15.8 C
Prizren
E martë, 16 Prill, 2024

Shtyhet greva në arsim, të hënën nis gjysmëvjetori i dytë

Greva në arsim e paralajmëruar për javën e ardhshme është shtyrë të paktën edhe për një javë. Vendimin e ka marrë Këshilli drejtues i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, i cili ka vendosur që t’i japë afat Qeverisë në detyrë deri në fund të javës tjetër që të gjejë zgjidhje për dy kërkesat e tyre – shtesat për punëtorët e këtij sektori dhe nënshkrimin e kontratës kolektive.

Në Sindikatën e Arsimit kanë njoftuar se nuk do ta pengojnë fillimin e procesit mësimor, që nis më 18 janar. Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka njoftuar se në secilën shkollë do të dërgohen formularë, ku punëtorët e arsimit do të nënshkruajnë nëse pajtohen të hyjnë në grevë.

“Ne do të veprojmë në bazë të formularëve, të cilët do të mblidhen shumë shpejt dhe do t’i analizojmë një për një dhe pastaj do ta shikojmë nëse shumica deklarohen se nëse nuk jep rezultat takimi me kryeministrin dhe nuk nënshkruhet kontrata dhe shumica kërkon veprime sindikale, atëherë ne e kemi këtë autorizim dhe institucionet le ta dinë se kjo nuk shkon në pafundësi”, ka thënë ai.

Jasharaj ka treguar se janë në pritje të një përgjigjeje nga Qeveria, meqë deri tash, sipas tij, nuk u ka kthyer rreth kërkesave të tyre.

“Unë jam i sigurt se gjatë javës së ardhshme do të mblidhen deklarimet e kolegëve të mi nga terreni, dhe pastaj neve nuk na mbetet gjë tjetër përveçse ta analizojmë situatën, të shohim çka po thonë institucionet dhe të veprojmë”, ka shtuar Jasharaj.

KOHA ka kërkuar një qëndrim nga Ministria e Arsimit nëse mund të realizohen kërkesat e SBASHK-ut, por nuk e ka marrë gjatë ditës.

E ministri në detyrë, Ramë Likaj, përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se në një takim virtual që e ka mbajtur të enjten me drejtorët komunalë të Arsimit ka kërkuar që të bëhen përgatitjet e duhura që mësimi të nisë të hënën.

“Parësor mbetet mësimi sipas skenarit A me prezencë në shkolla, mirëpo varësisht nga situata epidemiologjike do të përdoren edhe skenarët tashmë të njohur (B dhe C) të paraparë në udhëzuesin e përgjithshëm të MASh-it. Kërkova bashkëpunim të ngushtë te të gjithë aktorëve, në mënyrë që të krijohen të gjitha kushtet për fillim të mbarë të mësimit”, ka shkruar Likaj.

Tash e dy javë SBASHK-u po kërkon që çdo punëtori të arsimit t’i paguhen nga 100 euro shtesë në muaj me arsyetimin se e kanë rrezikuar shëndetin duke punuar në shkolla gjatë pandemisë. Së fundi kjo sindikatë ka dalë edhe me një kërkesë të re, ku po kërkon kontratë kolektive të përhershme për punëtorët e arsimit. Kjo kontratë 26-pikëshe, ndër të tjera, do të parashohë tri paga me rastin e pensionimit, nga një pagë jubilare dhe shujta për punëtorët e arsimit.KOHA/

Më Shumë

Sot votimi historik për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Evropës

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës sot me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve të pranishëm nga të gjitha shtetet anëtare, do të...

Sot luhen dy ndeshje interesante në Ligën e Kampionëve, kryepërballja në Paris

Sot do të zhvillohen dy ndeshje në kuadër të çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve. Kryepërballja kryesore e natës së mërkurës pritet të jetë ajo në...

Lajmet e Fundit