5.8 C
Prizren
E martë, 19 Mars, 2024

Suksese “Liria” ime

Shkruan: Nol Elshani

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka marrë vendim që të përfundojë kampionati i Ligës së Parë, për shkakun që klubet nuk mund t’i plotësojnë kushtet për ruajtjen e shëndetit të futbollistëve nga pandemia e Covid-19-ës. Vendimi, edhe pse s’është i mirë për klubet dhe tifozët, është i bazuar në faktin se disa prej klubeve të Superligës nuk i plotësojnë kushtet për të luajtur futboll, e lëre më ato të Ligës së Parë. Pra, vendimi është i drejt, sipas zyrtarëve të FFK-së.

Por, po e shoh reagimin e zyrtarëve të klubit prizrenas, “Lirisë”, të cilët me nxitim e drejtojnë gishtin kah FFK-ja se pse edhe një sezon do të mbesin në kategorinë e dytë të klubeve kosovare. A kanë të drejt? Po, se këtë ua lejon rregullorja. Pra, mund të ankohen në instancat vendore dhe ato ndërkombëtare. Megjithatë, para se ta bëjnë një gjë të tillë, kjo udhëheqësi duhet ta pyes veten se pse edhe një vit duhet të presim për të qenë pjesë e elitës së futbollit të Kosovës? Të pyesin se çfarë kanë bërë që të mos kritikohen nga qytetarët prizrenas? Përgjigja është: pothuajse asgjë nuk kanë bërë. Pos fjalëve dhe retorikave boshe, si ato që “jemi ndër klubet më vjetra dhe më të mëdha në vend”, se “ndërruam trajner e trajner”, se “sollëm futbollistë e futbollistë”…

Megjithatë, ekipi ynë, “Liria”, mbetet strehë për lojtarët e moshuar që çdokush i llogaritë si material i shpenzuar. Sot ekipin e parë e bëjnë jarania e miqësia me zyrtarët e klubit. Trajnerët janë pothuajse sa për sy e faqe. Disa prej tyre kanë përvojë dhe dije, por nuk kanë guxim që pa amin të të fortëve ta bëjnë një formacion startues. Infrastruktura mbetet pothuajse ajo, pra zero. Shikoni stadiumin, tribunat (u thënçin) të papërfunduara. Zhveshtoret janë bërë sikur nevojtoret e dikurshme nëpër fshatra. Pjesa për gazetarët, mos pyet hiç…

Edhe më parë ishte pothuajse ky stadium, por klubi kishte dinjitet dhe ishte ndër pretendentët që të bëhet kampion. Thënë shkurt: ishim krenarë. E di që “Arpagjikët” do ta përkrahin klubin, sikurse edhe unë, por nuk do t’ua falin udhëheqësve. Sepse, premtuan përparim. Premtuan Superligë e ekip dinjitoz. Por, gjithçka rezultoi në regres. Asgjë tjetër.

Ndaj, ka ardhur koha që klubin ta marrin në dorë njerëzit që investojnë e jo që veç mendojnë si të përfitojnë. Sepse, nuk do të thotë që një lojtar i mirë dikur duhet të shpërblehet pastaj me post në kryesi. Merrni për këtë shembuj nga lojtarët evropianë.

“Lirisë” i duhet një gjeneratë e re; një frymë e re me mendje të kthjelltë. Mos e akuzoni FFK-në e të tjerët për dështimet. As mos e dërgoni rastin në CAS (Gjykata e Arbitrazhit Sportiv), t’ia humbni dhjetëra mijëra euro klubit e ta fusni në borxhe (edhe ashtu disa prej lojtarëve s’i kanë marr rrogat). Zgjidhja e vetme është që të kemi një kryesi që nuk e dirigjohet nga politika, por që bën politika të mira për ekipin, që ka vizion për të ardhmen e jo që përherë gjen fajtor të jashtëm për dështimet e brendshme.

Pra, s’ka faj FFK-ja…

Urime “Besa” e “Arbëria”.

Suksese “Liria” ime.

Më Shumë

Pësoi aksident para katër muajsh në Malishevë, i lënduari në gjendje kome vdes në QKUK

Një burrë i cili pësoi aksident para katër muajve, më 14 nëntor të vitit 2023 ka ndërruar jetë dje në QKUK. Viktima gjendej në gjendje...

Gjenden dy të vdekur në shtëpinë e tyre në Rahovec, dyshohet nga asfiksimi

Dy përsona janë gjendur të vdekur në shtëpinë e tyre në fshatin Pataqan i Poshtëm të Rahovecit. Siç njofton policia, viktimat janë burrë e...

Lajmet e Fundit