11.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Carlo Ancelotti pranë konfirmimit si trajner

Trajneri italian, Carlo Ancelotti që nga shkarkimi i tij nga Bayern Munchen, ishte duke kërkuar se ku të vazhdonte aventurën e tij.

Ofertat nuk mungonin, si nga klubet e madje edhe për stolin e përfaqësueses së Italisë, e cila pas dështimit që të kualifikohet në kampionatin botëror në futboll “Rusia 2018”, largoi selektorin Giampiero Ventura dhe po kërkonte njeriun tjetër.

Megjithëse, Ancelotti në disa prej deklaratave të tij, kishte theksuar se do të preferonte të drejtonte një klub të Premier League, duket sikur në fund edhe do të mund të jetë përzgjedhësi i radhës i “Azzur-ëve”.

Shtypi në Itali është duke raportuar se gjatë ditës së djeshme në një hotel në Romë, Ancelotti është takuar me presidentin e federatës së futbollit Italian, Roberto Fabbricini dhe zëvendës presidentin Alessandro Costacurta, i cili edhe ka qenë fillimisht para disa javëve iniciues i idesë që Carlo Ancelotti të jetë personi i radhës në bankinën e Italisë.

Thuhet se takimi kishte zgjatur rreth një orë e gjysmë, me dyshen e federatës duke e bindur Ancelottin të pranonte ofertën për stolin e Italisë.

Megjithatë, siç kuptohet ende nuk ka marrëveshje përfundimtare nga këto takime dhe duket sikur një aspekt i kësaj, është edhe ai financiar.

Carlettos do t’i duhet të pranojë një pagë goxha më të ulët se atë që e kishte pasur tek Bayern, apo se sa që do ta kishte, nëse do të drejtonte ndonjë klub.

Kjo për shkak se, federata italiane e futbollit, zakonisht ka një buxhet fiks prej 5 milionë eurosh në vit, për përzgjedhësin dhe stafin e tij.

Kujtojmë që Antonio Conte ishte paguar 4.1 milionë euro në vit, mirëpo një pjesë e pagës së tij, ishte paguar nga marrëveshja me kompaninë “Puma”.

Në mënyrë që ta josh edhe më shumë, Costacurta i ka ofruar Ancelottit mundësinë që ai vet të zgjedh stafin e tij, megjithëse mbetet të shihet se cili do të jetë vendimi i trajnerit 58 vjeçar.

Carlo Ancelotti javë më parë, ishte i përfolur si njëri nga kandidatët që do të mund ta merrte drejtimin e Arsenal, derisa ende vetëm flitej për largimin e Wenger dhe asgjë nuk ishte konfirmuar.

Mirëpo, tani me largimin e Arsene Wenger nga Arsenal, dy prej kandidatëve më serioz për ta marrë drejtimin e klubin londinez, po shihen Patrick Vieira dhe Luis Enrique, e kjo mund të shtyj Carlo Ancelottin që të pranojë punën si përzgjedhës i Italisë.

Më Shumë

Lajmet e Fundit