteja më e rëndësishme e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Muzeu Historik Kombëtar kujtoi sot 143-vjetorin e Betejës së Shtimes dhe Slivovës. Kjo konsiderohet si beteja më e rëndësishme që zhvilloi ushtria e Lidhjes Shqiptare...

Vetaksident i rëndë trafiku në Prizren (video)

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur në orët e para të ditës së sotme në qytetin e Prizrenit, raporton Gazeta Sinjali. Sinjalizues të Sinjalit...

Lajmet e Fundit