7.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Majlinda: Prej mbijetesës nga lufta, te podiumi olimpik

Një nga momentet historike në Lojërat Olimpike ishte medalja e artë e fituar nga xhudistja Majlinda Kelmendi me Kosovën.Kjo ishte njëmedalje e veçantë për vendin e saj, debutues në një event kaq madhor dhe Kelmendi u prit si një mbretëreshë në vendlindje.

Në arenën olimpike “Carioca 2”, pas triumfit, xhudistja pejane ka folur për faqen zyrtare “judoinside.com”, përcjell “Panorama Sport”.

Medalja e artë – “Unë isha me të vërtetë gati për këtë eveniment. Ndihesha shumë e motivuar, pasi pas shpinës sime ishte Kosova dhe kjo ishte hera e parë që Kosova merrte pjesë në një Olimpiadë. Doja me çdo kusht që të fitoja”.

Konkurrimi – “Para gjysmëfinales isha paksa nervoze, diçka normale besoj. Japonezja Misato Nakamura është për mua konkurrentja më e fortë në peshën -52 kg. Ajo është një legjendë dhe kampione e trefishtë e botës. E kisha parashikuar se do të ishte një duel i vështirë. Por, kur fitova në gjysmëfinale, e dija se medalja e artë ishte e imja tashmë.

Emocionet në podium – “Kam pasur shumë gjëra në mendjen time kur isha në podium, por shikoja flamurin dhe po dëgjoja himnin tim”.

Pritshmëritë – E pyetur se çfarë pret që ky sukses t’i ndryshojë në jetën e saj, Kelmendi përgjigjet: “Në jetën time personale kam gjithçka nga ajo që kam kërkuar gjithmonë. Përgjatë këtyre katër viteve kam ëndërruar gjatë gjithë kohës për medaljen e artë olimpike. Kisha fituar titullin europian, titullin botëror dhe dëshiroja të merrja edhe titullin olimpik. Në fakt, viti i kaluar ishte jashtëzakonisht i vështirë për mua, sepse kam qenë e dëmtuar. Ndërsa vijoja riaftësimin në spital, kundërshtaret e mia stërviteshin tri apo katër herë në ditë. Por unë vazhdova dhe nuk mendoja se do të ketë ndonjë gjë tani që do të ndryshojë në jetën time. Ndoshta tani njerëzit do të më respektojnë më shumë, sepse ajo është medalja e parë e artë olimpike për Kosovën, Shqipërinë apo për të gjithë njerëzit që e flasin gjuhën shqipe”.

Dëmtimet – “Unë kisha një dëmtim në gju, në ligament. Jam stërvitur për shtatë, tetë orë në ditë dhe, për shkak të kësaj, pësova edhe një dëmtim në shpinë. Pastaj u dëmtova edhe në dorën e majtë. Ndieja se kurrë nuk do të isha përsëri e shëndetshme apo se nuk do të garoja më”.

E ardhmja – “Unë jam e re. Jam vetëm 25 vjeç dhe mendoj se kam edhe dhjetë vite apo më shumë në xhudo. Unë me të vërtetë e dua xhudon. Nuk e ushtroj këtë sport për para, nuk e bëj atë për t’u bërë e famshme. Unë jetoj për xhudon. Stërvitjet e forta nuk janë gjë e keqe për mua. Kur stërvitem fort, ndihem shumë mirë. Më pas shkoj në gara dhe dua që të gjithë të më shohin dhe t’u tregoj të gjithëve se sa e mirë jam, se sa e fortë jam”.

Rëndësia e kësaj fitoreje në Kosovë – Kelmendi thekson se kjo do të thotë shumë për vendlindjen e saj. “Ne i kemi mbijetuar luftës. Ka ende fëmijë, të cilët nuk e dinë nëse prindërit e tyre janë gjallë. Ka ende fëmijë, të cilët nuk kanë mjaftueshëm për t’u ushqyer, për fletoret apo libra për të shkuar në shkollë. Por nga ky vend u shpalla kampione olimpike. Kjo është diçka e jashtëzakonshme për ne. Edhe në qoftë se ne kemi shumë probleme, edhe pse ne nuk jemi aq të pasur, ne mund të arrijmë gjëra të mëdha. Duhet të punosh shumë dhe të besosh te vetja. Edhe në qoftë se nga Kosova nuk ke aq shumë mundësi në jetë, është ende shumë herët. Ka 15, 16 vjet pas luftës dhe ne kemi ende nevojë për kohë. Duhet të punojmë shumë”, bëri me dije medalistja.

Presidenti Bah – Një detaj i veçantë nga Olimpiada ka qenë edhe dorëzimi i medaljes nga Tomas Bah, president i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. “Një vit më parë ai erdhi në Kosovë dhe tha: ‘Unë jam këtu për të të mbështetur ty’. Sot, ai më tha: ‘Të kujtohet, kemi bërë një marrëveshje dhe tani u bë realitet’. Këto fjalë më bënë të qaja. Unë dua ta falënderoj shumë në emër të federatës sonë dhe vendit tim”.

Më Shumë

Totaj: Amerikanët janë lodhur me Albin Kurtin

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, deklaroi se amerikanët janë lodhur nga qasja e Qeverisë Kurti dhe se durimi i tyre po përfundon. “Duhet...

Reja, afër të emërohet trajner i skuadrës në Seria A

Ish-trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Edoardo Reja raportohet se mund të marrë drejtimin e skuadrës së Udineses deri në përfundim të këtij sezoni. Mediet...

Lajmet e Fundit