13.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Shtëpia e Kadaresë, Qeveria jep 60 milionë lekë për rikonstruksionin

IsmailKadare6-30Një ndër vendimet e fundit të qeverisë në ikje, ka qenë një VKM, përmes të cilit jepen 60 milionë lekë të vjetra për shtëpinë e Ismail Kadaresë. Banesa e shkrimtarit të njohur në Gjirokastër, duket se po shkon drejt kthimit në muze. Arbër Kadia, Drejtor i Trashëgimisë në Ministrinë e Kulturës, tha dje për “Gazeta Shqiptare”, se fondi i mësipërm do të shërbejë për mbylljen e rikonstruksionit të karabinasë, sapo të lirohet nga thesari. “Ajo që mbetet për t’u bërë pas kësaj, është muzealizimi i shtëpisë së Kadaresë. Këtë gjë do ta bëjë vetë UNESCO, e cila do të merret me eksponatet, ndriçimin dhe të tjera detaje”, -sqaroi Kadia. Më tej, sipas drejtorit të Trashëgimisë, u sqarua se fondi për muzealizimin do të jetë i vetë

UNESCO-s. Rikonstruksioni i saj nisi vite më parë, por u bllokua më 2011-ën. Shkak për këtë u bë një problem pronësie. Punimet në arkitekturën e fasadës u penguan nga banorët e shtëpisë ngjitur, ku sipas projektit, duhet të mbështetej në të një hark i gurtë. Por këta të fundit, në muajin prill të këtij viti, ranë dakord të shembin një pjesë të shtëpisë kundrejt shumës prej 1.5 milionë lekësh. Shtëpia fqinje e Kadaresë njihet si “banesa e Kako Pinos”, të cilën edhe shkrimtari e ka përmendur në romanet e tij. Me fondin e fundit, dhënë nga qeveria, duket se nuk ka më arsye që mbajnë peng kthimin në identitet të shtëpisë së shkrimtarit Ismail Kadare. Banesa dykatëshe e shpallur monument kulture, qe shkrumbuar nga zjarri në vitin 1999.
Projekti
Në vitin 1997 u vendos që shtëpia e Ismail Kadaresë të kthehet në një shtëpi-muze, meqenëse mund të ishte edhe pikë atraksioni turistik dhe njëkohësisht edhe një respekt ndaj figurës së shkrimtarit. Projekti synon kthimin e shtëpisë në një bibliotekë-muze, ku do të ekspozohen edhe veprat e tij të botuara në vende e gjuhë të ndryshme të botës. Përpos kësaj, pritet të ketë edhe libra të autorëve të njohur botërorë, si dhe një sallë leximi. Kostoja e përgjithshme e restaurimit pritet të arrijë në 250 mijë euro, një pjesë e të cilave është akorduar nga UNESCO. Godina synohet të jetë një qendër multikulturore.
Banesa
Arkitekti gjirokastrit Agron Doraci, inxhinieri zbatues i projektit, ka sqaruar më herët në “Gazeta Shqiptare” disa detaje të shtëpisë. Ajo ndodhet në zonën e poshtme të lagjes “Palorto”, në qytetin e Gjirokastrës. Afër saj, ka një sërë banesash me vlera muzeale, duke filluar nga ajo e Cicos, Ficos, Kadaresë, Toros, Xhaxhiut, Kokalarit, të cilat mbyllin konturin e poshtëm të kësaj lagjeje. Në këtë rresht banesash, ajo e Kadaresë është më e arrira për nga trajtimi arkitektonik dhe në pozicion më të dukshëm.
Banesa është tri kate; një kat nën dhe, ku përfshihen stera e ujit dhe qilari i vogël ku mbaheshin rezervat ushqimore. Nën tokë, ngjitur me qilarin e vogël, gjendet një galeri e fshehtë, me qemer guri. Hyrja për në këtë mjedis bëhet e maskuar në dyshemenë e qilarit të madh në katin përdhes. Ky mjedis shërbente për ruajtjen e materialeve të çmuara, armëve dhe të njerëzve në rast rreziku; shkrimtari thotë se ky ishte dhe “burgu”, “hapsana”, siç quhej, karakteristike e shtëpive të vjetra. Kati përdhes ishte kryesisht për shërbim. Në pjesën e prapme ka dy mjedise, secili me dalje të veçantë në rrugë. Ky mjedis ka shërbyer si depozitë bari për kuajt e mysafirëve. Mjedisi nga ana veri-perëndimore, përmban hyrjen kryesore. Ky mjedis, është i mbuluar me qemer guri dhe i shtruar me kalldrëm.

Në katin përdhes, në anën veriore ndodhet qilari i madh, mbuluar me qemer guri dhe tirante, që përveç funksionit konstruktiv, shërbente edhe për depozitimin e rezervave ushqimore (zahiretë e dimrit). Nëndivani në katin përdhe, në pjesën ballore, është komplet i hapur, realizuar nëpërmjet një arkade me katër harqe. Hapësira e fundit e arkadës shfrytëzohet për kamerien, e cila plotësohet edhe me dy harqe të tjerë më të mëdhenj. Shkalla për t’u ngjitur në katin e sipërm është komplet e jashtme. Në anën jugore, banesa është e mbështetur mbi një arkadë në formën e një tuneli, një nënkalim që lidhte dy lagjet, atë myslimane dhe atë të krishterë, siç shprehet shkrimtari në veprat e tij. Kjo, e bën këtë banesë unike në larminë e madhe të formave arkitektonike në qytetin e Gjirokastrës. Në katin e sipërm gjenden katër mjedise banimi dhe një shërbimi. Mjediset e banimit që ndodhen në pjesën ballore të banesës quhen oda në Gjirokastër, rezervohen për miqtë. Ato pozicionohen në atë pjesë të banesës nga ku pamja jashtë është më e plotë, prandaj odat shërbenin për raste të ceremonive familjare, si dhe për pritjen e miqve.

Më Shumë

52 vite më parë Bekim Fehmiu vizitoi për herë të parë Shqipërinë

Më 21 prill 1972 aktori kosovar me famë botërore Bekim Fehmiu vizitonte për herë të parë Shqipërinë. Fehmiu lindi në Sarajevë më 1 qershor 1936...

Nektari i luginës së harruar

Enver Sulaj Unë nuk mund të hyj në vetminë tënde As në trishtimin tim në ditën e kryqëzimit Kur turma ulërinte drejt qiellit skëterrë. Unë nuk mund ta...

Lajmet e Fundit