16.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Si të votohet

Zgjedhjet-ksKomisioni Qendror Zgjedhor është vonuar në informimin e opinionit publik se si duhet të votohet në zgjedhjet e 3 nëntorit. Fushata mediale e nisur pak ditë para se të mbahen zgjedhjet në vend, sipas zyrtarëve të Demokracisë në Veprim do të prodhojë shumë fletëvotime të pavlefshme, meqë qytetarët e Kosovës janë informuar me vonesë me procedurat dhe mënyrën se si duhet të votohet.

Valim Ismaili nga Demokracia në Veprim thotë se në përgjithësi fushata e informimit publik e KQZ-së ka qenë e dobët dhe fushatë tepër e zbehtë me shumë pak informata për qytetarët.

Sipas tij, është tepër vonë kampanja për t`u informuar qytetarët se si duhet të votohet , meqë, sipas tij, tashmë, kanë nisur të shfaqen nëpër mediat elektronike në vend disa spote të partive politike të cilat ju tregojnë sesi duhet votuar.

Ismaili thotë se kjo vonesë që e ka shkaktuar KQZ do të ndikojë në numrin e madhë të fletëvotimeve të pavlefshme që do të dalin gjatë ditës së zgjedhjeve, sepse, qytetarët nuk e dinë se si duhet votuar edhe për kryetar të komunës dhe asamblesë.

Ky zyrtar i Demokracisë në Veprim thotë se KQZ gjithmonë ka dështuar në informimin e opinionit se si duhet votuar, por që fushata e fundit mediale për zgjedhjet e 3 nëntorit është një prej më të dobëtave.

Sipas tij, në strategjinë që ka miratuar KQZ për të njoftuar opinionin, nuk ceken afatet kohore se çka dhe kur duhet të përfundojë fushata për informim.

“KQZ fillimisht ka miratuar një strategji të informimit publik, sepse, në atë strategji nuk ka afate kohore se kur dhe çka do të bëhet, po ashtu edhe ky Komision i formuar së paku në mbledhjet që kemi vëzhguar, asnjëherë nuk ka raportuar se deri ku ka shkuar fushata e opinionit publik. Mirëpo, nuk mund të ndahet këtu përgjegjësia në mes të Komisionit dhe KQZ-së, unë e shoh KQZ si një trup të vetëm që nuk ka ndërmarrë masa për informimin e qytetarëve se si duhet votuar”, thotë Ismaili për Kosovapress.

Në një komunikatë për media, zyrtarë për media në KQZ thonë se fushata e informimit dhe edukimit të votuesve, përbën një detyrim që e përcakton ligji, si dhe ndërtohet në bazë të strategjisë dhe planit të informimit publik të KQZ-së.

Sipas tyre, zbatimi i kësaj fushate ka për qëllim pajisjen e votuesve dhe palëve tjera relevante me informacion zgjedhor, lidhur me zgjedhjet për organet e Qeverisjes Lokale, me rritjen e pjesëmarrjes në votime, jo vetëm në numër, por dhe në cilësi, pra, edhe menjanimin e të gjithë elementëve, të cilët mund të cenojnë integritetin e procesit zgjedhor, uljen e numrit të fletëvotimeve të pavlefshme, parregullsitë e procesit etj.

Sipas zyrtarëve për media, KQZ, gjithashtu, dërgon letër me postë tek të gjithë votuesit e rinj, dhe tek ata që kanë ndryshuar adresë, për t’i informuar lidhur me të drejtën e tyre të votës dhe vendin në të cilin janë caktuar për të hedhur fletëvotimin e tyre.

Fushata, pasohet nga spote motivuese në Televizion dhe Radio, të cilat informojnë votuesit lidhur me procedurat e Vendvotimit, dhe si të shënojnë Fletëvotimet e tyre.

Së fundmi, KQZ, gjithashtu, ka vendosur tenda në komunat e Kosovës, zakonisht në rrugë të frekuentuara, ku qytetarët mund të bëjnë pyetje dhe të pranojnë broshura informative.

