13.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Thaçi në 12 vjetorin e Pavarësisë: Kosova është faktor i stabilitetit në rajon

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka uruar 12-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook ai ka shkruar se sot Kosova feston ditën më të veçantë në historinë e saj të re, ditën e shpalljes së Pavarësisë.

Thaçi thotë se për të ardhur deri te 17 shkurti 2008 u deshën përpjekje, mund dhe sakrifica të mëdha për shumë breza me radhë.

“Në fund të shekullit të njëzet populli ynë me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me përkrahjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të shteteve të Europës, tërë botës demokratike e liridashëse, me intervenimin e NATO-s u çlirua përfundimisht nga okupimi dhe represioni i Serbisë. Brenda një periudhe tranzicioni, në bashkërendim me miqtë ndërkombëtarë, Kosova shpalli Pavarësinë dhe brenda një kohe të shkurtër u njoh nga shtetet më të fuqishme të botës, nga demokracitë më të avancuara të globit”, ka shkruar ai.

Ai thotë se gjatë këtyre dymbëdhjetë viteve Kosova ka shënuar të arritura të mëdha në rrafshin nacional, në konsolidimin e institucioneve, përparimin ekonomik, në kultivimin e marrëdhënieve të mira ndëretnike dhe funksionimin e shtetit ligjor.

Sipas tij, në planin e jashtëm Kosova ka luajtur dhe luan rol paqësor, duke qenë faktor i stabiliteti në rajon.

“Kosova ka arritur të jetë pjesë e shumë institucioneve ndërkombëtare, me synim të qartë për integrim të plotë në BE, NATO dhe KB. Për shtetin e Kosovës dhe qytetarët e saj integrimi në institucionet euroatlantike mbetet e vetmja alternativë. Kosova ka gatishmëri që të jap kontributin e saj në arritjen e normalizimit të marrëdhënieve me shtetin e Serbisë, përmes ndërmjetësimit të BE-së dhe ndihmës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka thënë ai.

Ai thotë se edhe në këtë përvjetor, si gjithmonë Kosova shpreh falënderimet e thella dhe mirënjohje për shtetet mike, që e përkrahën në ditët e vështira, për shtetet mike që e ndihmuan dhe e ndihmojnë edhe në këtë fazë drejt procesit të integrimeve euroatlantike.

“Kosova nuk harron kurrë sakrificën e mijëra dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, invalidëve, të mijëra martirëve dhe të qytetarëve që u sakrifikuan për lirinë dhe Pavarësinë e saj. Kosova ka hyrë në dekadën e dytë të pavarësisë me besim, shpresë dhe bindje për një ardhmëri më të mirë dhe më të sigurt”, ka thënë ai.

Më Shumë

Lajmet e Fundit