Zyrtarët e Komunës së Prizrenit kundërshtuan aktakuzën në gjykimin për shpërdorim detyre dhe vepra tjera.
Bujar Hasani, drejtori i Inspektorateve në Komunën e Prizrenit që akuzohet për shpërdorim detyre dhe uzurpim të pronës ngase nuk largoi një konstruksion metalik nga Zona Historike e këtij qyteti, nëpërmjet avokatit të tij e kundërshtoi aktakuzën.
Hazër Susuri, avokati i të akuzuarit Bujar Hasani deklaroi se provat e paraqitura në akuzë janë marrë në mënyrë të kundërligjshme dhe si të tilla nuk qëndrojnë.
“Të gjitha provat e propozuara nuk janë marrë në mënyrë të ligjshme nga Policia e Kosovës në fazën e hetimeve si dhe nga prokurori i shtetit”, tha avokati Susuri.
Edhe avokati i Enver Bytyqit, inspektorit të ndërtimeve në Komunën e Prizrenit që akuzohet se nuk e pengoi shefin e tij ta ndërtojë konstruksionin, kundërshtoi aktakuzën.
Skender Morina, avokati i Bytyqit tha se ka dorëzuar të shkruar kërkesën për hedhje poshtë të aktakuzës ndaj të mbrojturit të tij.
“Po qe se gjykata nuk e aprovon këtë kërkesë, gjatë shqyrtimit kryesor do të provojmë që ta argumentojmë pafajësinë e të akuzuarit”, tha avokati Morina.
Por prokurori Mehdi Sefa kundërshtoi avokatët dhe kërkoi nga gjykata që të vendosë për vazhdimin e gjykimit.
“Kërkoj nga gjykata që kundërshtimet e palëve mbrojtëse për hedhje të aktakuzës t’i refuzojë, ngase kundërshtimet nuk kanë bazë ligjore dhe mbështetje në prova konkrete”, tha prokurori Sefa.
Sipas aktakuzës, Bujar Hasani ngarkohet se si drejtor i Inspektorateve për të përfituar për vete nuk ka larguar konstruksionin metalik në Zonën Historike të Prizrenit.
Konstruksioni metalik, sipas prokurorisë, ishte vazhdim i lokalit “Fellas”, pronë e Bujar Hasanit.
Aktakuza tregon se prej janarit 2015 e deri tash Hasani ka uzurpuar në mënyrë të kundërligjshme pronën e paluajtshme të Komunës së Prizrenit në Zonën e Mbrojtur të qytetit.
Enver Bytyqi akuzohet se nga viti 2015 e deri tash nuk ndërmori inspektime për të iniciuar largimin e konstruksionit metalik të vendosur nga shefi i tij.
Gazeta Jeta në Kosovë në prill të këtij viti shkroi për shfrytëzimin e kundërligjshëm të pronës komunale nga drejtori Bujar Hasani.