Kosova e ka mposhtur Republikën e Çekisë 2-1 në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në kuadër të kualifikimeve për Euro 2020.

Të parët ishin mysafirët që kaluan në epërsi në minutën e 16-të me anë të Patrik Schick, pas asistimit që pranoi nga Jakub Jankto.

Por, epërsia e çekëve zgjati vetëm katër minuta, me Vedat Muriqin (20’) që i barazoi shifrat në 1-1, me një aksioni të filluar nga Bersant Celina, derisa Elbasan Rashani asistoi te goli.

Pjesa e parë përfundoi me një lojë të hapur dhe të baraspeshuar nga të dyja përfaqësueset, ndërsa e dyta ishte e rezervuar e gjitha për ‘Dardanët’.

Në minutën e 66-të u krijua një skemë për t’u lavdëruar dhe Kosova kaloi në epërsi. Valon Berisha asistoi te Mërgim Vojvoda, i cili realizoi me të majtën.

Përfaqësuesja jonë vazhdoi të krijonte raste, gjersa kishte disa shanse të mira që ta thellonte edhe më shumë rezultatin.

Pas tri ditësh, Kosova do të takohet me Anglinë në ‘St Mary’s Stadium’ të Southamptonit, e që do të jetë një përballje e vështirë për tanët.

Kosova me këtë fitore është lider i Grupit A me tetë pikë, Anglia që sonte do të përballet me Bullgarinë me gjashtë, aq sa ka edhe Republika e Çekisë, derisa Mali i Zi dhe bullgarët kanë nga dy. /Telegrafi/