Zgjedhjet zakonisht përfshijnë një fushatë për informim të votuesve (lidhur me çështjet praktike të kontrollimit të caktimit të vendvotimeve, dhe mënyrave për të plotësuar fletëvotimin).

Në bazë të Ligjit për Zgjedhje Lokale, elektorati do të zgjedhë anëtarët e kuvendeve komunale dhe kryetarët e komunave në tërë komunat e Kosovës.

Sipas Ligjit për Zgjedhjet, Kreu II, neni 7, pika 7.1, secila komunë do të jetë zonë zgjedhore e veçantë.

Njëkohësisht, do të mbahet kuota gjinore prej 30% për deputetet e kuvendeve komunale.

Për këto zgjedhje, do të përdoren Listat e Hapura. Në zgjedhjet për Kuvende Komunale, votuesi voton për një (1) Subjekt Politik të certifikuar, dhe mund të votojë për një (1) kandidat nga lista e Kandidatëve të këtij subjekti politik.

Nëse në fletëvotim janë shënuar më shumë se një (1) kandidat, vetëm vota për subjektin politik llogaritet.

Përveç tjerash, për zgjedhjet për kryetarë të komunave, mund të paraqitet nevoja për një raund të Dytë të zgjedhjeve, nëse një kandidat nuk fiton shumicën e votave gjatë raundit të parë, e që nënkupton, 50%+1 votë të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme të hedhura në atë komunë, në pajtim me nenin 9.6 të Ligjit për Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës.

Votuesit që jetojnë jashtë Kosovës, kanë mundësi të votojnë përmes operacionit të votimit me Postë.

Lista Përfundimtare e Votuesve për vitin 2013, përmban 1. 779. 357 emra të votuesve të ndarë në tridhjetë e tetë (38) komuna, me një rritje prej 191 103 apo 11.72% në krahasim me zgjedhjet e kaluara.

Numri i Qendrave të Votimit (QV) është 798 (52 qendra të reja të votimit nga ato që kanë qenë në zgjedhjet e kaluara), ndërsa numri i vendvotimeve është 2366, me një rritje prej 86 vendvotimeve apo 3.77% nga zgjedhjet e kaluara.

Gjithashtu Lista e Votuesve jashtë Kosovës – 2013, përmban të gjithë votuesit të regjistruar suksesshëm. Numri i përgjithshëm i votuesve jashtë Kosovës është 8 383. Në krahasim me zgjedhjet e kaluara janë 6743 votues më shumë, që janë regjistruar për të votuar përmes postës.

Qytetarë të Prishtinë kanë thënë se tashmë kanë filluar të mësohen përmes fushatave se si duhet të votohet në zgjedhjet e së dielës.

“Po e di se si duhet të votohet janë dy flet, një votohet për kryetarin, tjera për parlemantarin, a çka është ajo, ai numër votohet edhe në parlament edhe për kryetar, a është ashtu, jam i sigurt se si duhet të votohet “, thotë Habib Gashi

Non stop pe japin edhe në lajme edhe në internet, mirëpo tjetërçka janë informatat qysh duhet me u votu, po kutitë ku shkojnë në fund, ajo është me rëndësi, kush i kontrollon ato kutia”, thotë Sylë Hoti

Zgjedhjet lokale mbahen të dielën në gjithë territorin e vendit. /Kosovapress/

Më Shumë

Ngritja e sigurisë në fshatrat e Prizrenit

Policia në Prizren ka mbajtur sot një takim me përfaqësuesit e fshatrave. Komandanti i Stacionit Policor në Prizren-Veri, kapiten Haxhi Kabash, tha se qëllimi i...

25 vjet nga ndërhyrja historike për paqen në Kosovë

Sot mbushen 25 vjet nga fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve serbe. Aeroplanë të NATO-s bombarduan në territorin e Serbisë, Kosovës dhe Malit...

Lajmet e Fundit