10.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

S’ka Panair të Librit në qershor, botuesit presin ndihmën e shtetit

Panairi i Librit do të thyejë një traditë dydekadëshe. Nuk do të mbahet në qershor. Organizatorët të martën e kanë zyrtarizuar pezullimin e një prej organizimeve më të mëdha kulturore në vend. Një gjë e tillë qe paralajmëruar qysh në fillim të pandemisë, por për Shoqatën e Botuesve të Kosovës është e pamundur që edicioni i 22-të të mbahet së paku deri në vjeshtë.

“Si rrjedhojë e gjendjes së krijuar me pandeminë COVID-19 dhe vendimeve të Qeverisë së Kosovës, me ç’rast nuk lejohen organizimet e panaireve, pezullohet panairi i 22-të i librit ‘Prishtina 2020’”, thuhet në njoftimin e afishuar të martën në faqen e kësaj shoqate në “Facebook”. “Panairi planifikohej të mbahej, si gjithnjë, javën e parë të muajit qershor. Nuk është anuluar tërësisht Panairi, me shpresën se do të piqen kushtet që ngjarja kryesore e veprimtarisë së librit në Kosovë mund të mbahet në vjeshtë”.

Pos për lexuesin, Panairi ka qenë një nga eventet kryesore të shitjes së librit. Me gjysmën e parë të vitit të kaluar me shitje minimale, ata tash i druhen edhe një krize tjetër. Pas pezullimit të Panairit – botuesit kanë kërkuar një “infuzion” nga ana e shtetit përmes të shumëpërfolurës pako emergjente. Nëpërmjet një letre drejtuar këtyre ditëve Ministrisë së Kulturës, Shoqata e Botuesve të Kosovës ka kërkuar që botuesit që kanë aplikuar me projekte të ndihmohen më shumë sesa që është paraparë.

Deri më 2 mars, botuesit në vend kanë pasur afat për t’i dorëzuar projektet e tyre në thirrjet e sivjetme për përkrahje financiare për blerjen e librave për vitin 2020, për botimin e revistave letrare, si dhe për përkrahje financiare për botimin e librave.

“Me sa di, janë menduar diku 110 mijë euro në të dy thirrjet, për të gjithë botuesit, dhe ne kërkojmë që kjo shifër të trefishohet”, ka thënë të martën kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli.

Por Ministria e Kulturës ende nuk e ka të qartë se kur do ta hapë “qesen” për t’iu dalë në mbështetje botuesve në vend. Teksa nuk kanë qartësuar pakon 5-milionëshe, e dedikuar për nevojat e sektorit të kulturës, kjo ministri është zotuar se botuesit do të kenë prioritet në mesin e atyre që do të përfitojnë nga kjo mbështetje.

Ministrja në detyrë e Kulturës, Vlora Dumoshi, ka thënë se institucioni që ajo drejton ka planifikuar që të krijohen grupe punuese, pjesë e të cilave do të jenë edhe përfaqësuesit e botuesve në vend. Grupet punuese qenë paralajmëruar qysh në mars.

“Ata jetojnë me shitjen e librit, por ne ende nuk e kemi fondin dhe tash për tash mbesim brenda Ministrisë me subvencionet tona për t’iu ndihmuar në projektet e tyre”, ka thënë Dumoshi për KOHËN.

Teksa nuk ka dhënë detaje për shumën 5-milionëshe që i është kërkuar ta gjejë brenda Ministrisë, ajo ka përmendur rreth 4 milionë euro obligime financiare që i ka trashëguar prejse është emëruar në këtë post.

“Pavarësisht kësaj, unë jam për mbështetjen e librit dhe në paketën e premtuar botuesit do të jenë të përfshirë me prioritet”, ka shtuar ministrja Dumoshi.

Ndërkohë që Ministria e Kulturës ende nuk ka kontaktuar botuesit për të “incizuar” gjendjen faktike të tyre, botuesi Edon Zeneli ka thënë se kjo mund të jetë e kuptueshme për shkak të gjendjes së pandemisë.

“Kam bindjen që Mininstria e Kulturës do t’iu përgjigjet pozitivisht kërkesave të botuesve që, në krahasim me fushat e tjera, mbeten modeste në kërkesat e tyre”, ka thënë Zeneli.

Për pakon emergjente, ku MKRS-së do t’i shtohej një shtesë prej 5-milionë eurosh, ai ka thënë se pritjet e botuesve janë që edhe ata të jenë pjesë e kësaj mbështetjeje.

Duke folur mbi kërkesën e botuesve për akordimin e një shume prej mbi 300 mijë eurosh në tri thirrjet për aplikime të Ministrisë, Zeneli ka vlerësuar se kjo shumë do të zbuste sadopak dëmet e krijuara nga mbyllja e librarive, mosmbajtja e Panairit dhe rënia që do të pësojë shitja e librit gjatë gjithë vitit.

Më Shumë

Pse e sulmoi Irani Izraelin?

Ben Blushi Sulmi i Iranit kundër Izraelit do të mbahet mend si një ngjarje në të cilën ai që sulmon ka më shumë frikë se...

Qethja e deleve në familjen e dëshmorit të UÇK-së, Pal Paluca (Foto)

Zyrtarët e Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural nw Prizren  kanë asistuar në qethjen e deleve në familjen e dëshmorit të UÇK-së, Pal...

Lajmet e Fundit